TIRANË - Më në fund, pas denoncimeve nga shtypi dhe opozita, të cilët për më shumë se një vit akuzuan shërbimin e fshehtë ushtarak të Arbën Imamit, Policinë Ushtarake dhe shërbimin e brendshëm të Policisë së Shtetit SHKB se përgjonin në mënyrë të paligjshme politikanë, diplomatë, gazetarë, madje edhe biznesmenë, tani nisi verifikimi i brendshëm. Në ministrinë e Mbrojtjes dhe në atë të Brendshme po përgatiten që të kryejnë një kalim në skaner të të gjitha veprimeve të kryera nga SHIU, Policia Ushtarake dhe SHKB-ja vitet e fundit. Objektivi është verifikimi i asaj në se janë bërë veprime të paligjshme, duke nisur nga përgjimet.

Në Shqipëri ka dy lloj përgjimesh. Janë ato të ligjshme, të urdhëruara nga Prokuroria dhe të kryera nëpërmjet aparateve mjaft të mëdhenj që ndodhen në selinë e SHISH-it dhe ato (ndoshta) të paligjshme, të kryera nëpërmjet valixheve të lëvizshme. Ato të kryera nga aparatet e mëdhenj të SHISH-it iu nënshtrohen shumë kontrolleve dhe me vështirësi mund të përdoren për qëllime të paligjshme. Përdorimi i valixheve, të blera dt vitet e fundit, është i ndryshëm.

Duke qenë se janë të vogla dhe të lëvizshme, ato bëjnë të mundur përgjimin e dhjetëra numrave telefonikë në një zonë të caktuar dhe mund t’u shmangen kontrolleve nga prokuroria dhe kështu mund të përdoreshin ( siç është dyshuar prej kohësh) për të spiunuar kundërshtarët politikë të qeverisë Berisha ose për të favorizuar biznesmenë duke spiunuar celularët dhe sms-të e konkurrentëve të tyre,

Ky lloj spiunazhi i paligjshëm dyshohet se duhet të jetë kryer nga SHIU, i cili komandohej nga Ylli Zyla deri në momentin kur Shqiptarja.com zbuloi dhe denoncoi faktin që bashkëshortja e tij tregtonte armë, si dhe nga Policia Ushtarake, që u vu sërish nën komandën e Ylli Zylës pas largimit të tij nga SHIU. Po kështu, edhe nga SHKB e ministrisë së Brendshme, në dispozicion të Agron Kuliçajt, ish-bodigard i Sali Berishës.

Para pak ditësh, Zyla u shkarkua nga posti në krye të Policisë Ushtarake dhe Kuliçaj u largua nga Drejtoria e Policisë, por për më tepër ministritë e Mbrojtjes dhe e Brendshme janë nën kontrollin e qeverisë socialiste. Kështu që ka ardhur koha të hapen dosjet dhe të verifikohet historia e valixhes dhe asaj se përse është përdorur ajo. “Në rast se përgjimet kanë qenë krejtësisht të paligjshme, mudn edhe të mos gjendet asnjë gjurmë – shpjegon një funksionar i ministrisë së Mbrojtjes – por ka edhe mundësi që paraardhësit tanë, të sigurt për paprekshmërinë e tyre, të kenë harruar të fshijnë të gjitha provat”.

Gjatë kontrollit që synon të zbulojë deri në fund historinë e valixhes së përdorur për të përgjuar, do të ishte e lehtë të gjeje se kush i përdori, çfarë procedurash janë përdorur për t’i përdorur, deri tek prania e mundshme e transkriptimeve të përgjimeve të kryera, apo listave të numrave të telefonave të përgjuar. Pra, duket se ka ardhur momenti që historia e kësaj faqeje të zezë e qeverisë Berisha-Imami të zbardhet përfundimisht.      
 
Shkrimi u publikua sot (28.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)