Skema e TVSH-së në bujqësi shkakton debate në Komisionin Ekonomisë/ Braçe-Denaj: Ka 6 vjet që bëni studime! Ministrja: Gati ta rishikojmë tatimin

Heqja e kompensimit të TVSH-së për prodhuesit bujqësor ka shkaktuar debate në Komisionin e Ekonomisë këtë të mërkurë teksa diskutohej për buxhetin e bujqësisë për vitin e ardhshëm. Deputeti i PS-së Erion Braçe thotë se vetëm si rezultat i mungesës së subvencionimit të TVSH-së për fermerët nga 20% që duhet të jetë është 0%, Informaliteti është shtuar.

“Ajo që është gabim këtu e 6 vite me radhë, është që këtë skemën e TVSH-së e trajtoni si rimbursim i fermerit. Nuk kërkojmë që skema të funksionojë si rimbursim për fermerët ky është dallimi me vitin 2018. Kam kërkuar në mënyrë të qartë njehsim të skemës së TVSH-së. Blihet ulliri në Greqi me 20% TVSH, përpunohet e shitet po me 20%. Blihet sot ulli brenda vendit blihet pa faturë fare, zero, se po funksionojë ai që grumbullon del me humbje, ndaj s’ka më faturë fare, ndaj nuk blen brenda vendit. E njëjta gjë është edhe me grurin që vjen nga Rusia me 20%, ky brenda vendit blihet me 0% ose pa faturë fare”, tha Braçe.

Për rishikimin e skemës ministrja e Bujqësisë Anila Denaj tha se është pro, por këtë duhet ta bëjë ministra e Financave.

“Formalizimi i ekonomisë bujqësore është i ulët, faturat janë in-ekzistente, por unë nuk mundem që brenda një funksioni që nuk e kemi ne të ushtroj kontrolle fiskale tek qendrat e grumbullimit. Ne do të ishim shumë të kënaqur që të rishikohet skema e rimbursimit të TVSH-së, në momentin që Ministria e Financave është e gatshme ta bëjë këtë gjë. Kemi rënë dakord me ministrin Malaj për të ngritur një grup të përbashkët për të parë efektivitetin e skemës si dhe pjesën e TVSH-së që i takon Ministrisë së Financave”, tha Denaj.

Ky diskutim shkaktoi debat më pas, pasi Braçe u shpreh se ka që të gjithë ministrat e bujqësisë thonë të njëjtën gjë, ‘që është ngrit gurpi i punës’.

“Duhet të barazohet TVSH-ja jo taksë qarkullimi si tani. Sa i takon grupit të punës, ka 6 vjet që bëhen grupe pune, çdo ministër finance që ka ardhur pas atij fatziut që na bëri gjëmën në bujqësi ka thënë të njëjtën gjë gjithmonë. Grupi i punës nuk e ka zgjidhur ka 6 vite. Nëse duam të mos gjejmë zgjidhje duhet të ngremë një grup pune”, shprehet Braçe.

“Nëse më kërkohet mua se çfarë mendoj me skemën e TVSH-së, jam shumë dakord të bëhet. Kjo nuk më jep të drejtën të flas për skemën se nuk është në përgjegjësi të Ministrisë së Bujqësisë. S’kam unë fare punë me Skemën e TVSH-së”, i përgjigjet Denaj.

Denaj gjatë diskutimit me deputetin e PS, tha se është e gatshme të bëjë kërkesën në Ministrinë e Financave për ta rishikuar skemën.

Braçe: Po ngatërrohesh, nuk ke dëgjuar asgjë.

Denaj: Nuk do them çfarë doni ju

Braçe: Ajo që unë kam propozuar s’ka lidhje me këtë që thoni ju

Denaj: Ja keni propozuar ministrit të Financave, shumë mirë  është personi i duhur.

Braçe: S’ka lidhje fare kjo kam kërkuar dy gjëra

Denaj: Skema e TVSH-së duhet parë, nëse Ministri i Financave ka thënë që bëhet dhe do nga unë një kërkesë, e bëj unë shkresën edhe pa grup pune nëse është ajo që kërkoni të dëgjoni.

TVSH-ja për fermerët nga 6% që ishte u bë 0% në vitin 2022 duke bërë që asnjë blerje e grumbulluesve tek fermeri të mos kompensohet, kjo ka sjellë lënie stok të mallit të fermerëve për shkak se dalin me humbje, ka sjellë shtim të informalitetit dhe fuqizim të importit, pasi malli që vjen nga jashtë është i subvencionuar në vendin e origjinës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:59
Kur do të zhbllokohen fondet e IPARD? Përgjigjet ministrja Denaj: Po plotësojmë kërkesat, pas korrikut 2025 do dërgojmë dokumentet për aplikim

Ministrja Anila Demaj duke raportuar ne komision

Ende nuk ka një datë se kur fermerët shqiptarë do të mund të përfitojnë nga fondet e IPARD, pas bllokimit që i është bërë nga BE, gjatë vitit 2023.

Ministrja e Bujqësisë Anila Denaj e pyetur nga deputetja e PD-së Emilia Koliqi gjatë diskutimeve në komisionin e Ekonomisë mbi zhbllokimin e fondeve të IPARD ka deklaruar se para korrikut 2025 nuk mund të ketë zhvillime. Deri në këtë muaj tha Denaj do të zbatohet plani i veprimit me detyrat e lëna nga BE, për të garantuar monitorim dhe kontrolle për fondet e huaja.

“Ne po ekzekutojmë planin e veprimit për ndryshime të rëndësishme në strukturat në përmirësim të Agjencisë në Pagesave ABZHR, struktura është duke përfunduar, dhe një nga kërkesat shtesë ishte që strukturat të rrisnin kapacitetet për parandalime, për kontrolle dhe më shumë vëmendje për digjitalizimin e sistemeve. Këto po zhvillohen dhe po plotësohen me staf. Deri në korrik ne do të jemi në zbatim të planit të veprimit dhe pas muajit korrik ne do të jemi në gjendje të thërrasim DigiAgri për të dërguar dokumentet për IPARD 3”, tha Denaj.

Në korrik të vitit 2023 Bashkimi Evropian vendosi të pezullojë këtë mbështetje, për shkak se IPARD II u përfshi në hetime nga OLAF, për shkak të dyshimeve për keqmenaxhim të këtyre fondeve. Më pas rezultatet e hetimeve iu dorëzuan autoriteteve të Brukselit, ndersa OLAF zbuloi shumë parregullsi serioze gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të shumë projekteve. Në total programi IPARD II që i takon periudhës 2014-2022 ishte 94 milionë euro në total, nga të cilat 71 milionë euro ishin financime të BE. Ndërsa programi i tretë që i takon viteve 2021-2027, planifikohet në vlerën 112 milionë euro.

E.Gj/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë