Për herë të parë, një sezon me pritshmëri të jashtëzakonshme në sportin e skive për Shqipërinë do të nisë të shtunën. Lara Colturi, skiatorja e cila përfaqëson ngjyrat kuqezi, do të garojë në pistën e Solden, që është edhe gara e parë e kampionatit botëror. 18-vjeçarja sezonin e kaluar kaloi pritshmëritë dhe këtë vit është krijuar mundësia për të arritur majat.

“Vjet ishte të hynim në top 15-she. Pse? Për të patur të drejtën për të filluar në vendet e para në Olimpiadë. Vetëm në këtë mënyrë ke shansin të marrësh një rezultat të mirë. Duhet të shpjegojmë që një skiator sa më herët të niset aq më shumë shanse ka për sukses sepse dëmtohet dëbora,”-u shpreh fillimisht presidenti i FSHS Elvis Toçi.

Kampionati botëror nis në disiplinën ‘Giant Slalom’, ndërsa për Report TV presidenti i federatës shqiptare të skive Elvis Toçi shpjegon që garat e para nuk janë pika e fortë e Lara Colturit.

“Lara nuk ka patur rezultatin më të mirë në garën e parë, në Solden se ka dalë e 8-ta, e 7-ta, e 10-ta, e 29-ta njëherë, por ky është një vit i ri. Lara është pjekur. Pretendojmë minimalen që Lara të jetë në mesin e 10 më të mirave, por nëqoftëse është podium nuk do ti thonim jo,”-tha Toçi.

Falë paraqitjeve mbi pritshmëritë të sezonit të kaluar Lara Colturi në fillim të 2026 do të përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat Olimpike Dimërore, që e bën këtë sezon të jetë historik.

“Për herë të parë Shqipëria në sportet dimërore po hyn me pretendime për medalje. Të hysh me pretendime për medalje, në një sport jo të traditës, kjo ndodh vetëm falë Lara Colturit,”-deklaroi Toçi.

Presidenti i federatës shqiptare të skive premton se situata si në sezonin e kaluar, kur Lara rrezikonte të ikte për të përfaqësuar Italinë, nuk do të përsëriten falë mbështetjes që ka marrë nga qeveria.

“Për herë të parë sporti i skive ka marrë një mbështetje të jashtëzakonshme dhe na është premtuar edhe në vazhdim. Pa këto para nuk mund të kesh pretendime për kampionë bote,”-u shpreh presidenti i federatës shqiptare të skive Elvis Toçi.

Më herët, në një intervistë për Report TV, vetë Lara Colturi deklaroi se Lojërat Olimpike janë diçka speciale dhe ajo do të bëjë të pamundurën për të arritur rezultatin që më herët ka bërë e ëma e saj Daniele Ceccarelli, duke fituar medaljen e artë.