TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike Arbi Agalliu i ka bërë thirrje SPAK që të nis hetimet për abuzimet me tenderat në Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe të çojë përpara drejtësisë personat përgjegjës. Kjo skemë abuzime, sipas deputetit të PD-së, është një tregues se si pushteti i Edi Ramës është i korruptuar duke shpërdoruar paratë e qytetarëve.

"Ndërkohë që më shumë se gjysma e familjeve shqiptare jetojnë në kufirin e varfërisë, pushteti i korruptuar i Edi Ramës vijon të vjedhë dhe shpërdorjë paratë e qytetarëve. I tillë është abuzimi më i fundit i Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Sipas dokumentacionit të publikuar në media, në tenderin për shërbime konsulence ku parashikohet krijimi i një menuje tradicionale me vlerë 500 milionë lekë, Fondi Shqiptar I Zhivllimit nuk ka përzgjedhur vetëm ofertën me vlerë më të lartë, rreth 15 mijë dollarë më shumë se ofertuesi më i lirë, por ka përzgjedhur si fituese kompaninë në pronësi të kuzhinierit të punësuar në restorantin e djalit të drejtorit të FSHZH-së, Dritan Agolli.

Pra, të nderuar qytetarë, nuk abuzohet vetëm me kostot marramendëse të një menuje prej 500 milionë lekësh, por edhe me barazinë në garë, ku si në traditën më të keqe të qeverisë Rama, klientelizimi dhe konflikti i interesit mbizotërojnë mbi interesin publik. Ky shpërdorim me taksat e shqiptarëve kërkon një hetim të shpejtë nga drejtësia shqiptatre, vecanërisht kur abuzimi me tenderat ndodh në një kohë shumë të vështirë për vendin, i cili vuan krizën e korrupsionit, që po godet mirëqenien e e familjeve shqiptare. SPAK duhet urgjentisht të hetojë këtë aferë korrupsioni dhe të çojë para drejtësisë ata që vjedhin paratë publike të taksapaguesve shqiptarë. Edi Rama është i korruptuar. Qeveria e tij është e korruptuar. Me këta në krye, Shqipëria nuk mund të ketë zhvillim. Shqiptarët duhet ta braktisin të shkuarën dhe të korruptuarit", shkruan Agalliu.

Report Tv ka publikuar më herët skandalin, ku Fondi Shqiptar i Zhvillimit i dha jep 400 mijë USD tender kuzhinierit të restorantit përballë institucionit për menunë e 100 Fshatrave ku fituesi bashkëpunëtor i djalit të kreut të Fondit, Flladi Agolli.