Ministria e Kulturës ka reaguar pas skandalit me ndërtimin që po bëhet në Parkun Kombëtar të Butrintit. Në pamjet e siguruara nga Report Tv duket qartë se po hidhet beton, por për Ministrinë e Kulturës është një strukturë e përkohshme, madje sipas parametrave të parashikuara nga konventat e UNESCO-s dhe vendimit të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë.

Në Parkun Kombëtar të Butrintit nuk janë duke u kryer gërmime apo ndërtime të reja por në bazë të vendimeve ligjore dhe teknike janë duke u përshtatur objektet ekzistuese me qëllim përdorimin e tyre për kryerjen e shërbimeve të standardizuara brenda Parkut Kombëtar të Butrintit. Asnjë godinë e re nuk ndërtohet në Parkun Kombëtar të Butrintit por është duke u kryer përshtatja e ambienteve ekzistuese me struktura të përkohshme dhe në përputhje me të gjithë parametrat e parashikuara nga konventat e UNESCO-s.

Ashtu siç dhe parashikohet në Vendimin nr. 712/3 datë 25.05.2017 i Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë dhe vendimit nr. 149 datë 12.05.2017 i Këshillit Kombëtar të Restaurimeve të cilët miratojnë projektin me titull “Rehabilitimi dhe ndërtimi i pikave të shërbimit në Parkun Antik të Butrintit”, projekt i miratuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës”.

Deklarata e plote e Ministrise se Kulturës 
Në Parkun Kombëtar të Butrintit nuk janë duke u kryer gërmime apo ndërtime të reja por në bazë të vendimeve ligjore dhe teknike janë duke u përshtatur objektet ekzistuese me qëllim përdorimin e tyre për kryerjen e shërbimeve të standardizuara brenda Parkut Kombëtar të Butrintit.

 Ministria e Kulturës thekson se prej shumë vitesh në Parkun Kombëtar të Butrintit është konstatuar se ofroheshin shërbime tregtimi të cilat nuk respektonin legjislacionin përkatës fiskal, legjislacionin mbi sigurinë e produkteve ushqimore, legjislacionin mbi produktet kozmetike etj, në mungesë ndër të tjera edhe të kushteve higjieno-sanitare.
 
Në kuadër të rritjes së cilësisë dhe standardizimit të shërbimeve të ofruara në sitet e Trashëgimisë Kulturore prej tashmë 4 vitesh, Ministria e Kulturës ka ndërmarrë një sërë aksionesh dhe nismash në linjë edhe me nismat e tjera si: rritja e sigurisë në përshkueshmërinë e itinerareve turistike brenda parqeve kombëtarë; përmirësimi dhe funksionimi i nyjeve higjieno-sanitare, infrastruktura cilësore të aksesueshmërisë dhe pritjes së vizitorëve, etj.
 
Vlen të theksohet në këtë kontekst, se për të zgjidhur problematikën, në vitin 2015 dhe 2016 Ministria e Kulturës ka miratuar dy udhëzime specifike, të cilat janë hartuar në bazë të ligjit të Trashëgimisë Kulturore (publikuar në Fletoren Zyrtare dhe ëebsite e Ministrisë së Kulturës) me qëllim standardizimin dhe mirëadministrimin e siteve të Trashëgimisë Kulturore. Hartimi dhe fazat e zbatimit të këtyre udhëzimeve kanë kaluar përmes një sërë konsultimesh me grupet e interesit dhe komunikimeve publike.
 
Në zbatim të këtyre Udhëzimeve dhe për të zgjidhur problematikat më sipër, Ministria e Kulturës dhe institucionet e saj teknike vendimarrëse kanë miratuar projektet mbi intrastrukturën e standartizuar të ofrimit të shërbimeve në dy qendra specifike të cilat ofrojnë shërbimet e tyre brenda Parkut Kombëtar të Butrintit. Qendra SAL (Souvenir-Art-Libra) dhe Qendra Multifunksionale Shërbimesh të cilat do tregtojnë vetëm produktet e miratuara dhe certifikuara paraprakisht nga Ministria e Kulturës.
 
Edhe njëherë Ministria e Kulturës sqaron opinion publik se asnjë godinë e re nuk ndërtohet në Parkun Kombëtar të Butrintit por ëshë duke u kryer përshtatja e ambienteve ekzistuese me struktura të përkohshme dhe në përputhje me të gjithë parametrat e parashikuara nga konventat e UNESCO-s. Ashtu siç dhe parashikohet në Vendimin nr. 712/3 datë 25.05.2017 i Këshllit Kombëtar të Arkeologjisë dhe vendimit nr. 149 datë 12.05.2017 i Këshillit Kombëtar të Restaurimeve të cilët miratojnë projektin me titull “Rehabilitimi dhe ndërtimi i pikave të shërbimit në Parkun Antik të Butrintit”, projekt i miratuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. 
 
Ministria e Kulturës falenderon për interesimin në vazhdim të medias mbi çështjet eTrashëgimisë Kulturore dhe siguron opinionin publik mbi profesionalizmin e lartë dhe transparencën me të cilën institucioni ynë përmbush detyrat funksionale
.

Sipas Report Tv ne brendësi të Parkut Arkeologjik të Butrintit në Sarandë kanë filluar punimet për ndërtimin e një objekti në brendësi të zonës së mbrojtur. Ndërtimi po bëhet pranë një muri prehistorik, i cili daton në shekullin e 7-8 para Krishtit. Shqiptarja.com ka mësuar se në brendësi të zonës së mbrojtur po ndërtohet një bar-kafe për qëllime biznesi. Drejtoria e Monumenteve në një prononcim për REPORT TV pranoi se ka dhënë lejen dhe nuk shikon asgjë të çuditshme.

Firma ndërtuese
Burime pranë firmës ndërtuese pretendojnë se qëllimi i godinës që po ndërtojnë nuk është për biznes. Sipas tyre kjo ndërtesë po bëhet për t’u krijuar lehtësira turistëve. Ata argumentojnë se Parku i Butrintit vizitohet gjatë verës nga një numër i madh turistësh të cilët do të kenë mundësi që të pushojnë apo të freskohen. Gjithashtu shprehen se nuk po kryejnë një ndërtim të ri, por se thjesht po rindërtojnë një strukturë të vjetër ushtarake që ka ngelur brenda Parkut nga koha e regjimit komunist. Firma që ka fituar tenderin për ndërtimin e këtij objekti është Hako sh.p.k

Mungesa e transparencës
Paqartësia për funksionin dhe madhësinë e godinës që po ndërtohet brenda Parkut të Butrintit është ajo që bie në sy edhe pas reagimit zyrtar të Ministrisë së Kulturës. Si në deklaratën e ministrisë, por edhe në vendimet që përmenden në këtë deklaratë, nuk jepen detaje të projektit. “Qendra Multifunksionale Shërbimesh” cilësohet ky objekt nga ministria e Kulturës, por se çfarë ka si qëllim ekzaktësisht nk shpjegohet. Multifunskionale mund të përfshijë gjithçka, nga një bar-kafe e deri tek një hotel me salla konferencash. Në asnjë vendim nuk jepet asnjë detaj për ndërtesën, si përshembull; Sa do jetë e madhe Qendra dhe sa sipërfaqe do të mbulojë? Çfarë lloj shërbimesh konkretisht do ofrojë? Gjithashtu nuk sqarohet as se me çfarë kritere është përzgjedhur firma “Hako” që po ndërton por edhe se sa do kushtojnë punimi i ndërtim-reabilitimit dhe kush po manaxhon të ardhurat te Qendra Multifunksionale. Po kështu askund nuk thuhet se; Ku, kush dhe kur do ndërtohet Qendra SAL (Souvenir-Art-Libra).

105 mijë bileta
Parku Kombëtar i Butrintit është një nga pikat turistike më të njohura dhe më të vizituara të vendit tonë. Sipas të dhënave zyrtare gjatë vitit 2015 Butrinti është vizituar nga mbi 100 mijë turistë, më saktë janë 105 mijë bileta të prera gjatë atij viti. Duke marrë parasysh që gati në vetëm 4 muajt e verës është fluksi I bie që rreth 25 mijë turistë të vizitojnë këtë park në një muaj.
 
8 PYETJET QE LINDIN
- Çfarë nënkuptohet konkretisht me fjalët “Qendra Multifunksionale Shërbimesh”
- Sa do jetë e madhe Qendra dhe sa sipërfaqe do të mbulojë?
- Çfarë lloj shërbimesh konkretisht do ofrojë?
- Përdorim i betonit dhe tullave e dokumentuar nga filmimet televizive përputhet me projektin “të përkohshme” e autorizuar nga Ministria?
- Me cila kritere dhe procedura ligjore është përzgjedhur firma “Hako” që po ndërton Qendrën Multifunskionale?
- Sa do kushtojnë punimi i ndërtim-reabilitimit dhe kush po manaxhon të ardhurat te Qendra Multifunksionale?
- UNESCO u konsultua paraprakisht dhe e ka aprovuar projektin?
- Ku, kush dhe kur do ndërtohet Qendra SAL (Souvenir-Art-Libra)?

dy.b/shqiptarja.com