Ende sot në Partinë Demokratike viti 2005 shihet si një moment magjik, që solli atë që mendohej e pamundur: pushtetin dhe qeverisjen. Ishte një moment kur Sali Berisha e kuptoi se reputacioni i tij i rrënuar që lidhej me fajdet dhe të vdekurit e vitit 1997, nuk do ta çonte larg në garën përballë Nanos. Bëri të vetmen gjë të mençur që mund të bënte. U fsheh pas një plaftorme (të pretenduar) dhe një grupi burrash e grash që lejoi të futen në korridoret e podiumet e partisë. Lindën kështu koncepte si hapja e partisë, krijimi i KOP-it dhe afrimi i të rinjve të shkolluar, ide të cilat u përpunuan me insistim në media dhe opinionin publik, për të krijuar pershtpjen se partia dhe lideri i saj kishin ndryshuar. Sali Berisha u fsheh pas djemve të KOP-it dhe mocionistëve të dikurshëm që ishin rikthyer në vathë, për të gënjyer votuesit e mërzitur nga tetë vjet qeverisje vanotize e socialistëve.
Kamuflimi i Doktorit pas një platforme dha frytet që priteshin. Berisha fitoi zgjedhjet por nuk bëri asgjë që t’i largohej identikitit të tij të dekadës së parë të pluralizimit. Gërdeci dhe 21 janari treguan se ai thjeshtë ishte veshur me petka të tjera, por jo me mentalitet të ri. Operacioni elektoral 19 vjet më parë, i transformimit të PD nga një parti e paprezantueshme në publik, në një forcë politike që fliste për projekte e ide të reja (me kryetar të vjetër), është një dëshmi solide e faktit se vota sugjestionohet, nëse produkti shitet dhe ambalazhohet bukur.
Sot PD ndodhet jo vetëm e copëzuar si një pasqyrë e thyer mbi dysheme, por edhe përballë një dileme të vjetër egzistenciale: t’i hyjë shtegut të vështirë të ndërtimit të një alternative, apo t’i jepet tundimit të lehtë e nostalgjisë për bariun e vjetër që vazhdon të mbajë psallme majë dritares së shtëpisë?! Rreth një lideri të vjetër e të konsumuar deri në asht, apo rreth një platforme të re politike, me një figurë gjithashtu të re drejtuese, që të mos quhet as Sali Berisha, as Lulzim Basha?!
Në vitin 2005 Partia Demokratike e pati rastin të bëjë një zgjedhje hibride. Mbajti kreun e partisë dhe i dha të mësonte përmendësh disa paragrafë sa për të dhënë përshtypjen se “nuk është më ai i pari”. Sot, kur në ura ka rrjedhur shumë ujë, ai eksperiment thjesht nuk funksionon më.
Megjithatë brenda Rithemelimit kujtojnë se mund të sfidojnë edhe kohën, edhe ligjet spartane të saj. Vijojnë të bërtasin “Poshtë komunizmi” dhe “Rroftë Sali Berisha” megjithëse i pari ka vdekur prej 33 vitesh, kurse i dyti mbush 80 vjeç pas tetë muajsh. Përtej çdo logjike dhe realiteti shifror, një listë deputetësh ju bashkuan së fundi Rithemelimit, në një tentativë të qartë për të shpëtuar fatin politik personal, duke fundosur fatin e të gjithë partisë. Duan mandatin, por jo PD-në!
Përsëritja e precedentit të vitit 2005 sot është një ëndërr në beze, siç thonin dikur shkodranët për kinemanë. Të transplantosh atë fitore sot në mozaikun e franksioneve e rrymave të PD, do të thotë të mos kesh asnjë sens gjykimi politik dhe realizmi. Të shpresosh se për Berishën ka ende edhe një tren të orës së vonë, që pritet t’i kalojë tek këmbët në 2025, është naivitet foshnjor.
Grupimi rreth bariut të vjetër dhe lënia pas e procesit jetik të nxjerrjes së partisë nga epoka e tranzicionit 33 vjeçar shqiptar, ku edhe kjo parti ka qenë dhe është një faktor përcaktues, po shënon sot degradimin fundor të PD. Kinse nostalgjia për kohët e lavdishme dhe për shefin e plakur të partisë, është akti më irracional që opozita e sotme po bën, në shërbim të hapur të zgjatjes së pushtetit të Edi Ramës. I cili ka luksin të mendojë me qetësi, nga lartësia e tre (së shpejti katër) mandateve qeverisëse, për pasardhësin e tretë në krye të PS pas rënies së komunizmit, ndërkohë që kundërshtarët e tij janë lidhur me litar pas këmbëve të karriges së të parit.
Partia Demokratike po krijon precedentin negativ të nënshtrimit të fatit të saj ndaj idolatrisë së verbër për Sali Berishën. Një qëndrim antihistorik dhe vetëizolues, që dëmton indirekt të gjithë spektrin politik shqiptar, që vuan prej kohësh pleqërinë e thellë politike të krerëve partiakë. Shqipëria është e etur për ide dhe fytyra të reja. Kapja pas idhujve të rremë të të shkuarës traumatike vetëm sa e vonon këtë nevojë urgjente për të dalë nga rrethi vicioz i një demokracie të brishtë, të paplotë dhe të korruptuar./Java