Mediat greke shkruajnë se drejtuesi i bandës, i cili njihet me emrin Gendi, kishte krijuar një rrjet të mirëstrukturuar për të mos u zbuluar nga Policia.
Shqiptarët pasi e merrnin drogën nga Shqipëria e transportonin atë nga mali në zonat pranë pikës kufitare Kakavijë dhe Kapshticë. Më pas në Greqi ata përdornin makina private dhe kampionë mallrash për ta çuar në Athinë.
I gjithë ky proces sipas policisë greke kryhej nga shqiptarët, ndërkohë që më shpërndarjen dhe shitjen e drogës, merreshin kryesisht grekët, rumunët, afrikanët dhe bullgarët. Droga pasi shitej, lekët dorëzoheshin po te disa shqiptarë, të cilët në komunikimet me njëri-tjetrin, lekët i quanin letra.
Ndërkohë Policia Greke ka shpallur në kërkim kreun e këtij grupi kriminal, i cili mendohet se jeton në Shqipëri dhe njihet nga anëtarët e bandës me emrin Gendi. Ky grup kishte 146 anëtarë, ku janë vënë në pranga 59, mes tyre 17-shqiptarë dhe 85 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Ndër përgjimet që ka bërë policia greke është edhe një komunikim mes bandës.
“20 njerëz po ecin vazhdimisht lart e poshtë duke pyetur njëri¬tjetrin ? Ku është? Ku është”? Njëri prej tyre bërtiti “ja ku është” dhe të gjithë shkuan në drejtim të një hoteli, ku ndodhej një njeri me ngjyrë. Ky i fundit, pasi kontrolloi zonën me një vështrim të shpejtë, u dorëzoi 4 burrave secilit nga një paketë plastike që përmbante heroinë”, shkruajnë mediat greke.
Gjithashtu mediat greke tregojnë se si është zbuluar drejtuesi i grupit kriminal i cili flet me një nga bashkëpuntorët e tij. “Marr pesëmbëdhjetë, i sjell tek ty, ku i jap letrat unë?” dhe “Genti” i përgjigjet: “Jo, jo, mos më fol kështu”.
Mediat në Greqi shkruajnë se mes 85 personave që janë në kërkim, rreth 30 prej tyre janë shqiptarë. Mendohet se shqiptarët kanë marrë informacion për zbulimin që ka bërë policia greke dhe kanë ardhur në Shqipëri. Kjo bandë kishte fitime në shuma marramendëse prej 19 milionë euro.
Ndërkohë mendohet se Rigers Dervishi kur është vrarë më 13 nëntor në Athinë ka qenë në makinë me një nga drejtuesit e kësaj bande. Policia greke dyshon se Dervishi është vrarë gabimisht, ndërkohë që shënjestra ka qenë pasagjeri, por që ka shpëtuar.
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com