SKEDA/ Nisi si ‘Pazar’, u mbyll si ‘Pazar’! Komisioni i Reformës Zgjedhore më jetëgjati, por pa produkt! 2 vite vetëm 11 mbledhje

TIRANE-  Ishte 10 shkurti i vitit 2022 kur Lulzim Basha deklaroi se do të votonte zgjatjen e afatit të organeve të Vettingut, duke marrë në këmbim ngritjen e 2 komisioneve, një prej të cilëve Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore, me të cilin Partia Demokratike e dalë humbëse nga zgjedhjet e fundit parlamentare synonte të garantonte një herë e mirë sipas saj rregulla të barabarta në garën elektorale.

Prej këtij momenti, nisi një rrugë e gjatë, por pa fryt e një komisioni, më jetëgjati në parlament, por që nuk prodhoi asnjë produkt: nuk adresoi rekomandimet e OSBE/ODIHR, as vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por as kërkesat që Partia Demokratike, nga të gjitha palët e saj, i kishte kauza të forta politike përgjatë 2 viteve.

Se ishte i destinuar të dështonte, ky Komision sinjalet i dha që në fillim të rrugës së tij 2 vjeçare. Pavarësisht se Lulzim Basha mori dakordësinë në shkurt të vitit 2022 për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, përbërja e komisionit u mësua vetëm në Qershor të 2022, kur në fund të një seancë të gjatë me 10 orë diskutime, u votua.

Përballë Damian Gjiknurit të PS, Lulzim Basha i kishte besuar bashkëkryetarin e opozitës Enkelejd Alibeajt, ndërsa një vend të vetëm i kishte lënë në këtë komision grupit të Rithemelimit, me emrin e Oerd Bylybashit.

Mbledhja e parë e Komisionit të Reformës Zgjedhore u bë vetëm një javë më pas, ku as përfaqësuesi i Rithemelimit, nuk mungoi.

Kjo mbledhje u pasua nga disa të tjera me diskutime të përgjithshme, deri në dhjetor të 2022, kur papritur reforma ngeci.

E vetmja gjë që e mbajti në jetë reformën, ishte zgjatja me disa herë e afatit të tij në Kuvend.

Përgjatë kësaj kohe, demokratët u përqendruan te beteja e brendshme dhe as socialistët se shprehën kurrë shqetësimin se Reforma kishte ngecur, deri në tetor të vitit 2023 kur Gazment Bardhi, tashmë i larguar nga Lulzim Basha dhe i rreshtuar krah deputetëve të Rithemelimit me pjesën më të madhe të grupit parlamentar nga pas kërkoi zëvendësimin e Enkelejd Alibeajt me Oerd Bylykbashin.

Kërkesa e tij nuk u pranua asnjëherë, por përballë presionit të kohës, Komisioni u vu në lëvizje dhe në janar rinisi punën. 

Rithemelimi dhe Gazment Bardhi, në aksion për të mos lejuar zhvillimin normal të parlamentit, nuk lejuan asnjë nga mbledhjet të zhvilloheshin në sallë.

Për gati një muaj, Gjiknuri dhe Alibeaj zhvilluan disa dëgjesa online, por pa arritur të finalizojnë një produkt, me të vetmet propozime, të draftuara në formë projekt-ligji që PD i kishte të panegociuara, listat e hapura, votën e diasporës, votim e numërim elektronik në të gjithë vendin si dhe Shqipërinë një zonë zgjedhore.

Përse Komisioni dështoi, të gjitha palët kanë vetëm një përgjigje, akuzën për pazar.

Në ditën e fundit të ekzistencës së këtij komisioni, akuza të ashpra hodhën në drejtim të njëra tjetrës në foltoren e Kuvendit, të enjten në seancën e parë të normalitetit.

Basha-Alibeaj e shohin dështimin te flirti i ri, që PS ka nisur me Rithemelimin.

Tashmë e vetmja mundësi për rishikimin e Kodit Zgjedhor është mekanizmi i ngritur nga PS-Rithemelimi në Komisionin e Ligjeve, ku Lulzim Basha vendin e tij bosh e ka refuzuar

Mbledhjet e Komisionit të Reformës Zgjedhore 
17 qershor 2022 
6 shtator 2022
3 tetor 2022
31 tetor 2022
16 dhjetor 2022
26 janar 2024 
9 shkurt 2024 
14 shkurt 2024 
20 shkurt 2024 
27 shkurt 2024 
29 shkurt 2024
7 mars 2024, për të njoftuar mbërritjen e ekspertëve të OSBE/ODIHR

S.G/E.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në Brazil/ Shembet ura, 2 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur

Tragjedi në Brazil/ Shembet ura, 2 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur