Sllovakia ka ofruar gadishmërinë për të asistuar teknikisht dhe me burime njerëzore për Shqipërinë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Kjo është bërë e ditur nga ministri i Jashtëm i Sllovakisë Miroslav Lajcak, në një takim që pati në Nju Jork me kryediplomatin shqiptar Ditmir Bushati. Të dy diplomatët vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve dhe konfirmuan angazhimin për te intensifikuar dialogun në nivel politik.

Ministri Bushati siguroi Ministrin Lajcak për vendosmërinë e qeverise se re për te institucionalizuar dhe depolitizuar procesin e integrimit evropian, duke e bërë atë një proces gjithë përfshirës. Ministri Lajcak ftoi Ministrin Bushati për një vizitë zyrtarë ne Bratislavë. Një tjetër takim Bushati e ka zhvilluar me homologun e Ajzerbaxhanit, Elmar Mammadayarov ku kryefjala e takimit ka qenë gazësjellësi TAP. "Vendimi strategjik i gazsjellësit TAP është një mundësi e madhe për ekonominë shqiptare dhe përfshirjen e vendit në rrjetin ndërkombëtar të gazsjellësve", deklaroi ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në takimin e zhvilluar me Ministrin e Jashtëm të Azerbajxhanit, Elmar Mammadayarov. Bëhet e ditur se gjatë takimit u vlerësuan si prioritete të raporteve dypalëshe intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, si dhe lëvizja e lirë e njerëzve, ndërsa projekti TAP u vlerësua si një model i mire i bashkëpunimit ndër-rajonal.

Pala azere shprehu interes në gazifikimin e Shqipërisë, si dhe vlerësoi rolin e vendit tonë jo vetëm si pikë tranziti, por dhe si një pikë e rëndësishme shpërndarjeje për të gjithë rajonin. Ministri Bushati zhvilloi një takim edhe me homologun e tij të Sllovenisë, Karl Erjavec ku u diskutua mbi thellimin e raporteve në nivelin politik dhe intensifikimin e raporteve ekonomike me interes për të dy vendet nëpërmjet forumeve ekonomike dypalëshe. Zhvillimet në rajon ishin pjesë e bisedës ku u vlerësua marrëveshja Kosovë-Serbi, si dhe ndërtimi i një fryme konstruktive për mbarë rajonin në rrugën e integrimit evropian.

Shkrimi u publikua sot (27.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)