Ka një valë lajkatimesh hipokrite e habie të stisur mes përkrahësve të Sali Berishës, për përhapjen e shpejtë dhe suksesin e nismës së tij për rrëzimin e Lulzim Bashës. Ndërsa të gjithë betohen para kamerave se digjen për Doktorin, nuk është fare e komplikuar të kuptosh se shumica dërrmuese e popullit opozitar që sot kërkon kokën e Bashës, kanë një tjetër shtysë primare në rreshtimin e hapur me Berishën: nuk durojnë dot më që Partinë Demokratike ta udhëheqë Lulzim Basha!
Kjo ndjesi është maisur në heshtje nga një humbje në tjetrën, që Basha ka koleksionuar në tetë vjet, qëkurse mori në duar timon e partisë me bekimin e Berishës. Kontrasti i stilit dhe sjelljes politike, qasja ndaj të bërit opozitë, vizioni i munguar dhe deri tek pamja e jashtme, tonaliteti i zërit dhe anemia e theksuar në imazhin publik, e bënë Bashën që në fillim një pasardhës të dyshimtë të Sali Berishës.
Të mësuar me piskamat dhe fjalorin e vrazhdtë të Berishës që merrte nëpër gojë këdo që i binte në mend, që akuzonte, shante e kërcënonte edhe vetë Zotin kur i zinte rrugën – demokratët e kanë pasur shumë të vështirë aklimatizimin me kryetarin Basha. Një djalë i ri të cilit ju ngjir zëri qysh në të parën dalje publike në shesh si kryetar partie, në shtator 2013.
Peripecitë që pasuan kryesinë e Lulzim Bashës në PD më vonë, vetëm sa shtuan benzinë mbi zjarrin e nostalgjisë për Berishën në parti. Katër humbje elektorale, njëra më e rëndë se tjetra, e çimentuan pozitën e Lulzim Bashës, si një “kryetar nga halli”. Të cilin Berisha nuk tentoi kurrë megjithatë që ta largojë nga partia, deri ditën kur Basha e “ngriu” me urdhër të Amerikës.
Suksesi i Sali Berishës përballë një humbësi serial, nuk tregon forcën e tij, por dobësinë e humbësit serial. Pasi Sali Berisha ka pranuar se ka qenë vetëm një siluetë në parti për tetë vjet rresht. Me gojën e tij, është vetë Berisha që hedh poshtë sot indirekt të gjithë entusiazmin dhe ditirambet që ndjekësit e tij i thurin gjithë ditën për Foltoren. Vetë Berisha po pranon nga një takim në tjetrin, se paska qenë aty vetëm për të thënë një fjalë sa herë që Basha ka humbur, duke folur më shumë “me heshtje” sesa me zë dhe me veprime konkrete.
Është ky Sali Berisha që s’u ndje as kur Luli humbi në 25 prill, as kur shkeli me këmbë garën për rizgjedhjen në qershor e as kur ndryshoi statutin sipas qejfit një muaj më vonë. Është ky Berishë që paska qenë, me fjalët e tij, një farë guruje honorifik që rrinte pas kuintave të partisë duke shijuar autoritetin e tij absolut imagjinar mbi demokratët, pa folur e pa lëvizur as gishtin teksa forcën e tij politike po e merrte lumi. Eshtë ky Berishë që sot ul kokën sa herë që dikush nga mesi i sallës i kujton si e pruri Lulin në krye të PD dhe sa vonë u kujtua ta heqë!
Foltorja nuk është triumfi i Doktorit, por mesha politike funebër e pasardhësit të tij. Është shumë e lehtë të atakosh sot një kryetar që nuk e do më thuajse askush, e jo pa arsye. Është e lehtë t’ja marrësh nga duart partinë dikujt që partinë nuk e ngjiti dot aty ku premtoi. Vetëm se kujdes! Kjo s’do të thotë aspak se sfidanti do ta bëjë këtë gjë një ditë. Të heqësh Edin, nuk është si të heqësh Lulin…