Duhej të vinte sot në grumbullimin me Kombëtaren, por sipas të gjitha gjasave Ivan Balliu nuk do të jetë për ndeshjet e Ligës së Kombeve me kuqezinjtë. FSHF bën me dije se mbrojtësi nuk është paraqitur në Tiranë, pasi ka pësuar një dëmtim në kyçin e këmbës gjatë ndeshjes së fundit të zhvilluar me klubin e tij, Rayo Vallecano, në transfertë ndaj Osasunës.

Balliu i është nënshtruar rezonancës magnetike, e cila ka evidentuar një dëmtim në kyçin e këmbës dhe ka nisur programin e rehabilitimit pranë klubit të tij. Stafi mjekësor i Kombëtares shqiptare është në komunikim të vazhdueshëm me stafin mjekësor të Rayo Vallecanos për të ndjekur nga afër gjendjen e lojtarit dhe ecurinë e rikuperimit të tij. Nëse situata do të përmirësohet në ditët në vijim, Balliu do të bashkohet me grupin e lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Maran për ndeshjet e radhës të Kombëtares.

Pas kualifikuesve për Botërorin Balliu nuk u grumbullua për ndeshjet miqësore të qershorit, pasi po mendonte dorëheqjen. Megjithatë për shkak të alternativave të pakta trajneri Maran e ftoi në Kombëtare dhe ai pranoi.

Për shkak të dëmtimeve është njoftuar se Kombëtarja ka humbur edhe dy futbollistë të tjerë. Qazim Laçi i dëmtuar është zëvendësuar me Feta Fetain, ndërsa Adrion Pajaziti me mesfushorin e Dinamos Klevi Qafalia.

Kjo është dita e dytë e përgatitjeve që kombëtarja po bën për sezonin e ri kualifikues të Ligës së Kombeve, që për kuqezinjtë nis të shtunën me përballjen kundër Bjellorusisë.