Skema e kontrabandës
nga Mali i Zi në Durrës

TIRANE- Njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, mbi bazën e materialit kallëzues të ardhur nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës, ka regjistruar procedimin penal Nr.1605 datë 20.09.2013, për veprën penale “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë” të parashikuar nga neni 172 të Kodit Penal. Anijet e peshkimit “Rovata” “Iliria” dhe “Ernald” për ushtrimin e aktivitetit të peshkimit, kanë të drejtën e furnizimit me gazoil pa akcizë, në përputhje me ligjin Nr. 8450 datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre” si dhe VKM nr.1050, datë 21.07.2008 “Për furnizimin e anijeve të peshkimit me gazoil, pa akcizë”. Mirëpo, të trija këto anije, dyshohej se një pjesë të sasisë së karburantit që furnizoheshin për ushtrimin e aktivitetit të peshkimit, e kalonin në mënyrë të paligjshme duke ju shmangur kontrollit doganor.

Kalimin e sasisë së karburatit e realizonin nëpërmjet instalimit në makinat e punës të një serbratori shtesë dhe nëpërmjet bidonave plastik, duke e justifikuar se ishte për nevojat e punës së anijeve. Pasi e kalonin në mënyrë të paligjshme në doganë e depozitonin në magazina, ku kishin instaluar depozita për këtë qëllim. Mirëpo, të ardhura nga Mali i Zi, këto mallra, më parë transportoheshin nga depozitat e peshkarexheve, në depozitat e improvizuara të makinave, që mbanin deri në 1, 2 ose 3 ton. Më pas mallin e shisnin në treg me një çmim më të ulët se vlera e shitjes së karburantit me pakicë. Në këto kushte ka filluar procedimi penal Nr.1605 datë 20.09.2013, për veprën penale “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë” të parashikuar nga neni 172 të Kodit Penal.

Në funksion të këtij hetimi është proceduar me teknika speciale të hetimi ku Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka lejuar përgjimin e bisedave telefonike. Pas hetimeve të kryera me datë 13 dhjetor 2013, janë arrestuar 8 shtetasit në flagrancë me një sasi prej rreth 300 litëra naftë të vendosura në disa bidona plastik. Ky procedim penal ka filluar si rezultat i nje hetimi disa mujor, i nisur nga Task-Forcë, Njësia e Përbashkët Hetimore Durrës, me metoda speciale të hetimit. Nga ky hetim u bë e mundur te dokumentohej veprimtaria kriminale e 11 personave, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kryenin kondrabandë me mallra që paguhen aksizë të llojit karburant dhe pije alkolike,(naftë dhe verë) në Portin e Durrësit.

 RASTET
Virgine

Marsin e 2011-ës, 11 persona, mes tyre biznesmenë, u arrestuan pas denoncimit të ish- ministrit Dritan Prifti që ngriti akuza për kontrabandë të naftës virgine. Hajri Elezaj ishte emri më i spikatur.
 
Peqini

Më 18 dhjetor 2013 Policia e Peqinit ka bërë të mundur bllokimin e 5 depozitave naftë kontrabandë. Përveç naftës policia ka bllokuar edhe një depozitë solari më 32 mijë litra.
 
4.400 ton

Doganat më 2 tetor 2013, në Degën e Doganës Lezhë, zbuluan hedhjen për konsum në mënyrë të paligjshme nga kompania ADA Petrol të 4400 ton karburant gasoil. Nafta e sekuestruar ishte deklaruar si e depozituar në një nga magazinat doganore. Ajo konsiderohej si tranzit dhe nuk mund të hidhej në tregun shqiptar, por  sipas Doganës, është përdorur në mënyrë të paligjshme nga kompania Ada Petrol, e cila i përket ish-deputetit të PD-së, Gjokë Uldedaj.

 Jeta e trazuar politike e deputetes Albana Vokshi
Burimet e policisë deklarojnë se se njëra prej të arrestuarve, Zyhra Vokshi, e cila ishte pronare edhe e dyqaneve në qendrat tregtare TEG dhe QTU, merrte alkool në Mal të zi dhe e shiste në dyqanet e saj në dy qendrat tregtare. Por një tjetër mall i preferuar i saj, gjithnjë sipas burimeve policore, ishte edhe vera italiane. Priten edhe deklarimet, për të sqaruar pozicionin e saj nëse është ose jo njeriu i afërt i Albana Vokshit. Ndërkaq, edhe më parë Albana Vokshi ka patur probleme si me akuzat politike në Shqipëri ashtu edhe jashtë kufijve. Para pak kohësh në Kosovë u ndalua nga autoritetet e doganave, ku momentalisht oficerët e arrestuan sepse dyshonin se makina me të cilën ajo udhëtonte, po transportonte drogë.

Pas debateve të shumta me doganierët, ngjarja precipitoi në fyerje të rënda dhe menjëherë u zhvillua një seancë gjyqësore. Punonjësit e doganës u pezulluan por u rikthyen në punë. Ndërkaq, bashkëjetuesi i Vokshit, është akuzuar për përfitime me kompaninë e naftës “Stream Oil” si dhe me konflikte në fushën e ndërtimit. Kontratat e aqdebatuara të bashkëjetuesit të saj, më pas u përdorën prej Vokshit si armë sulmi ndaj sulmuesve, teksa persona rreth saj janë akuzuar herë pas here për afera apo ngjarje të ndryshme, ku është dashur sqarimi i plotë prej saj. Edhe në këtë rast, pritet të sqarohet nëse Zyhra Vokshi është ose jo halla apo kushërira e saj dhe a kishte lidhje me dërgimin e verës në QTU po TEG.

Shkrimi u publikua sot (15.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Joe Biden: Arritja e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, një nga sfidat më të vështira të karrierës sime

Joe Biden: Arritja e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, një nga sfidat më të vështira të karrierës sime