SPAK goditi një grup të strukturuar kriminal të trafikut të kokainës, paratë e të cilave silleshin në Shqipëri për t’u investuar në pasuri të paluajtshme. Kush janë 20 personat me masë sigurie, nga kryesorët e trafikut të grupit vëllezërit Koçeku, deri te biznesmenët e lidhur për pastrimin e parave të tyre të krimit.
***
Luçiano Koçeku ose Tur Koçeku, rezulton të jetë pronar 100% i shoqërisë “G.A.V Invest” që merret me shitblerjen e materialeve të ndërtimit, në ndërtimin e godinave të ndryshme, si dhe te shërbimit, bar, restorant, hoteleri, rrugë, e më gjerë. Ai rezulton me 10% aksione në “Ballenja Company”, koncesion për 35 vjet për hidrocentralin “Ballenjë” në Bulqizë. Po ashtu ka edhe 30% të aksioneve në kompaninë “S G D Energji” po në Bulqizë. Prej vitesh, bashkë me të vëllanë, Abedin Koçeku ose Dino Koçeku, dyshohet se aktivitetin kriminal e vijojnë prej Dubait.
Në gusht 2024, një sherr masiv shpërtheu në një lokal në Palasë ku këndonte këngëtari grek, Konstandinos Argiros, në të cilin mbeti i plagosur vetë Luçiano Koçeku, me dëme të rënda në kokë, nisur për një “të parë shtrembër”. Në janar 2025, në një berberhane në Tiranë u dhunua Adriatik Roshi, dhe pas hetimit rezultoi se të gjithë ishin njerëz të lidhur dhe familjarë të tij. Masë sigurie nga SPAK ka edhe për vëllain e tyre të tretë, Ervin Koçeku.
Drejtuesi tjetër i grupit kriminal, Alfredo Hamzai, rezulton të jetë i dënuar me 9 vjet burg në Belgjikë. Përveçse në Shqipëri, paratë i ka investuar edhe në Belgjikë në pasuri të paluajtshme. Bashkë me një kushëririn e tij, në një makinë me dhe dy burra të tjerë, janë përgjuar gjatë diskutimit për trafik kokainë.
Biznesmeni Orest Sota rezulton i arrestuar më 1 nëntor 2017, pasi u kap duke lëvizur me makinë me 863 mijë euro, çështje e cila u pushua nga autoritetet. Në prill të këtij viti, Sota u paraqit në SPAK ku qëndroi për 5 orë duke dhënë shpjegime për hetimet që po zhvillohen në kundër të AKSHI-t. Për këtë çështje është në kërkim Ergys Agasi, me të cilin Sota njihet për lidhjet e miqësisë. Biznesmeni rezulton edhe ish-ortak te “Equos Resort”, pronë e Agasit. Në SPAK, Sota mendohet se është pyetur edhe për lidhjen me Agasin.
Ilir Shtufi ushtron zyrtarisht aktivitetin e tij të biznesit në fushën e ndërtimit, por jo vetëm. Shtufi njihet për lidhjet me Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha. Shtufi është ndërtues i disa kullave në Tiranë, mes tyre atë që do të quhet “Mali i Tiranës”, e cila pritet të jetë 65 kate, 7 prej të cilave nën tokë, 185 m e lartë. Ilir Shtufi ka 91% të aksioneve së kompanisë “Nova Construction 2012”. Shtufi është i përfolur edhe në dosjen “Balluku”, objekt kontrollesh nga SPAK në kuadër të hetimeve për ish-zv.kryeministren. Kompania e tij, “Nova Construction”, është një nga 3 operatorët që fitoi tenderin e Lotit 4 të Unazës së Madhe në Tiranë, edhe kjo procedurë që po hetohet nga SPAK.
Artur Shehu është një nga pronarët e tokës në Zvërnec, ku është planifikuar ndërtimi i një resorti luksoz, projekt për të cilin prej gati 2 javësh protestohet nga shoqëria civile. Shehu është po ashtu në hetim nga SPAK edhe për pronësinë në Zvërnec. Ndodhet prej më shumë se 20 vitesh në SHBA me azil politik. Emri i tij është shfaqur vazhdimisht në investigime vendase dhe ndërkombëtare për çështjet e pronave në zonën e Vlorës, Nartës dhe Zvërnecit. Një tjetër emër i afërt me Shehun, Leonard Bishaj, rezulton të ketë qenë subjekt i kontrolleve në hetimin për Zvërnecin. Bishaj deri në vitin 2023 ka pasur prokurë për përfaqësimin e Shehut në marrëdhënie tregtare.
Orgest Birçaj, zotëron një nga kompanitë më të rëndësishme luksoze të makinave në Tiranë, “Top Seven”, e cila dyshohet se është e tij, por në pronësi të një gruaje.
Erjon dhe Adrian Rama rezultojnë të jenë nipërit e Fatmir Ramës, i njohur ndryshe si Mirit të Xhikes, i vrarë në vitin 2003 në biznesin e tij “Kartodrom 2000”.
Biznesmeni Edmond Jaupi është i radhës në “arrest shtëpie”. Jaupi ushtron aktivitet si CEO i kompanisë “Daikin/ESC”, e cila operon në fushën e sistemeve të kondicionimit. Ai është vëllai i Elidiana Çelajt, drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve.
Ardian Zykaj rezulton pronar me10 biznese të regjistruara në QKB, nga “Alb Solution Jug”, “Alb Pastrim” apo lokal “Capri” në Tiranë.
Elton Memeti, lidhje e ngushtë e Artur Shehut dhe Adrian Ramës.
Komente






