TIRANE - Qindra qytetarë të kyeqytetit i janë bashkuar dje protestës së Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë. Protesta jo rastësisht u zhvillua dje në ditën Ndëkombëtare të Punëtorëve, dhe pikërisht te sheshi i “Ushtarit të Panjohur”, që është edhe sheshi i të papunëve.

Protestuesit kanë qenë të shumë, por një ndër ta ishte edhe Sokol Arapi, i cili që prej 22 vitesh ka qëndruar te sheshi i “Ushtarit të Panjohur”, në kërkim të një pune. Sokoli është një mesoburrë, i cili çdo ditë sfidon shiun dhe diellin për të gjetur një punë.

Ai ka 22 vite që qëndron te ky shesh që tashmë është bërë vendi i tij i punës. Sokoli tregon se ka bërë shumë profesione në jetë vetëm për të fituar disa të holla për të jetuar dhe ushqyer. 50 vjeçari tregon se me profesion është elektricist, por punët që ka bërë janë të ndryshme.

“Unë jam elektriçist në profesion. Por, këto 22 vite që kam qendruar te “Ushtari i Panjohur”, kam bërë punë nga më të ndryshmet. Kam hapur kanale, kam shtrirë kablla, kam punuar në ndërtim dhe shumë lloje punësh të tjera” tregon Sokoli.

Ai më tej thotë se tani nuk ka punë dhe ka raste kur java i mbyllet pa asnjë ditë pune. “Puna këto vite ka kohë që ka rënë, ka raste që java më mbyllet pa bërë asnjë ditë pune. Nuk kemi më çfarë të bëjmë tani, na ka mbetur vetëm të mbledhim kanaçe nëpër kazanë.

Por edhe atë nuk e bëjmë dot se nuk na i lë bashkia.”shprehet Arapi.Dje ishte dita e tij, dita për të kërkuar gjënë më minimale të jetesës, një vend pune për të garantuar të ardhura për familjen e tij.

Si Sokoli, ka edhe shumë të tjerë, të cilët nuk e dinë se çfarë është një vend pune normal, por varen nga sa klientë do të gjejnë në ditë. Të ardhurat e kësaj pune të pasigurtë, janë nën minimumin jetik, dhe mungesa e një profesioni të caktuar, u ka kushtuar rëndë punëtorëve.

Ndërsa gjatë protesëtës ka pasur dhe shumë fjalime dhe deklarata që janë mbajtur nga organizatorët e saj. “Nëse ne do të kemi çlirim shtetëror, do të kemi liri, demokraci, realizim të të drejtave të njeriut.

Do të kemi realizim të të drejtave të njeriut, do të kemi mirëpagesë, do të kemi mirëqenie do të kemi punë dhe dinjitet. Ju ftoj të gjithëve ti bashkohemi sindikatave si e vetmja forcë shoqërore, të cilat janë promotor i lëvizjes.

Largohemi nga mashtrimi dhe slloganet politike, të cilat i përdorën shqiptarët si ushtarët në rresht për vota, nuk i përdorin për të rregulluar ekuilibrat sociale, nuk i përdorin për t’i mirëqeverisur dhe për t’i mirëpaguar, po i përdorin për t’i shfrytëzuar” u shpreh Kol Nikolli kreu i Konfederatës së Sindikatave.

Kurse Arlind Qorri nga organizata politike tha “Ky Partizan i Panjohur nuk e njeh qytetin për të cilin ka rënë. Përpara tij shkojnë punëtorët e kërcënuar nga vdekja në punë, nga paga mjerane, nga mospasja e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe nga mungesa e të drejtave të organizimit.

Përpara tij kalojnë më të shtypurat në punë dhe jashtë saj, gratë dhe vajzat e fasonerive, rrobaqepësive, të shfrytëzuar dyfish edhe brenda familjes”, përfundoi ai.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 02.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)