Dënohet me 17 vite burg biznesmeni italian Francesco Becchettin, i cili akuzohet se përmes kompanive të tij kishte krijuar një skemë të mashtrimit me TVSH dhe pastrim parash. Biznesmeni italian vazhdon të jetë në arrati dhe për të ka një mandat arresti ndërkombëtar. Becchetti u akuzua për 4 vepra penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikim Dokumentesh”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.

Pas një përballje të gjatë me prokurorinë dhe gjykatën shqiptare Francesco Becheti është deklaruar fajtor.  Akuzat e ngritura  nga prokuroria e përfaqësuar në gjykim nga vetë Kryeprokurorja Elizabeta Imeraj, janë gjetur të drejta akuzat e ngritura dhe tashme drejtësia ka konkluduar me fajësi. Kjo është përgjigja e drejtësisë shqiptare pas një kalvari të gjatë shtyrjesh me manovra procedurale të seancave gjyqësore. Çështja penale ka filluar në vitin 2014, dhe sot drejtësia foli, Becchetti u dënua. 

Bashkëpunëtorin e tij italian Mauro De Renzis u dënua me 16 vite burg  për “Falsifikim të dokumenteve”, “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Krijimi i skemave mashtruese”, “Mospagim i taksave dhe tatimeve”, “Kontrabandë me mallra të tjerë” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.

Me 8 vite burg është dënuar e ëma e Becchetit, Liliana Condomitti dhe 8 vite për Erjona Troplini, të cilat akuzohen për “Pastrimi të produkteve të veprës penale”. Ndërsa Stavri Peci dhe Fetah Dervishi janë dënuar me shërbim prove për shkak të moshës

Gjykata ka vendosur edhe që 4 kompanitë e sekuestruara Becchettit, konkretisht për “Energji” sh.p.k. “Cable System” sh.p.k, “400 KV” sh.p.k dhe “Agon Set” sh.p.k i kalojnë shtetit.

Vendimi është marrë nga gjyqtarët Lazer Sallaku, Besnik Hoxha dhe Sokol Pasho. E pranishme në seancë ishte vetë drejtuesja e prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Ymeraj, e shoqëruar nga prokurorët Mirela Cano dhe Leonard Filopat.

Prokurorët e çështjes

Biznesmeni Francesco Beccheti, prej kohësh është një temë debati politik në Shqipëri, pasi fitoi në arbitrazh ndërkombëtar 110 milion euro nga shteti shqiptar, i cili i sekuestroi pasuritë përfshi televizionin “Agon” në vitin 2015. Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) një gjykatë arbitrazhi, pjesë e Bankës Botërore, e dënoi Shqipërinë në Prill të vitit 2019 me 110 milion euro, duke gjykuar se mbyllja e televizionit ishte “motivuar politikisht”. Lidhur me këtë vendim, reagoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se Shqipëria ka fituar 3 nga 4 gjyqet ndërkombëtare ndaj këtij marifetçiu siç ai e quajti Becchetin, ndërsa vendimin e arbitrazhin e konsideroi të padrejtë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:28
17 vite burg për Beccettin, Shehaj: Teatër që përmendet si sukses dënimi! Dosja u përgatit nga administrata e tatimeve, do flas edhe për ata që s’na mbrojtën kur na kërcënuan me jetë

Nënkryetarja e LSI Brisida Shehaj e ka cilësuar dënimin me 17 vite burg të biznesmenit italian Francesco Becchetti si një teatër.

Ajo thotë se dosja është puna e asaj administrate tatimore që sot janë hedhur në rrugë dhe puna e Antoneta Sefdarit që u largua nga puna si prokurore

Nënkryetarja e LSI në një postim përmbledhës ka treguar se do të flasë më gjatë në një moment tjetër për ata që nuk e mbrojtën kur u kërcënua me jetë. Ajo shtoi se për dënimin në arbitrazh, do ishte arrestuar me kohë Erion Veliaj për ato SMS-të që na dënuan 130 milionë euro

 “Deri më sot kam pritur në heshtje dhe nuk jam shprehur për dosjen “Becchetti”. Por sot kur shoh në atë teatër që të përmendet si sukses dënimi, ju them: Heshtni, heshtni!

Ajo dosje është puna e asaj administrate tatimore që sot janë hedhur në rrugë dhe puna e Antoneta Sefdarit që u largua nga puna si prokurore. Do vijë dita që të flas më gjatë për ata që na shitën, për ata që nuk na mbrojtën kur na kërcënohej jeta. Ata që i bënë këto gjëra, sot janë drejtora dhe vendimmarrës të lartë. Sa për dënimin në arbitrazh, do ishte arrestuar me kohë Erion Veliaj për ato SMS-të që na dënuan 130 milionë euro”, shkruan Shehaj.

Ora 15:32
Becchettin dënohet me 17 vite burg, prokurori holandez për Report Tv: Drejtësia u bë

Gjykata e Tiranës dënoi sot me 17 vite burg Francesco Becchettin, proces që u ndoq edhe nga prokurori holandez Ben Swagerman, i cili ka asistuar në këtë çështje. Prokurori holandez ndodhej në Shqipëri në kuadër të Projektit IPA, që është një program që lidhet me shkëmbim prokurorësh, çështje bashkëpunimi dhe shkëmbimi eksperiencash.

Në një përgjigje të shkurtër për Report Tv ai tha se "drejtësia u bë, nuk mund të them gjë tjetër"

Ora 15:15
Becchetti dënohet me 17 vite burg, vjen reagimi i parë i Ramës

 

Kryeministri Edi Rama ka reaguar nga kuvendi për dënimin e Becchettit, ku thjeshtë tha se i erdhi ky lajm dhe se shpreson që të mos jetë "fake news"