SKEDA/ Si do të bëhet votimi nga jashtë? Pyetje- Përgjigje: Çfarë parashikon drafti i dakordësuar PS- PD

SKEDA/ Si do të bëhet votimi nga jashtë? Pyetje- Përgjigje: Çfarë parashikon drafti i dakordësuar PS- PD

PS e drejtuar nga Edi Rama kryeministër dhe PD e drejtuar nga Sali Berisha kanë arritur një konsensus për ndryshimet e Kodit Zgjedhor, duke i hapur rrugë votimit të diasporës, por edhe hapjes së një pjesë të listës së deputetëve. Drafti i përbashkët kaloi dje (24 korrik) në Komisionin e Ligjeve, ku nuk munguan debatet dhe pritet të hidhet për votim në seancën e nesërme parlamentare.

Por si është dakordësuar për votimin e diasporës. Shqiptarja.com sjell përgjigjet e disa pyetjeve që lindin natyrshëm në këtë proces që do të aplikohet për herë të parë në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në 2025.
Kush ka të drejtën e votës jashtë?
Të drejtën e votës nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë e ka çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote që për arsye banimi, punësimi, studimi, kryerje të detyrave ushtarake apo arsye shëndetësore ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në datën e zgjedhjeve.

Kush e realizon regjistrimin e zgjedhësve që votojnë jashtë?
E realizon KQZ e cila përcakton me akte normative afatet kohore për listën e zgjedhësve dhe votimin e zgjedhësve me vendbanim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, sipas të njëjtave kritere dhe procedura që zbatohen për zgjedhjet e zakonshme.

Procesi i hartimit të listës re zgjedhësve fillon 120 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 60 ditë para kësaj date. Hapja e procesit të hartimit të listës së zgjedhësve njoftohet publikisht nga KQZ.

Çfarë duhet të bëj unë si votues nga jashtë që të kem të drejtën e votës?
KQZ do të krijojë një platformë elektronike për regjistrimin e kërkesave të zgjedhësve që dëshirojnë të votojnë nga jashtë. Platforma elektronike do të mirëmbahet dhe përditësohet po nga KQZ.

Në momentin kur KQZ hap procesin e regjistrimit, zgjedhësi aplikon në mënyrë individuale për regjistrimin në listën e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Lista është e vetme në nivel zone zgjedhore dhe përmban listën e shtetasve shqiptare që kanë shprehur vullnetin të votojnë nga jashtë vendit dhe që janë të rregjistruar në Rregjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile në territorin e zonës zgjedhore përkatëse.

Cfarë dokumentesh duhet të kem për tu regjistruar?
Zgjedhësi për rregjistrim në listë paraqet dokumentacion që vërteton qëndrimin e tij jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Ndërkohë lista e detajuar e dokumentacionit që kërkohet për rregjistrimin e zgjedhësve që votojnë jashtë përcaktohet me vendim të KQZ.

Zgjedhësi do të paraqesë me dokument në KQZ adresën ku banon. KQZ do bëjë verifikimin në Regjistin kombëtar të Gjëndjes Civile. Nëse ato janë të njëjta regjistrimi i adresës të shtetasit që voton jashtë territorit bëhet në një rubrikë të vecantë në këtë regjistër.

Ku del emri im?  
63 ditë përpara datës së zgjedhjeve KQZ publikon listën paraprake të zgjedhësve që votojnë jashtë territorit shqiptar. Votuesi mund të verifikojë emrin dhe brenda 48 orëve nga publikimi i saj mund të kërkojnë rregjitrimin apo rregullimin e pasaktësive të rregjistrimit të tyre.

60 ditë para datës së zgjedhjeve, lista zyrtare përfundimtare e zgjedhësve që votojnë jashtë publikohet në faqen zyrtare të internetit në KQZ. Kjo listë më pas nuk ndryshon për asnjë rrethanë dhe asnjë shkak.

Cfarë duhet të bëj kur emri im ka pasaktësi në listë?
Kur zgjedhësi vëren se nuk i është regjistruar emri apo ka pasaktësi ka të drejtë të paraqesë kërkesë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë deri 7 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Kërkesa, sipas kësaj pike, përjashtohet nga taksat gjyqësore. Gjykata e shqyrton dhe vendos brenda 24 orëve nga data e rregjistrimit të kërkesës, por jo më vonë se 5 ditë para datës së zgjedhjeve. Emri dhe të dhënat e tjera të zgjedhësit që i shtohet listës së zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë i bashkëngjitet vendimi i gjykatës.

A do të jetë emri im në të dy lista?
Emri që regjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit ç’rregjistrohen nga lista e zgjedhësve brenda vendit

Kush do përgatisë procesin e votimit jashtë?
KQZ-ja drejton, mbikëqyr dhe është përgjegjëse për procesin për përgatitjen e kushteve dhe zbatimin e masave që mundësojnë votimin nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për zgjedhjet për Kuvendin.

Kush e organizon procesin e votimit jashtë?
KQZ organizon dhe administron procesin në të gjitha komponentët e tij, pasi Rregullatori të ketë miratuar të gjitha aktet nënligjore që kërkohen për votimin nga jashtë vendit, sipas këtij Kodi. Çdo organ shtetëror shqiptar dhe çdo ent tjetër shtetëror ose privat që përfshihet në këtë proces janë të detyruar të zbatojnë rregullat e përcaktuara në këtë Kod dhe në aktet nënligjore që miraton KQZ-ja në zbatim të tij.

Për zgjedhjet e 2025 KQZ duhet të marrë vendim me të paktën 4 vota pro,  për përfshirjen për herë të parë të votimit nga jashtë vendit në procedurat e zakonshme të votimit. Ndërsa në zgjedhjet vijuese, votimi nga jashtë vendit bëhet automatikisht pjesë përbërëse e procedurave të votimit.

Si do ta marr unë fletën e votimit?
Fleta e votimit do të mbërrijë në banesën tuaj me postë. KQZ dërgon nëpërmjet postës fletët e votimit dhe çdo material tjetër zgjedhor dhe informativ në adresën e deklaruar të vendbanimit të zgjedhësit sipas listës së zgjedhësve për votimin nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.  Fleta e votimit është e njëjtë me fletën e votimit që përdoret brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

A duhet të paguaj?
Fletët e votimit të plotësuara dhe të sekretuara dërgohen në adresën zyrtare të KQZ, nëpërmjet shërbimit postar me shpenzimet e zgjedhësit. Në rast se KQZ përzgjedh ofrues ndërkombëtarë të shërbimit postar me jashtë vendit ky ofrues duhet të ketë eksperiencë dhe reputacion të mirë në shërbimin e postës së shpejtë, dhe zgjedhja e tij realizohet nëpërmjet procedurave më afatshkrurtra që mundëson legjisalcioni për prokurimin publik.

Kur çelet votimi dhe kur mbyllet?
Votimi nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë quhet i çelur nga dita që KQZ-ja nis procedurat për dërgimin e dokumentacionit të votimit dhe dokumentacionit udhëzues në adresë të zgjedhësve nga jashtë vendit.
Votimi nga jashtë vendit mbyllet në ditën e votimit, në orën e caktuar nga ky ligj për mbylljen e votimit në qendrat e votimit. Me mbylljen e votimit nga jashtë vendit, KQZ-ja nuk mund të pranojë dhe përfshijë në numërim asnjë fletë votimi të mbërritur pas këtij orari, me përjashtim të zarfeve me fletë votimi të cilët kanë vulën e hyrjes ose çdo shënim tjetër për këtë gjë në territorin e Republikës së Shqipërisë deri në orën 12.00 të datë së zgjedhjeve. 

Si do të numërohet fleta ime e votimit?
Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe të administruara numërohen në ambientet e KQZ. Në momentin e mbërritjes në KQZ rregjistrohen ne një rregjistër të posaçëm dhe ndahen sipas zonës zgjedhore të vendbanimit më të fundit të zgjedhësit para largimit nga Shqipëria.

Procesi i numërimit të tyre fillon në të njëtin moment që fillon numerimi i kutisë së parë me fletë votimi të zonës zgjedhore përkatëse dhe vlerësimi i tyre kryhet nga administrata e KQZ-së dhe tabelohen në tabelën e rezultateve të zonës zgjedhore përkatëse.

Ndryshimet në kodin zgjedhor/ Varianti i PS-së, varianti i PD -së dhe varianti i dakordësuar

Drafti përfundimtar i dakordësuar mes PS e PD-së për ndryshimet në Kodin Zgjedhor

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

1/3 e listës e mbyllur, Kristaq Kume në Report Tv: Pazar që drejtuesit e partive të mos humbasin fuqinë

1/3 e listës e mbyllur, Kristaq Kume në Report Tv: Pazar që drejtuesit e partive të mos humbasin fuqinë