SKEDA/ Vrasja e Amarildo Hoxhallarit dhe lidhja e tij me kushëririn Aurel Hoxhallari, 'kapon' e grupit të Yzberishtit! Nga atentati ndaj Serjanit, tek ekzekutimi i Devi Kasmit

SKEDA/ Vrasja e Amarildo Hoxhallarit dhe lidhja e tij me kushëririn Aurel Hoxhallari, 'kapon' e grupit të Yzberishtit! Nga atentati ndaj Serjanit, tek ekzekutimi i Devi Kasmit

Arrestimi i kushërinjve Hoxhallari më 2015, banesa bazë armatimesh, Devi Kasmi, Pajtim Serani dhe killeri grek Efthimiu

Emri i viktimës Amarildo Hoxhallari, 34 vjeç, që u vra me thikë mbrëmjen e djeshme në “Astir” të Tiranës, pasi u godit katër herë me thikë gjatë sherrit për ngacmimin e të dashurës së autorit të dyshuar Darmend Keli, 25 vjeç, ka nxjerrë edhe një seri ngjarjesh të mëparshme në pah, duke nisur që nga viti 2015, pra gati një dekadë.

I riu nuk ishte i panjohur për Policinë e Shtetit dhe autoritetet e drejtësisë, pasi ishte skeduar penalisht të paktën për një rast, të organizimit dhe financimit të atentatit ndaj Pajtim Serjanit, në muajin Janar 2015, pranë “Rrugës së Kavajës”, duke paguar një killer, i cili në fund mbeti i vrarë nga një agjent policie që nuk ishte në shërbim në ato momente, por ndodhej në vendngjarje.

Amarildo Hoxhallari u arrestua atë kohë me kushëririn e tij, Aurel Hoxhallari, 41 vjeç, ky i fundit i skeduar në atë kohë me dyshime të arsyeshme si kreu i një grupi të organizuar shpërndarësish të lëndëve narkotike dhe posedimi të armëve në trekëndëshin Yzberisht-Kashar-Astir.

Edhe pse kishte pasur episode sporadike të aksioneve dhe procedimeve të të dyshuarve, ata do dilnin në skenë vetëm në atentatin e Serjanit, ky i fundit i njohur për miqësinë me Emiljano Shullazin, që ndodhet prej gati një dekade në qeli për krim të organizuar.

Lidhja mes dy kushërinjve Hoxhallari

Ndaj dy kushërinjve nuk u gjetën prova, teksa u arrestuan më 10 Janar 2015 dhe Gjykata i liroi më pas me masë të zbutur sigurie për mungesë provash dhe më tej çështja u pushua për këtë rast. Por teksa u zhvendos në Greqi, Aurel Hoxhallari duket se e ka vijuar aktivitetin kriminal nga vendi fqinj, teksa edhe sot e kësaj dite ndodhet në arrati.

Momenti i arrestimit të kushërinjve Hoxhallari, më 2015

Kurse emri i kushëririt të tij, Amarildos, u rikthye në një skenë ngjarjeje vetëm dje, kur mbeti viktimë e një sulmi të përgjakshëm. Edhe pse Policia herë pas here kishte dyshime ndaj tij, nuk mundi të gjente asnjë rast që nga 2015 dhe më pas që ta skedonte me prova.

Aurel (Altin) Hoxhallari do rikthehej bujshëm si organizator dhe financues i ekzekutimit mafioz më 29 Janar 2018 në rrugën e spitaleve, “Kongresi i Manastirit”, teksa me grupin e tij dhe killerin grek Efthimios Efthimiu, ish-polic special në vendin fqinj, eliminuan Devi (Dëfrim) Kasmi, 40 vjeç, nën motive të dukshme të një lufte të egër dhe të përgjakshme mes karteleve shqipfolëse, në aksin Spanjë-Francë-Shqipëri-Greqi.

Prokuroria e Posaçme dhe Policia e kanë si autorin e organizimit, tashmë i dënuar edhe me burgim të përjetshëm së bashku me grekun nga GJKKO, prej vitit të kaluar. Urdhri për vrasjen e Kasmit besohet se u dha nga burgu grek. I dyshuar ka qenë edhe Domart Konjari, i arrestuar dhe liruar disa herë, i kërkuar në Francë gjithashtu për aktivitete kriminale. Por për përfshirjen e Konjarit nuk u gjetën prova në atentatin ndaj Kasmit.

Ky i fundit sapo ishte kthyer nga Spanja dhe në banesë iu gjetën 3 kg kokainë e pastër, një automatik “Scorpions” dhe 120 mijë euro cash, përveç sendeve personale. Killeri grek e kishte ruajtur pasi kishte identifikuar shënjestrën me fotografi, duke e ndjekur në palestër, kurse miku i viktimës, Mario Meshini, që menaxhonte palestrën, u dyshua si personi që e nxori nga banesa në momentin e vrasjes.

Efthimiu lëvizte me një motor, teksa pas atentatit me zbrazjen e karikatorit të pistoletës poshtë pallatit të Kasmit, u largua me një furgon të bashkëpunëtorëve dhe u arrestua vetëm 5 më pas, bashkë me të tjerët. Por jo organizatori Aurel Hoxhallari, që ndodhet ende në arrati. Këtij të fundit, më 2018 iu zbulua vila-depo armësh në Kashar, me armatime të sofistikuara të fjalës së fundit, kurse më 2023 GJKKO i sekuestroi edhe 8 pasuri, pas një procedimi të OFL dhe SPAK, që nisi nga 2020.

Arrestimi i Amarildo Hoxhallarit më 2015 me Aurelin, paguan atentatin ndaj Serjanit

Viktima e djeshme, Amarildo Hoxhallari, u arrestua më 10 Janar 2015, pasi konsiderohej bashkëpunëtor në një plagosje në “Rrugën e Kavajës”. Atëherë u qëllua ndaj Pajtim Seranit, një mik i Emiljano Shullazit, por edhe ndaj një polici.

Aurel Hoxhallari, gjatë arrestimit më 2015

Ai u arrestua së bashku me kushëririn e tij Aurel Hoxhallari, si organizator dhe porositës. Por Gjykata i liroi dy ditë më pas për mungesë provash. Nëna e Amarildos, Fiqiretja, atë kohë foli për “drejtësi hyjnore”, duke thënë se Amarildo ishte i pafajshëm dhe s’ishte i përzier në aktivitet kriminal.

5 Janar 2015, atentati ndaj Pajtim Seranit, mikut të Emiljano Shullazit

Tentativa e vrasjes së Pajtim Serjanit, 32 vjeç atëkohë, mikut të Emiljano Shullazit, ndodhi mbrëmjen e 5 janarit 2015, në “Rrugën e Kavajës”, në Tiranë. Shkak dyshohet larja e hesapeve Por, më 1 Shkurt 2015 Gjykata e Krimeve të Rënda i la ata të lirë për mungesë provash. Në atentat u plagos Serjani.

I dyshuar ishte Artur Baze, si vrasës me pagesë, i cili gjithashtu mbeti vetë i vrarë, pasi u qëllua nga efektivi Roland Mete gjatë ndjekjes nëpër rrugica dhe teksa tentoi ta qëllonte (sipas dinamikës hetimore të atëhershme).

Pajtim Serjani

Krimi ndodhi rreth orës 19:45, teksa futesh në rrugën “Islam Alla”. Artur Baze, nga Skrapari, i njohur edhe me identitetin Arjanit Sterio, qëlloi ndaj Seranit duke e plagosur në këmbë dhe ndaj efektivit Mete, por mbeti vetë gjatë ndjekjes i plagosur rëndë dhe më tej ndërroi jetë. Polici Mete, pjesë e Forcave Operacionale, dëshmoi se i bëri thirrje të dorëzohej autorit, por ai e qëlloi dhe iu desh të vetëmbrohej. Por mbeti mister arsyeja pse ndodhej në atë zonë efektivi.

Artur Baze, atentatori i vrarë dhe Pajtim Serjani

29 janar 2018, vritet Devi Kasmi, organizator Aurel Hoxhallari, shkak hesapet e drogës

Ekzekutimi i tipit mafioz ndaj Devi (Dëfrim) Kasmit, i cili jetonte kryesisht mes aksit Spanjë-Francë prej vitesh, ndodhi në datën 29 janar 2018, në rrugën “Kongresi i Manastirit” në Tiranë.

Dëfrim Kasmi, i cili kishte ndryshuar emrin në Devi, u ekzekutua poshtë pallatit ku banonte. Kanë qenë një person me motor, i maskuar me skafandër, të cilët qëlloi për vdekje 40-vjeçarin, duke zbrazur karikatorin e pistoletës. Kasmi më parë kishte qenë i përfshirë në trafik kokaine në Spanjë dhe Francë. Në banesën e tij u gjetën kokainë, para dhe armatim. Pista kryesore ishte lufta mes karteleve shqipfolëse të trafikut të kokainës dhe kontrolli i territorit nga Spanja dhe Franca, drejt Shqipërisë dhe Greqisë, por edhe larja e hesapeve mes grupeve apo hakmarrja. Si organizator dhe financues u zbulua Aurel Hoxhallari, kreu i grupit të Yzberishtit, që qëndronte në Greqi. Ai besohet se e ka marrë porosinë nga Burgu i Koridhalosit, nga një prej shqiptarëve që drejton aktualisht kartelin më të madh të drogës shqipfolës.

Killeri grek dhe viktima

U përfol edhe emri i Domart Konjarit, por edhe pas arrestimit të tij dhe lirimit nuk u gjetën prova bindëse. Konjari kërkohej edhe në Francë për narkotrafik, por katër vite më parë drejtësia shqiptare e liroi pas ndalimit në kufirin shqiptaro-grek, teksa udhëtonte me pasaportë false dhe tentoi të korruptonte policin kufitar në Kapshticë.

Hoxhallari përdori grupin e tij në Shqipëri, që ndihmuan dhe siguruan mjetet për killerin grek, ish-policin special Efthimios Efthimiu. Ky u arrestua pesë ditë më pas nga policia, teksa përpiqej të arratisej, bashkë me të paktën 4 anëtarë të tjerë të grupit.

Aurel Hoxhallari u gjykua në mungesë për 6 vepra penale dhe dënua përjetë vitin e kaluar nga GJKKO, bashkë me vrasësin grek. Dënime morën edhe anëtarët e tjerë të grupit. Të arrestuarit e operacionit “Enigma” për këtë ngjarje, vrasjen e Kasmit, ishin: Elton Halipaj, 36 vjeç, Efthimios Efthimiu, 41 vjeç, lindur e banues Arta Greqi, Malvin Dinellari, 30 vjeç, nga Korça dhe Elton Hoxhallari, 36 vjeç, banues në Tiranë. Në kërkim u shpall (Altin) Aurel Hoxhallari, 41 vjeç, banues Tiranë.

2 Shkurt 2018, zbulohet baza e armatimeve në vilën e Hoxhallarit, në Kashar

Pesë ditë pas vrasjes së Devi Kasmit, Policia e Shtetit zbuloi pas gjurmimit edhe një banesë-vilë në periferi të kryeqytetit, në Kashar, që shërbente si bazë armatimi dhe qëndrimi e grupit të Aurel Hoxhallarit. Grupi kishte baza dhe operonte kryesisht në Kashar-Yzberisht.

 

Banesa e Hoxhallarit, ku u gjet arsenali me armatime

Arsenali i armëve, i denjë për betejë të vërtetë, u gjet në dhomën e gjumit të Hoxhallarit, si edhe në një pjesë të përshtatur ne tavanin e vilës një katëshe. Shumë prej tyre edhe brenda mureve, dyshemesë dhe në territorin përreth. Aty besohet se kishte qëndruar edhe killeri grek Efthimius Efthimiu pas atentatit. Policia u ndihmua nga përshkrimi i të arrestuarit Mario Meshini, shokut të viktimës Kasmi, që7 ishte prezent në momentin e vrasjes.

2 Mars 2020, OFL nis hetimin pasuror ndaj Aurel Hoxhallarit dhe grupit

Në vijim të operacionit Forca e Ligjit të OFL, më 2 Mars 2020 i është dërguar formulari për deklarimin e pasurisë dy personave të dënuar me burg për vrasje në Tiranë. Njëri prej tyre ishte pikërisht Aurel Hoxhallari, si dhe anëtarëve të grupit të tij. Aurel Hoxhallari është dënuar përjetë për organizimin e vrasjes së Devi Kasmit më 2018.

19 Maj 2023, Aurel Hoxhallari dhe greku Efthimiu dënohen me burg përjetë

Njeriu që organizoi dhe financoi vrasjes e Devi Kasmit, Aurel alias Altin Hoxhallari, është dënuar me burgim të përjetshëm më 19 Maj 2023 nga Gjykata e Posaçme. Vendimi për dënimin kapital të Hoxhallarit është dhënë në mungesë nga treshja e gjyqtarëve Irena Gjoka, Flora Hajredinaj dhe Erjon Bani, të cilët gjatë fazës së gjykimit u bindën dhe dënua n Hoxhallarin për 6 vepra penale. Dënimin më të rëndë Altin Hoxhallari e mori për akuzën e “vrasjes me paramendim”, e kryer në bashkëpunim për qëllime interesi.

Aurel Hoxhallari gjatë arrestimit më 2015 dhe Devi Kasmi

Kurse ish-speciali grek i paguar si killer, Efthymiou Efthymious, nuk i pranoi akuzat dhe gjithashtu mori izolim përjetë. Greku kishte udhëtuar drejt Shqipërisë, vetëm me qëllim kryerjen e vrasjes kundrejt pagesës dhe më pas do largohej sërish në Greqi. Gjatë arrestimit pas atentatit, iu gjetën edhe një shumë e madhe lekësh dhe valute, të përfituara për krimin.

Greku kishte qenë i proceduar në vendin e tij për trafik droge në vitin 2009, kur ishte efektiv dhe më tej ishte liruar nga detyra dhe arrestuar. Gjithashtu togat e zeza të Apelit të GJKKO-së, dënuan me 33 vite burg të bashkëpandehurin tjetër Elton Halipajn, i cili dyshohet se është personi që i siguroi grekut mjetet për të kryer vrasjen.

E kaluara e Aurel Hoxhallarit

Në vitin 2014, Altin (Aurel) Hoxhallari, atëkohë 31 vjeç, u arrestua në Kavajë, për veprën penale armëmbajtje pa leje, pasi në automjetin e tij iu gjet një pistoletë ‘Glock’, por u dënua nga gjykata me pak muaj burg. Herën e dytë, emri i Aurel Hoxhallari, i ndryshur në Altin Hoxhallari, do të dilte në skenë një vit më pas si porositës i atentatit të Pajtim Serianit, në “Rrugën e Kavajës” në Tiranë, i cili mbeti i plagosur në këtë ngjarje.

Aurel Hoxhallari

Hera e tretë dhe më e rënda, ishte organizimi dhe financimi i vrasjes së Devi Kasmit, më 29 Janar 2018 në Tiranë dhe më pas zbulimi i arsenalit të armatimit në vilën e tij në periferi të kryeqytetit, pesë ditë pas atentatit. Por Hoxhallari nuk u arrestua në tre rastet e fundit dhe ende është në kërkim, teksa ka një dënim përjetë nga GJKKO në mungesë dhe është ndër më të kërkuarit e Interpol Tiranës.

10 Korrik 2024, sekuestrohen 8 pasuritë e Aurel Hoxhallarit

I dënuar me burg për jetë për ekzekutimin e Devi Kasmit më 2018, GJKKO i ka konfiskuar pak javë më parë 8 pasuritë të shumëkërkuarit Aurel (Altin) Hoxhallari. Vendimi i Gjykatës së Posaçme u mor pas një procedimi të SPAK-ut të nisur pas dënimit të tij vitin e kaluar, por edhe një referimi të OFL-së, së vitit 2020. /Përgatiti Shqiptarja.com/

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb