Skënder Minxhozi: Shto ujë e shto…komisione

Skënder Minxhozi: Shto ujë e shto…komisione

Kreu i PD-së Lulzim Basha

Lulzim Basha po përpiqet të krijojë një axhendë paralele me Foltoren e Sali Berishës, e cila po gërryen prej javësh jo vetëm bazën e partisë, por edhe kredibilitetin e elitës zyrtare të Partisë Demokratike. Dalja e kryetarit të PD me tre propozime që prekin reformën zgjedhore, atë territoriale dhe vetingun e politikanëve shënojnë jo vetëm rikthimin e opozitës në sistem pas dy vjetësh e gjysëm. Ato janë edhe një rivalitet me axhendën e Kongresit të Doktorit që premton largim të shpejtë të “ish-kryetarit” nga zyra e tij buzë Lanës.

Tre propozimet e Bashës vijnë pas kërkesave të opozitës për të inicuar komisione hetimore parlamentare për zgjedhjet, gjobën Beketi dhe inceneratorët. Batuta historike e Churchillit për pavlefshmërinë e komisioneve hetimore parlamentare vlen sidomos për këtë rast, kur fjala vjen, në krye të hetimit të zgjedhjeve, Lulzim Basha ka vendosur një ndër emrat më të akuzuar të opozitës për punë zgjedhjesh.

Propozimet e opozitës për reformat zgjedhore e territoriale janë më serioze e më të prekshme. Pasi ka nevojë për një shqyrtim tërësor të asaj që ka arritur reforma territoriale e vitit 2015, kur socialistët vendosën të vetëm, pas bojkotit absurd të PD, skemën e organizimit të territorit në bazë të 61 bashkive. Pas disa vitesh aplikimi të këtij formati, ka vend për të modifikuar në skemën që kemi në fuqi.

Ashtu siç ka vend për të diskutuar e modifikuar edhe në sistemin zgjedhor me të cilin u votua në 25 prill, ku koalicionet me sigla partiake u bënë praktikisht të pamundura. Vendimmarrja e njëanshme e shumicës vitin e shkuar ishte një thikë pas shpine për parimin e negociimit dhe të dakordësisë që duhet arritur sa herë që bëhen rregullat e lojës elektorale. Kjo duhet korrektuar sot kur opozita është në parlament dhe kur kryeministri Rama shprehet i hapur për ta diskutuar konkretisht këtë çeshtje me demokratët.

Ndër tre propozimet, ai i vetingut të politikanëve duket më demagogjiku. Në pamje të parë, teksa drejton gishtin nga vetja duke u ofruar për t’u verifikuar i pari, Basha duket se lëshon një dorashkë ndershmërie ndaj kundërshtarëve të tij përballë. Ajo që dimë ne qytetarët në fakt, është se në këtë skenë politike, nga njëra anë në tjetrën, vështirë se gjen njeri që të mos luajë me bllofin kur shprehet ashtu si Lulzim Basha për vetingun e pasurive të politikanëve.

Prej vitesh kemi një Inspektoriat (ILDKP) ku zotërinjtë Basha, Rama, Meta e Berisha, plus disa qindra politikanë e zyrtarë të lartë të administratës, listojnë çdo vit me shkrim pasuritë e tundshme e të patundshme që zotërojnë. Propozimi i Bashës për kalimin e kësaj barre të verifikimit tek SPAK, vetëm sa i jep pak më tepër “pompë” procesit, pasi në thelb egziston i gjithë kuadri ligjor që një politikan apo zyrtar i lartë shqiptar të verifikohet imtësisht nëse ka ose jo euro të qepura në dyshekun e shtëpisë, apo vila, biznese e të tjera katandi të fshehura në emër të vëllezërve e kushërinjve.

Do të mjaftonte vullneti politik për të shqyrtuar vetë  deklaratat që politikanët e zyrtarët kanë lëshuar në vite, për të zbuluar pa shumë vështirësi në shumë raste falsitetin dhe vështirësinë për të fshehur të ardhura të tepërta apo të paligjshme që kanë akumuluar. Vetë zoti Basha është akuzuar fjala vjen vite më parë, në bazë të deklarimit të pasurisë në ILDKP për shitblerjet e pasurive të patundshme në Holandë.

Vetingu i politikës nuk ka pse “shetit” nga një institucion në tjetrin. Janë ligjet dhe zyrat e shtetit, ku ky proces mund dhe duhej të ishte bërë si duhej prej vitesh. Kjo e Bashës është një lëvizje propogandistike për të rrahur gjoksin dhe për të luajtur bllofin duke deklaruar para shqiptarëve “më kontrolloni se jam i pastër”! Seç del pas kontrollit, një Zot (një Bashë) e di!

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille