TIRANE- Ulet me 70 ditë dënimi i Dritan Minxollit, ish-drejtorit të fabrikës së demontimit të municioneve në fshatin Gërdec. Vendimi për uljen e dënimit të Minxollit, është marrë dy ditë më parë nga gjyqtarja Ardiana Bera, e cila vendosi të pranojë pjesërisht kërkesën e Minxollit, për uljen e ditëve të qëndrimit në burg. Kërkesa që mban numrin 1844 është rregjistruar në sekretarinë e gjykatës në datën 25 nënëtor të këtij viti, ndërkohë që 20 ditë pas kësaj kërkese gjykata e Tiranës, ka vendosur ta pranojë atë duke ulur me 70 ditë dënimin e Dritan Minxollit.

Ky i fundit ka paraqitur si provë, sjelljen e mirë në burg dhe aktivizimin e tij në institucionin ku vuan dënimin në IEVP “Ali Demi”. I pandehuri Dritan Minxholli, është dënuar nga Gjykata e Apelit, me 5.7 vjet burg për pasojat e shpërthimit të 15 marsit 2008, në Gërdec, teksa nga hetimet e prokurorisë rezultoi se Minxolli mbante përgjegjësi për organizimin e punës në ambientet e brendshme të kësaj punishteje të vdekjes. Më 12 mars 2012, Gjykata e Shkallës së Parë e ka dënuar me 18 vjet burg ish-drejtorin e Fabrikës, Dritan Minxolli, ndërsa Apeli i uli një të tretën e këtij dënimi. Me vendimin e dy ditëve më parë të uljes me 70 ditë të dënimit, Minxollit i hapet rruga që në një periudhë të mëvonshme të kërkojë lirimin me kusht.

minxolli
(Foto:Faksimile e Gjykatës së  Shkallës së Parë Tiranë për kërkesën e Dritan Minxollit)

Pinari do lirinë
Shtatë muaj pasi Ylli Pinari, ish-drejtori i kompanisë MEICO ka përfituar uljen e dënimit me 90 ditë, një kërkesë e dytë është paraqitur prej tij në Gjykatën e Tiranës, ku kërkon lirimin me kusht. Kërkesa është depozituar në datën 13 dhjetor dhe mban numrin 1934, ndërkohë që gjyqtar është përzgjedhur Petrit Çomo. Pritet që në ditët në vijim kjo kërkesë me objekt “Lirimin me kusht” të meret në shqyrtim nga gjykata e Tiranës, ku do vëndosët nëse do pranohet ose jo. Ylli Pinari është dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykata e Apelit, me 15 vite burg. Një pjesë e këtij dënimi është kryer gjatë qëndrimit në burg dhe në masën e arrestit shtëpiak, që gjykata e Tiranës kishte caktuar për ish-drejtorin e MEICO Ylli Pinari.

pinari
(Foto:Faksimile e Gjykatës së  Shkallës së Parë Tiranë për kërkesën e Ylli Pinarit)

Tragjedia Gërdec
Ylli Pinari dhe Dritan Minxolli, janë dy nga 29 të pandehurit të tragjedisë së Gërdecit. Akuza që rëndonte mbi ta ishte “Vrasja të një ose më shumë personave” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Të gjithë të pandehurit si dhe Pinari e Minxolli nuk e kanë pranuar akuzën e prokurorisë, ku gjatë konkluzjoneve përfundimtare i kërkuan gjykatës pafajsi. Ngjarja e rëndë shkaktoi 26 viktima dhe rreth 300 persona të plagosur, ku disa prej tyre sot e kësaj dite vuajnë pasojate shpërtimit të 15 marsit në fshatin Gërdec.

Shkrimi u publikua sot (18.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)