SKRAPAR- Pas fitores së koalicionit të majtë në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka zhvilluar një takim me anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së në qytetin e Çorovodës. Kreu i LSI u shpreh se fitorja në Qarkun e Beratit ka qenë rezultat i të gjithë kandidatëve për deputet që punuan si një ekip i shkëlqyer dhe përcollën frymën e bashkëpunimit kudo në të gjitha strukturat.
 
“Padyshim që në themel të këtij suksesi është puna e secilit prej jush, e gjithë drejtuesve të LSI-së në nivel vendor dhe të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve tanë. Ka qenë vërtetë një fushatë e jashtëzakonshme, ka qenë një fushatë me një bindje të plotë se ishte radha e LSI-së për të treguar vlerat e saj të vërteta”, tha Meta.
 
Duke u ndalur tek proceset e kaluara zgjedhore, Meta tha se “në 2005 dhe në 2009 LSI u ndesh jo thjesht me partitë e mëdha, por me një sistem shtypës dhe shkatërrues të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.
 
Ndërsa shtoi se “qëndrueshmëria e LSI-së, mbijetesa, drejtësia e çështjeve që kjo forcë politike ka mbrojtur gjithmonë bëri të mundur që në vitin 2013, më 23 qershor, të arrinte një sukses mëse të merituar”.
 
Më tej, kreu i LSI u zotua për mbajtjen e premtimeve të bëra për punësimin, por edhe për ta gjallëruar jetën e komunitetit në Çorovodë.
 
Meta tha se duke u fuqizuar LSI si forcë politike forcohet stabilitetit i vendit, ndihmohet çdo qytetar shqiptar që të shikojë një politikë e cila merret me ekonominë dhe nuk merret retorika boshe.
 
“Sepse edhe qytetarët shqiptarë e duan fuqizimin e LSI-së dhe kontribuuan me votën e tyre për këtë qëllim, sepse duke u fuqizuar LSI-në si forcë politike forcohet stabilitetit i vendit, ndihmohet çdo qytetar shqiptar që të shikojë një politikë e cila merret me ekonominë dhe nuk merret retorika boshe. Një politikë e cila merret me punësimin e qytetarëve dhe nuk merret me shtimin e andrallave për ta, një politikë konkrete, një politikë që flet pak dhe që përpiqet të bëjë sa më shumë për qytetarët dhe komunitetin”, u shpreh kryetari i LSI-së.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)