‘Skllavëri e pasion’, në studion e Artan Makut ku jetësohen filmat e animuar! Artisti rrëfen ‘Kukullën’ në proces, punën në dy kohë, e tallazet e animacionit

Është i zhytur në misterin e imazheve që ka krijuar. Në studion e tij, pranë Shkollës së Baletit ku punon prej 17 vitesh, piktori e regjisori Artan Maku, po i jep dorën e fundit filmit të animuar “Kukulla”. Nga 2018-ta kur u aprovua nga Qendra e Filmit deri më sot, thotë se e ka transformuar 4 herë. Dëshironte që të arrinte rezultatin më të mirë e “Kukulla” të ishte një bashkëproduksion i suksesshëm me gjermanët, por iu desh që të pranonte kufizimet qysh në krye të herës.

“Shkova në Gjermani e kontaktova me dy produksione të cilët e pëlqyen shumë si fabul. Por fatkeqësia më e madhe ishte financimi i dobët që ne kemi për filmat e animuar. Kjo solli një pengesë shumë të madhe, dhe producentët gjermanë u tërhoqën sepse me këtë financim unë nuk u garantoja mbylljen e filmit. Konkretisht financimi ishte 9 mijë euro, dhe unë u thashë 25 mijë, por nuk mjaftonte. Kostoja që duhet me sa shikoj unë shkon mbi 80 mijë euro”, shprehet Maku.

Është autor i mbi 23 filmave të animuar, e fitues i një sërë çmimesh. I pari film “Dhelpra dhe iriqi” rezultoi problematik në 1981-shin për një shall të kuq që i kish vendosur mbi krye ujkut si personazh negativ. Po kështu një sërë tallazesh kaloi edhe për “Portretin” e rrëzuar në ’88-ën ku aludohej se Maku mund t’i referohej liderit komunist, fotoja e të cilës mbahej varur në muret e shtëpive. E megjithatë, thotë se në atë kohë filmi kishte mbështetje financiare e një staf të gjerë që realizonin produktin final. Ndërsa realizimi i “Kukullës” , nga zbërthimi i skenarit, tek koncepti regjisorial, jetësimi i dekoreve e karaktereve etj.,  e gjen thuajse të vetëm.

“Në momentin që unë gjendesha i vetëm dhe nuk kisha njeri tjetër duhet ti përshtatesha situatës. Tentova ta ktheja nga narrativ me koncepte të reja në 3d, ta kaloja me kartonin e lirë, por sërish më mori shumë kohë. Më ndihmoi faza e pandemisë, gjatë izolimit, në 3 muaj unë realizova dekoret e filmit. Për këtë  film që tashmë është afro 13 minuta nëse e krahasojmë me filmin “Kënga e fundit e mjellmës”, e cila kishte afërsisht 13 mijë vizatime, nëse konvertojmë lëvizjet shkon përafërsisht njësoj”, tregon artisti.

Veprimtaria artistike e Makut shtrihet në dy kohë e siç tregon procesi i punës ka pësuar një sërë ndryshimesh.

“Ndryshon, në sajë të teknologjisë, stafit etj. Unë në atë kohë kam pasur afro 40 punonjës, ndërsa tani nuk e kam më një mundësi të tillë. Pra, në atë periudhë ka qenë një armatë e tërë punonjësish... kanë qenë ekzekutuesit, animatorët, unë kam pasur 4 të tillë, ndërsa tani animacionin e kam bërë vetë. Pra kushtet janë skllavëruese. Realizimi i filmit të animuar është pasion e skllavëri. Pra, kushte mjerane!”, shprehet artisti.

Prej ’98-ës, janë mbi 60 filma të animuar të realizuar në vend sipas të dhënave të Qendrës Kinematografike, ku Maku ka një rol kyç, por tregon se situata ka ardhur duke u përkeqësuar...

“Në fillim pagesa ka qenë e mirë, afro 1, 8 milionë dhe gradualisht filloi të bjerë. Ardhja e kuadrove të reja solli rënien e filmit të animuar, edhe për faktin se ata nuk e njihnin fare filmin e animuar”, shprehet Maku.

Është kritik për përzgjedhjen e filmave që miratohen nga Qendra Kinematografike.

“Në ligj është që anëtarët e bordit që janë tre të huaj dhe dy shqiptar duhet të njohin mirë aftësitë e krijuesit që marrin pjesë me projektet e tyre në bord. E keqja është se nuk i shohin filmat që ata kanë bërë më përpara, karakteristikat që kanë krijuesit, dhe të gjykohet nëse duhet ti jepen apo mos ti jepen pikët, sepse mund të mos garantojë që kjo para merr vlerën e duhur artistike” , thotë artisti,

Filmi i animuar kërkon trajtim special sipas tij, e po ashtu edhe artistët që punojnë me të. Si një vepër arti që kërkon publikun si destinacion, fimi siç rrëfen Maku nuk mund të qëndrojë i mbyllur në arkiva, por duhet të shpërndahet në kinema e të shfaqet në televizion.

“Ka pasur zëra që thoshin, bëj si të duash, shkrepi disa fotografi edhe sille sepse në Arkiv do të shkojë.  E përmend këtë sepse ka lindur një mentalitet pranë  Qendrës Kinematografike që filamt nuk i shikon kush. Nuk i shikon publiku sepse nuk bëhen as politika distriubimi. Pra prodhimi i QKK-së dikur ka pasur një zyrë distriubimi, sot nuk e ka një të tillë”, shton më tej.

Prej pasionit dhe për ta trashëguar në brezat që vijnë, Maku mbështet filmin e animuar edhe përmes shoqatës Albanimacion, si dhe vijon prej 13 vitesh traditën e AniFestRozafa, Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për Fëmijë dhe të Rinj, por thotë se duhet që institucionet e Ministria e Kulturës të ndërgjegjësohen për rëndësinë e tij, e ta mbështesin që puna mos të ndërpritet.

“Shumë e njohin, ata që e kanë ndjekur AniFestin. Unë ndihem i privilegjuar se sa herë shkoj në Velipojë, më njohin. Vogëlushët e dikurshëm sot janë bërë 23 dhe thonë: Ky është artisti që ka bërë AniFestin! Por të them të drejtën, në të ardhmen do të jetë fatkeqësi nëse festivali nuk vazhdon”, rrëfen ai.

Në kinematografinë botërore filmi i animuar zë sot një vend të privilegjuar, ndërsa produksionet shqiptare kalojnë thuajse nën zë. Ndaj Maku bën thirrje që institucionet të mos lënë në hije artistët e filmit të animuar në vend e të krijojnë platforma konkrete mbështetëse.

“Para pak ditësh dëgjova një regjisor të madh grek çmim OSCAR, i cili ishte rritur dhe edukuar me frymën e festivalit për fëmijë ‘Olimpia’ dhe tha kush ka marrë pjesë dhe është edukuar nga filmat e festivalit, garantojmë që fëmijët nuk bëhen kurrë kriminela”, tregon artisti.

/LR/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

10 kuriozitete rreth Krishtlindjes të zgjedhura nga National Geographic

10 kuriozitete rreth Krishtlindjes të zgjedhura nga National Geographic