Skënderbeu-Vllaznia, sfida e javës së 10 të Superligës, është mbyllur pa fitues edhe pse në Korçë të dy skuadrat patën shumë raste. Fillimisht zhbllokuan vendasit në pjesën e parë me Bismark, ndërsa në pjesën e dytë shkodranët barazuan me Bekim Balajn. Në fund të dy skuadrat ndanë pikët, por mbetën të pakënaqura për shkak se gjenden në zonën e ftohtë të klasifikimit.

Më herët, për të dytën ndeshje me radhë, Elbasani ia doli të fitonte me përmbysje. Këtë herë verdheblutë mposhtën 2-1 Laçin falë ‘dopietës’ së Atdhe Mazarit.

“Ajo që më pëlqen më shumë është se është ndeshje e dytë radhazi që kthejmë rezultatin brenda dy ditëve. Kjo tregon se ky grup ka mentalitet fituesi,”-u shpreh Glen Daja, trajner i Elbasanit.

“Jam i lumtur në radhë të parë për fitoren, por se kush i shënon golat ka pak rëndësi. Mundohem të ndihmoj ekipin në çdo aspekt. Për meritë të çunave e kthyem lojën dhe fituam,”-tha Atdhe Mazari, futbollist i Elbasanit.

“Luajtëm mirë, por humbëm. Elbasani ka lojtarë të shpejtë, lojtar teknik. Veçanërisht nga krahët e sulmit,”-Qatip Osmani, trajner i Laçit.

Fitore morën edhe kampionët në fuqi të Superligës Egnatia. Rrogozhinasit përmbysën 1-2 Tiranën në Vorë, duke marrë 3 pikë që i sigurojnë kreun të paktën edhe javën e ardhshme në kampionat. Sakaq për Tiranën ishte humbja e 2 në 3 ndeshjet e fundit, ndërsa ka vetëm 1 barazim.