ITALI, Antagnod - Skiatori Denni Xhepa (22 vjeç) ka bërë një garë fantastike sot në Itali duke u renditur i dyti nga 108 konkurrentë, vetëm 23 të qindtat pas vendit të parë që u sigurua nga zvicerani Yann Schrag. Djaloshi që garon me flamurin shqiptar ka bërë një paraqitje për t'u lavdëruar pasi u ngjit në podium në disiplinën e Slalomit Gjigant në Skitë Alpine.

"Sukses i madh për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Sot, Deni Xhepa u rendit i dyti në garën e slalomit gjigand për meshkuj në Antagnod, në kuadër të Gran Premio Italia FIS Dicoflor, duke ndalur kronometrin në 2:10.71. Një paraqitje fantastike, teknikë e pastër dhe shpirt gare deri në metrat e fundit. Ky rezultat konfirmon formën e shkëlqyer dhe punën e palodhur drejt majave të skive alpine", njofton Federata e Skive.

Denni e mbylli lëshimin e parë me kohën 1 minutë 05 sekonda e 97 të qindtat, për vendin e gjashtë, ndërsa në lëshimin e dytë u pozicionua i treti me kohën 1:04.74 dhe me kohën e përgjithshme 2 minuta 10 sekonda e 71 të qindtat ia doli të ngjitet në podium për vendin e dytë final.

Ky rezultat vjen në një kohë kur disa javë më parë Xhepa garoi për Shqipërinë në Olimpiadën Dimërore 'Milano Cortina 2026' duke u renditur në pozitën e 34-t në Super-G dhe po në atë pozicion në Slalomin Gjigant.

Në 'Milano Cortina 2026' Shqipëria mori pjesë me katër skiatorë, ku veç Xhepës vendi ynë u përfaqësua edhe me Lara Colturin, Lisa Brungën dhe Semire Dautin, të gjithë në ski.

Denni Xhepa, i dyti në Slalomin Gjigant