Duke folur rreth perspektivës evropiane të Shqipërisë, Lajčák theksoi se Shqipëria e meriton marrjen e statusit të vendit kandidat ndërsa shprehu mbështetjen e Sllovakisë duke ofruar njëkohësisht dhe ekspertizën sllovake në fushën e integrimit evropian. Ministri Lajčák tha se Shqipëria duhet të vijojë për t’i paraprirë fazave të tjera të procesit.
Bashkëbiseduesit u ndalën tek fushat e bashkëpunimit rajonal duke ndarë mendimin se, megjithëse Ballkani Perëndimor ka shënuar progres të dukshëm gjatë viteve të fundit, ende mbeten sfida që kanë të bëjnë me aspektet e shtet-ndërtimit demokratik dhe sundimit të së drejtës në ekonomi.
Ndërkohë në fjalën e tij ministri Bushati vlerësoi ndihmën dhe ekspertizën e ofruar nga Sllovakia lidhur me aspiratat evropiane të Shqipërisë.
“Eksperienca e vendeve të Vishegradit, dhe përkatësisht e Sllovakisë, mbeten frymëzuese dhe orientuese për aspiratat evropiane te Shqipërisë”, u shpreh Ministri Bushati.
Të dy Ministrat u ndalën gjithashtu tek aspektet konkrete të thellimit të bashkëpunimit dypalësh, duke veçuar këtu rritjen e kapaciteteve të administratës publike, politikat fiskale dhe përthithjen e investimeve të huaja.
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)