TIRANE- Policia Bashkiake e Tiranës vazhdon të “bëjë roje” pranë kazanëve të mbeturinave në qytet, duke ndaluar romët dhe banorë të tjerë të mbledhin mbetje të riciklueshme. Çdo muaj, një “ushtri” prej afro 3 mijë personash, mblidhnin dhjetra tonë materiale plastike, letër dhe ambalazhe metalike (kanaçe etj) të cilat ua shisnin fabrikave të riciklimit, duke siguruar të ardhura të mjaftueshme për një jetesë modeste.

Tani e gjithë kjo sasi mbetjesh të riciklueshme administrohet nga një kompani e vetme, e cila e ka marrë ekskluzivitetin e mbetjeve të Tiranës, në mënyrë shumë misterioze. Gazeta IDEA zbulon landifillin e ri, impiantin ku mblidhen të gjitha mbeturinat e riciklueshme të kryeqytetit, nga një kompani e cila nuk ka leje mjedisore, e cila është e paregjistruar në organet tatimore të pushtetit vendor dhe mbi të gjitha nuk dihet se si dhe përse iu dha nga bashkia ekskluziviteti i shfrytëzimit të landfillit të Sharrës.

LUFTA ME ROMET DHE PROJEKTET E VETEPUNESIMIT

Disa projekte donatorësh të huaj nxitën vetëpunësimin e romëve në Tiranë dhe qytete të tjera, si mënyrë për t’i ndihmuar të sigurojnë jetesën. Ata u organizuan për të mbledhur mbeturina të riciklueshme si kanaçe, plastika dhe letër. Kjo u pa si zgjidhje edhe për zbutjen e varfërisë tek kjo shtesë, por edhe si mënyrë për të pastruar kryeqytetin dhe qytete të tjera nga mbeturinat që nuk degradohen dhe që mbushinin rrugët dhe mjediset e tjera publike.

Por, dy muaj më parë Bashkia e Tiranës urdhëroi ndalimin e kësaj veprimtarie. Brenda një javë u prish i gjithë mekanizmi që ishte ndërtuar dhe romëve iu shkatërruan edhe pikat e grumbullimti edhe mjetet e transportit. Reagimit të opozitës dhe organizatave që kishin mbështetur ndërtimin e rrjetit të grumbullimit të mbetjeve, bashkia iu përgjigj, duke thënë se, gjatë mbledhjes së mbeturinave nëpër kazanë, ata ndotin mjedisin. Tani romët nuk sigurojnë më të ardhura, ndërsa biznesi i ricklimit të mbetjeve humbi arterien më të rëndësishme të furnizmit me lendë të parë.

KU  PERFUNDOJNE MBETURINAT E RICIKLUESHME?

Ndërsa në Tiranë romët u ndaluan të mblidhin mbetjet e riciklieshme, të gjitha mbeturinat, si ato të riciklueshme ashtu edhe ato organike, të biodegradueshme, shkarkohen në landfill. Një “brigadë” romësh që kanë ndërtuar një geto barakash fare pranë landfillit, u punësuan dhe punojnë gjatë natës për të seleksionuar nga pirgjet e mbetjeve që shkarkohen nga makinat e mbeturinave pikërisht ato të riciklueshmet. Mbetjet plastike, metalike, letra e kartona ndahen nga kjo skuadër punëtorësh. Por ndryshe nga romët që i mblidhin ato në Tiranë, këta nuk i shesin këto mbetje, pasi janë të punësuar, paguhen nga pronari i ri i plehrave. E gjithë kjo sasi mbetjesh, pasi seleksionohet në landfillin e Sharrës, dërgohet në një tjetër landifill, rreth 2 kilometra më larg. Vetëm brenda një muaji, në këtë landfill të ri, janë mbledhur dhjetra e dhjetra tonelata mbeturina. Një skuadër njerëzish punojnë aty, seleksionojnë, ndajve vec mbetjet sipas llojit, i paketojnë, i presojnë, duke i lidhur ne dengje 1 metër të lartë. Fusha e përpunimit të këtyre mbetjeve duket të jetë e vogël, pasi sasia e grumbulluar është shumë e madhe, aq sa degjet e presuara janë vendosur edhe në rrugë(sic tregohet edhe në foto). Ky impiant është vendosur buzë lumit Erzen, dhe ndodhet nën juridiksionin e komunës Vaqarr.

Ky është impianti më i madh i grumbullimit dhe paketimit të mbetjeve të riciklueshme në vend. Ato që mblidhin romët dhe ua shisnin fabrikave të riciklimit tashmë përfundojnë këtu, por më të ndotura, pasi janë përzjerrë më parë me mbeturinat organike.

KUSH E ZOTERON KETE BIZNES?
Ky është një biznes i madh. Ky është një biznes që nuk njeh kurrë krizë, që nuk ka lidhje as me thatësirën, as me përmbytjet, as me rënien e bursave as me rritjen e cmimit të karburanteve. Ai gjeneron produkt, pa reshtur. Tashmë tërë këtë produkt në Tiranë e ka në dorë vetëm një sipërmarrës, vetëm një kompani. Ajo është bërë pronarja e mbeturinave të Tiranës dhe komunave që shkarkojnë mbetjet e tyre në landfillin e Sharrës.

Ne iu drejtuam impiantit për të mësuar se kush janë sipërmarrësit. Por aty duhet të sillesh si i interesuar për biznesin e mbetjeje që të mund të afrohesh. Atu punojnë punëtorë natë dhe ditë. Impinati që duket se vazhdon së ndërtuari brenda, nuk ka emër, nuk ka askund një tabelë që të tregojë se kush janë dhe me se merren. Pyesim se si e ka emrin kompania dhe kush është personi përgjegjës, dhe përgjigja e vetme është: “Nuk e dimë, ne jemi punëtorë këtu”. Rojet janë të vëmendshëm ndaj përpjekjeve tona për të fotografuar, ndaj dhe duhet t’i vjedhin këto imazhe që po publikojmë.

Por cila është kompania që ka “fituar” ekskluzivitetin e menaxhimit të mbeturinave të kryeqytetit? Këtë përgjigje nuk e merr dot zyrtarisht.
Në mënyrë jo zyrtare mësojmë një emër kompanie, por atë nuk e gjejmë të regjistruar në QKR. Në mënyrë jo zyrtare mësojmë një emër sipërmarrësi, në emër të të cilët në QKR janë regjistruar 6 kompani, por asnjëra me objekt grumbullim, përpunim dhe tregtim të mbeturinave të riciklueshme.

Por ajo që mësuam zyrtarisht është se Ministria e Mjedisit nuk ka dhënë asnjë leje mjedisore për ndonjë kompani që të ushtrojë biznesin e grumbullimit, përpunimit dhe tregtimit të mbeturinmave të riciklueshme në Vaqarr.
Ajo që mësuam zyrtarisht është se në zyrën e tatimeve në Komunën Vaqarr ky biznes nuk është regjistruar. Zyrtarët lokalë të komunës thonë se kemi shkuar disa herë pranë këtij impianti për të këkruar informacion dhe na kanë thënë se nuk e dimë kush është pronari. Ata pohuan se kemi kërkuar ta regjistrojmë, por askush nuk merr për sipër të jetë administrator. Pra, kompania që ka marrë ekskluzivitetin, që ka privatizuar, mbeturinat e Tiranës nuk ka leje mjedisore dhe nuk është e regjistruar në zyrën e taksave të pushtetit vendor.

POR SI E MORI NEN KONTROLL KETE BIZNES KJO KOMPANI
?
Bizneset e tjera të riciklimit thonë se për këtë duhej zhvilluar një tender, bashkia duhet ta shesë atë mall dhe duhet tia shesë atij që i jep cmimin më të mirë. Por ata nuk janë informuar dhe thonë se nuk është bërë asnjë tender. Procedura ishte kjo: Bashkia ndaloi romët të mblidhnin mbeturinat dhe ato tashmë i menaxhon vetëm kjo kompani misterioze.

KU SHKOJNE MBETURINAT?

Mbetjet që janë depozituar aty janë në sasi shumë të mëdha. Madje mund të thuhet se aty përfundon tashmë pjesa më e madhe e mbeturinave që makinat e kompanive të pastrimit tërheqin natën nga rruget e kryeqytetit. Të mbetur pa lëndë të parë, bizneset e riciklimit i janë drejtuar kompanisë misterioze për tia blerë lëndën e parë. Por nuk kanë arritur dot një marrëveshje, pasi administratorët nuk kanë dalë në skenë dhe kanë refuzuar ofertat e drejtëpërdrejta. Ata kanë tentuar ta hedhin ne tregun vendas të riciklimit këtë mall përmes sekserëve të tretë. Duke ditur se ata janë tashmë padronët e mbetejeve, kanë rritur çmimin, duke e ofruar më shtrenjtë edhe se mbetjet e riciklueshme që blihen nga jashtë. Edhe pse mbetjet e riciklueshme që vijnë nga importi janë shumë të pastra, pasi ato ndahen që në burim, ndërsa këto mblidhen në landfill pasi janë përzierë më parë me mbeturina të tjera, duke u kontaminuar. Duket se ka qenë pikërisht kjo arsyeja që ka bërë të dështojnë edhe përpjekjet e kompanisë për t’i eksportuar këto mbetje. Ricikluesit jashtë vendit kanë kërkuar standarde pastërtie.

Aktualisht, mbetjet e riciklueshme që prodhon Tirana janë depozituar në këtë fushë mbeturinash. Ato as eksportohen dhe as shiten për industrinë vendase të ricklimit. Ato vetëm depozitohen duke tërhequr jo vetëm kërshërinë e banorëve por duke prodhuar edhe shqetësimin mjedisor të tyre, të cilët e denoncuan këtë fakt pranë gazetës.
Marre nga gazeta IDEA
(sg/shqiptarja.com)