Kryeministri i Skocisë, Alex Salmond ka njoftuar se do të japë dorëheqjen nga ky post pasi votuesit vendosën kundër propozimit për ndarjen e tyre nga Britania e Madhe në referendumin e mbajtur, dy ditë më parë.
 
Lajmi u bë i ditur nga vetë Salmond i cili njoftoi se do të dorëhiqet edhe nga posti i kreut të Partisë Nacionaliste të Skocisë (SNP), post të cilin e mbante për rreth 20 vite. Dorëheqjen si lideri i SNP-së, Salmond tha se do ta japë në konferencën e partisë në nëntor.
 
Duke folur nga rezidenca e tij zyrtare në Bute House në Edinburg, kryeministri Salmond u shpreh se tashmë për të koha si kryeministër ka përfunduar:
 
"Për mua si udhëheqës koha ime është pothuajse e mbaruar, por për Skocinë fushata vazhdon dhe ëndërra nuk duhet të vdesë kurrë.” u shpreh Salmond
 
Ai bëri të ditur se për dorëheqjen nga posti i kryeministri skocez ka njoftuar edhe homologun e tij britanik.
 
“Fola me Kryeministrin dhe më bëri të ditur se nuk ka ndërmend të pranojë organizimin e një votimi më 27 mars për një ligj të ri për Skocinë, edhe pse ky ishte një premtim i pararendësit të tij, Gordon Braun. Kështu kam vendosur se nuk do të kandidoj më për postin e kryetarit të Partisë Nacionaliste Skoceze, dhe jap dorëheqjen nga pozicioni i Kryeministrit të Skocisë, për të lejuar një lider të ri që të udhëheqë partinë në zgjedhjet e ardhshme. Ishte një privilegj që arrita të mbaj këtë post për t’i shërbyer vendit tim” theksoi ai
 
Megjithatë ai tha se ndihet krenar për përgjigjen e popullit skocez për fushatën e pavarësisë së tyre nga Britania.
 
"Jam jashtëzakonisht krenar për fushatën “Po Skoci” dhe veçanërisht për 1.6 milionë votuesit të cilët u mblodhën për këtë shkak." tha Salmond
 
Në mbajtjen e referendumit, rreth 2 milionë votues i thanë jo ndarjes nga Britania kundrejt 1.6 milionë mbështetësve.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)