Edi Rama ka udhëtuar shumë herë në Shtetet e Bashkuara. Si qytetar privat dikur, më vonë si opozitar e kryetar partie e bashkie dhe në 13 vitet e fundit si kryeministër. Megjithatë janë të gjitha gjasat që asnjë prej këtyre udhëtimeve të mos ketë qenë kaq delikat dhe me rëndësi si ky i pjesëmarrjes në ceremoninë inauguruese të Bordit të Paqes. Arsyet janë të gjitha aty, në sallën në Uashington ku u mbajt ceremoniali. Dhe janë të qenësishme për këtë pikë të karrierës politike të gjatë të kryeministrit të Shqipërisë.

Së pari duhet thënë se ashtu si shumë politikanë e liderë politikë të tjerë nëpër botë, edhe Edi Rama ka pasur një marrëdhënie të vështirë qoftë dhe në distancë me figurën e Donald Trump. Të njeriut që është tallur me Macron, Merz e të tjerë liderë botërorë, që ka sulmuar ashpër kryeministrin spanjoll apo që ka quajtur me gjithfarë epitetesh cilindo nga krerët e shteteve afër apo larg SHBA, pa u merakosur për filtrat e rastit. Rama është një shpotitës i vjetër i presidentit amerikan dhe duket se vetëm pesha e vogël e Shqipërisë e ka shpëtuar pa marrë ndonjë nga epitetet apo batutat plot ngjyra të Donaldit të tmerrshëm. Rama eshte marrë me Donald Trump qysh në mandatin e tij të parë presidencial, madje në mediat kryesore të Amerikës. Më i fundit episod i cili u bë popullor në Uashington, ishte ai ku Rama i kërkonte Macronit që ta përgëzonte për paqen me Azerbajxhanin. Referencë e qartë për gafën e përsëritur të Trump, kur ngatërronte Armeninë me Shqipërinë.

Së dyti Rama shkonte në Uashington në të parën përballje me njeriun më të fuqishëm në botë qëkurse ai mori mandatin e dytë presidencial. Shkonte me reputacionin e një soroisti të thekur, të dikujt që në asnjë rast nuk ka mohuar miqësinë me familjen Soros, madje ishte i ftuar special i dasmës së Aleks Sorosit muaj më parë. Pra një target potencialisht i preferuar i klanit Trump dhe skifterëve të tjerë republikanë të cilët e konsiderojnë Sorosin si të keqen me te madhe që ka prodhuar e majta amerikane.

Së treti Edi Rama linte pas shpine një Shqipëri e cila paradoksalisht nuk u qetësua asfare nga fitorja e thellë e 11 majit, por endet nën shkulmet e dallgëve të hetimeve antikorrupsion që po qethin rangjet e zyrtarëve në të gjitha anët rrotull kryeministrit si dhe nën goditjet e molotovëve të opozitës që nuk po lenë gur pa lëvizur për t’i prishur gjumin. Një mbështetje politike duke pozuar në podiumin me shirita ari e plot emra të njohur të Donald Trump, është natyrshëm një dozë oksigjeni për të në këtë atmosferë mbytëse e toksike që qëndron mbi qiellin e Tiranës këto kohë.

Ky është konteksti që shoqëroi nisjen e Ramës për në Uashington, një moment i cili u pre si me thikë nga fjalimi që mbajti kryeministri në Uashington. Sepse mund të thuhet pa hezitim se Edi Rama diti ta përdorë maksimalisht minutazhin që pati në dispozicion duke mbajtur një fjalim i cili arriti të afishojë me sukses dhe jo në mënyrë të sforcuar një problematikë shqiptare në një forum që mblidhej për Lindjen e Mesme. Përzgjedhja e armikut të përbashkët Jack Smith mund të konsiderohet si gjetja e fjalës që mbajti Edi Rama në Bordin e Paqes dhe që bëri të kthehen shumë koka drejt tij.

Aty ku të gjithë ofronin ndihma për Gazën Rama i kujtoi Trump prokurorin Jack Smith. Si t’i vendosësh para syve demit një copë të kuqe. Me kurajo Rama riskoi teksa përdori shumicën e fjalimit për të bërë apelin për krerët e UÇK, duke i kujtuar presidentit amerikan sesi Hashim Thaçi arrestohej gjatë rrugës për në takimin me të nga prokurori famëkeq që e ka stresuar jo pak kreun e Shtëpisë së Bardhë në vitet e fundit.

Kritikat e athta ndaj Evropës në lidhje me spekticizmin ndaj nismës së Trump ishin tema tjetër delikate e fjalës së Edi Ramës. Një zeje që ai e ka përsosur me kalimin e viteve, ndërsa ka hedhur fjalë të rënda ndaj të gjitha vendeve evropiane. Europarlamentarë gjermanë kërkonin llogari tek Taulant Balla për arsyen e vajtjes në Bordin e Paqes ndërkohë që Rama udhëtonte për në SHBA. Të shohim nëse edhe kësaj radhe nga Brukseli do të vijë sërish heshtje.

Udhëtimi i Edi Ramës në SHBA në mesin e një klime të turbullt në Shqipëri dhe Kosovë nuk ka vetëm rëndësi për vetë protagonistin. Është mirë që Shqipëria dhe Kosova ta ruajnë me thonj marrëdhënien strategjike me Amerikën, edhe pse vetë SHBA po riformaton raportet me të gjithë kontinentin e vjetër duke acaruar e tendosur të gjithë telajon euroatlantike.

Në këtë pjesë të Ballkanit roli amerikan mbetet i pazëvendësueshëm pasi evropianët vijojnë të mbeten nën efektin e sharmit serb, i cili prej vitesh ka prodhuar jo vetëm arrestimin e krerëve të UÇK por edhe një politikë as mish as peshk ndaj Beogradit. Rama bëri zgjedhjen e duhur megjithëse shumë vende evropiane i kanë thënë “jo” Bordit të Paqes. Nuk jemi ende anëtarë të BE, për pasojë është diçka e mirë që gëzojmë një marzh lirie edhe për ca kohë.

Fjalimi i Edi Ramës në Bordin e Paqes ishte në hedhje e guximshme në errësirë por që nuk duket se përfundoi në tragjedi. Ishte një ruletë e rrezikshme ruse por nuk pati gjak. Edhe këtë herë helikopterët që morën Maduron nuk do t’i ndezin motorët drejt Tiranës. Veç vitrinës planetare që i rezervoi vetes, të shpresojmë që kryeministri i Shqipërisë të ketë prodhuar diçka pozitive edhe për fatin e katër heronjve të Kosovës të marrë peng nga drejtësia lunatike e Hagës. Do të ishte vërtetë diçka e bukur dhe e merituar për ta./ JavaNews