Skanimi në dogana, pakt me 
 “Rapiscan” për ulje çmimi

Skanimi në dogana, pakt me <br /> “Rapiscan” për ulje çmimi
TIRANE- Ministria e Financës ka gjetur gjuhën e përbashkët me kompaninë “Rapiscan System”, për uljen e tarifave që do përdoren për shërbimin e skanimit të kontejnerëve në doganat shqiptare. Në këtë mënyrë Ministria shmangu arbitrazhin ndërkombëtar me këtë kompani, i cili do t’i kishte shkaktuar shtetit shqiptar një humbje prej 360 milionë dollarësh.

Ministria ka paraqitur në Komisionet Parlamentare projektligjin që parashikon ndryshimin e termave të kontratës me “Rapiscan”, e cila është kundërshtuar ashpër nga opozita aktuale, e cila akuzon për një aferë korruptive ku është përfshirë edhe bashkëshortja e kryeministrit britanik Toni Bler. Ja 8 pyetjet që shpjegojnë përse u kërkua anulimi i koncesionin dhe përse u arrit vetëm modifikimi i kësaj kontrate.
 
Si u dha me koncesion shërbimi i skanimit të kontejnerëve?
Marrëveshja koncesionare me shoqëritë “S2 ALBANIA”,SH.P.K.,dhe “RAPISCAN SYSTEMS” INC, është nënshkruar nga ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, në vitin 2013 dhe ishte parashikuar të zgjaste 15 vjet. Me monopolin e skanimit që iu dha nga qeveria Berisha kompania do të arkëtonte 39 euro për çdo deklaratë doganore në Republikën e Shqipërisë si në import ashtu dhe eksport. E thënë në mënyrë më të përmbledhur, i gjithë biznesi do të duhej të paguante plot 25 deri në 30 milionë euro në vit për 15 vitet e ardhshme. Ish Ministri i Financave Bode argumentoi në atë kohë se koncesionet e këtij lloji janë e vetmja mënyre për te minimizuar evazionin.
 
Kur dhe si u nënshkrua marrëveshja?
Sipas një vendim i Këshillit të Ministrave të Berishës me nr 755, i datës 2.11.2011 i kishte dhënë edhe një “bonus” prej 8 pikësh “Rapiscan”-it dhe i kishte ngarkuar të shërbente në Shqipëri për skanimin e kontejnerëve dhe të automjeteve të tjera në këtë vend. Procedura e përzgjedhjes ka qenë ajo “klasike”: propozim i pakërkuar, sipas nenit 5, pika 3 dhe nenit 23, pika tre, shkronja b) e Ligjit “Për koncensionet”.

Pas VKM të miratuar në nëntor 2011, qeveria “Berisha” nuk nxitohet të miratojë ligjin nr 123/2013 “Për miratimin e kontratës së koncensionit ndërmjet Ministrisë së Financave si autoritet kontraktues dhe shoqërisë “Rapiscan”, si konçensionar, për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit”. Ligji është miratuar në 24 Prill 2013 dhe është miratuar nga Presidenti Bujar Nishani, në 2 Maj 2013. Kjo është mënyra se si kompania “Rapiscan” ndodhet në Shqipëri, e kërkuar për të skanuar mallrat në doganat e vendit.
 
Përse u kundërshtua nga biznesi dhe opozita e atëhershme?
Biznesi e kundërshtoi menjëherë fort koncesionin e skanimit të kontenierëve, e cila jo vetëm do të rriste kostot për kompanitë, por do të reflektohej edhe në rritjen e çmimeve të produkteve për konsumatorin shqiptar. Ndërkaq, që në atë kohë, për opozitën, e cila sot është mazhoranca në pushtet, ishte e dyshimtë procedura e konkurrimit dhe e miratimit të ligjit për veprimtarinë e kësaj kompanie, kështu që ishte paralajmëruar se ajo kontratë do të anulohej, sapo të fitoheshin zgjedhjet.
 
Përse koncesioni u mor në shqyrtim nga Autoriteti i Konkurrencës?
Në vitin 2014, Autoriteti i Konkurrencës hetoi kontratën e koncesionit për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifën e shërbimit të skanimit. Sipas autoritetit kontrata e koncesionit binte në kundërshtim me nenin 33 të MSA-së, një marrëveshje ndërkombëtare që prevalon mbi ligjet dhe aktet e tjera nënligjore shqiptare.

Autoriteti i Konkurrencës theksoi se procedura për dhënien e koncensionit nuk ka respektuar detyrimin ligjor për mbrojtjen e konkurrencës dhe nuk është zbatuar detyrimi ligjor për të marrë vlerësimin e Autoritetit për çdo projekt-akt që vendos të drejta ekskluzive dhe/ose të drejta të veçanta, në zona të caktuara, për ndërmarrje ose për produkte të caktuara.

Procedura e dhënies së koncensionit ka qenë një propozim i pakërkuar dhe jo një procedurë e hapur tenderuese që do t’i vendoste të gjithë ofertuesit e mundshëm në pozita të njëjta konkurrence. Vendosja e skanerëve në vetëm 5 pika nga të cilat tre fikse dhe dy të lëvizshme (në varësi të shtimit të fluksit të zhdoganimeve) nuk mbulon të gjitha pikat doganore për të justifikuar plotësisht qëllimin për të cilin është dhënë kondensoni.
 
Çfarë rekomandoi Autoriteti i Konkurrencës?
Autoriteti i Konkurrencës vendosi t’i rekomandojë Ministrisë së Financave dhe Këshillit të Ministrave, rishikimin e kontratës koncensionare. Sipas autoritetit, institucionet publike duhet të respektojnë parashikimet e Ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” për të kërkuar paraprakisht vlerësimin ligjor të Autoritetit të Konkurrencës në dhënien e miratimin e akteve që kanë si objekt ose pasojë dhënien e të drejtave ekskluzive ose kufizime sasiore në tregje ose sektorë të ndryshëm të ekonomisë. “Ministria e Financave duke marrë parasysh specifikat e shërbimit doganor për të luftuar kontrabandën dhe evazionin fiskal mund të kontraktojë koncensionarin vetëm për blerjen e pajisjeve dhe shërbimin ta kryejnë organet doganore”, theksoi Autoriteti.
 
Përse dështoi anulimi i kontratës nga Qeveria Rama?
Siç kishte paralajmëruar, Qeveria Rama e anuloi kontratën koncesionare në vitin 2014. Por, pas anulimit të koncesionit, Rapiscan Systems iu drejtua arbitrazhit ndërkombëtar në gusht 2014, duke kërkuar 360 milionë dollarë dëmshpërblim nga Shqipëria. Çështja i kaloi Avokaturës së Shtetit, ndërsa qeveria shqiptare kontraktoi firmën ligjore të bashkëshortes së Tony Blair, Omnia Strategy për të fituar çështjen në arbitrazh. Me një vendim të datës 11 mars 2015, qeveria i pagoi 495 mijë euro zyrës së Cherie Blair për këtë shërbim. Por tre muaj më vonë dhe nën këshillimin ligjor të zonjës Blair, qeveria shqiptare vendosi të heqë dorë nga arbitrazhi dhe të zgjidhë me marrëveshje konfliktin me kompaninë Rapiscan.
 
Çfarë parashikon marrëveshja e Qeverisë me “RAPISCAN SYSTEMS”?
Në marrëveshjen e re me Kompaninë “RAPISCAN SYSTEMS”, Ministria e financave ka rënë dakord për ulje të çmimit të skanimit të kontejnerëve nga ana e kompanisë. Tarifa që bizneset do të paguajnë për skanimin e kontejnerëve në dogana nuk do të jetë 39 euro për deklaratë, por do të ulet. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani prezantoi të martën marrëveshjen e arritur me mirëkuptim me kompaninë që ka me koncension shërbimin e skanimit të kontejnerëve në dogana “Rapiscan System”, e cila, tha ai, bën të mundur uljen e tarifave dhe kostove për sipërmarrjen.

Sipas ministrit Cani, skema e re e pagesës do të jetë me tarifa të përshkallëzuar në dy blloqe. Më konkretisht, për deklaratat doganore me vlerë mbi 1 mijë euro, biznesi do të paguajë 22 euro për shërbimin e skanimit, ndërsa për deklaratat nën këtë vlerë, pagesa do të jetë 5 euro.
 
Hije korrupsioni?
Por gjatë diskutimit të djeshëm të koncesionit të skanimit, kreu i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë Erion Braçe zbuloi se, në të është përfshirë edhe një kompani tjetër, përveç “Rapiscan”. Rapiscan dhe kompania ICMS kanë lidhur një marrëveshje ku transferohen 49 për qind e aksioneve. Në datën 16 shtator 2013, një ditë përpara se të dilej nga zyra (një ditë para dorëzimit të detyrës nga Qeveria Berisha), tha Braçe. Por, sipas tij, elementi që shton edhe më shumë dyshimet është çmimi, me të cilin kompania ICMS bleu 49 për qind të aksioneve në kontratën monopol.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 8 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)    

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria skualifikohet nga Euro 2024, a ju pëlqeu loja e Kombëtares



×

Lajmi i fundit

Operacion në zhvillim e sipër, SPAK 20 masa sigurie në lidhje me inceneratorin e Tiranës! Masa për kompanitë guackë, dyshohet edhe për 2 të lidhur me median

Operacion në zhvillim e sipër, SPAK 20 masa sigurie në lidhje me inceneratorin e Tiranës! Masa për kompanitë guackë, dyshohet edhe për 2 të lidhur me median