Në Ministrinë e Kulturës u zhvillua sot një konferencë për shtyp ku u prezantua simpoziumi ndërkombëtar "Skulptura e Parkut", e cila ka nisur në Korçë më datë 30 gusht e do të vazhdojë deri më 10 shtator 2014.

Ky aktivitet, i  ideuar nga Genti Tavanxhi, po kontribuon për ngritjen  e Muzeut të Artit Bashkëkohor  duke eksperimentuar mbi funksionet që ka vepra e artit në hapësirat e reja urbane.

Zhvillimi i tij bëhet në parkun "Rinia", mjedis i propozuar nga bashkia e qytetit të Korçës dhe mundëson që jo vetëm qytetarët por edhe turistët të shohin se si artistët e transformojnë një bllok guri në vepër arti.

Këto vepra abstrakte që realizohen me gurë të bardhë, me blloqe masive mbi 2 metra, me dimensione dhe forma të paracaktuara nga vetë artistët, konkretizojnë gjeografinë e vendit të origjinës, formimin artistik të skulptorëve, bukurinë estetike si dhe miksimin e historisë, misticmizmit dhe traditës së popujve.

Artistët pjesëmarrës të këtij simpoziumi ndërkombëtar janë: Ayla Turan, Turqi, Attila Rath Geber, Hungari, Antonis Myrodias, Greqi, Genti Tavanxhiu, Itali.

Ky aktivitet fillimisht  u krijua në vitin 2008 në Korçë, ku skulptorë nga e gjithë bota realizuan 32 vepra të artit bashkëkohor.

Në simpoziumin e këtij viti do mbahen edhe laboratorë për fëmijët, në projektin "Të gdhendim të ardhmen" prezantuar nga Genti Tavanxhiu./ATSH/