Orët e para të mëngjesit të sotëm një vjedhje është kryer në qytetin e Patosit. Pre e grabitjes ka rënë subjekti privat ku rreth orës tre të mëngjesit të kësaj të diel grabitësit kanë marrë një shumë të konsiderueshme parashë dhe dy automjetet luksoze. Pronari i subjektit Mehdi Kurteshi tregon se autorët kanë vjedhur 2800 euro, 60 000 lekë të reja si dhe dy automjeteve  të tipit “Audi”  dhe “Land Rover " që ishin në pronësi të tij. Ndërkohë në subjekt janë shkaktuar edhe  dëme të shumta materiale. Menjëherë pas ngjarjes shtetasi në fjalë ka bërë denoncimin  në polici duke sqaruar se nuk ka asnjë konfikt të mëparshëm. Sipas dyshimeve të para autorët mund të kenë qënë më shumë se dy persona, ndërsa për të zbardhur ngjarjen e plotë janë marrë pamjet filmike të kamerave të sigurisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:54
I grabitën 'Audi'-n me 'Range Rover'-in dhe paratë, pronari në Patos: Kamerat s'punonin, autorët i ndjeva, u futën nga dritarja


Medi Kurteshi, pronari i subjektit privat që shiste materiale ndërtimi dhe që u grabit në orët e para të ditës së sotme në Patos rrëfen se i ka ndjerë në një moment autorët, por nuk reagoi duke menduar se zhurmat vinin nga puna e një firme që po kryente punime. Ai thotë se kamerat e sigurisë nuk kanë funksionuar, ndërsa shton se kjo nuk ishte hera e parë që grabitej, por e treta. Report Tv sjell pamjet e kasafortës që autorët shkallmuan duke marrë lekët dhe çelësat e dy makinave “Audi” dhe “Range Rover" duke u larguar të pashqetësuar.

"Rreth orës 03:00 erdhën disa grabitës, u futën brenda ambienteve të punës nga dritarja dhe shkatërruan gjithcka, edhe kasafortën që ndodheshin vlera monetare dhe dy çelësave të makinave që sapo i kishim blerë. I kishim lënë në kasafortë për efekt sigurie. Në mëngjes kur u ngrita pashë që cdo gjë ishte e shkatërruar. Unë ndjeva dicka natën, zbrita tre katër shkallë nga kati i katërt dhe qëndrova një moment.

Menduam se do të ishte puna e Albstarit (firmës) me zhurma të mëdha. Kjo nuk është hera e parë që grabitemi, por jo të kësaj natyre. Nuk mund të them gjë për autorët, por duket se ka qenë e organizuar mirë. Kemi kamera sigurie, por nuk janë të nivelit të duhur. Kamerat nuk kanë funksionuar edhe për shkak të neglizhencës sonë.

Ne kërkojmë të gjenden grabitësit dhe të na kthehen sendet e vjedhura. Jemi të frikësuar, të pambrojtur. Nuk ka siguri, nuk hap dot derën e shtëpisë. Nuk kemi konflikte me askënd. Mendoj se grabitësit mund të kenë qenë tre" deklaroi ai.