Solarët, 20% më shumë
risk për kancer të lekurës

Solarët, 20% më shumë <br />risk për kancer të lekurës
Çfarë është rrezatimi ultraviolet?
Të gjitha rrezatimet janë një formë energjie, pjesa më e madhe e të cilave janë të padukshme për syrin e njeriut. Rrezatimi ultraviolet (UV) është vetëm një formë e rrezatimit dhe matet përmes shkallës së spektrit elektromagnetik. Rrezet UV zënë pjesën e spektrit midis rrezeve X dhe dritës së dukshme nga syri. Burimi më i zakonshëm i dritës UV është dielli, i cili prodhon tre tipa rrezesh UV: UVA, UVB dhe UVC. UVA dhe UVB kalojnë përmes atmosferës, ndërsa të gjitha rrezet UVC dhe një pjesë e UVB absorbohen nga shtresa e ozonit. Prandaj, pjesa më e madhe e rrezeve UV me të cilat bien në kontakt janë UVA dhe pak UVB. UVB kanë gjatësi vale të shkurtër dhe arrijnë deri në shtresën e jashtme të lëkurës (epidermë). UVA kanë gjatësi vale më të gjatë dhe mund të depërtojnë deri në shtresën e mesme të lëkurës (dermë).

Efektet e rrezatimit UV në trupin tonë
Si UVA, edhe UVB mund të shkaktojnë dëmtime të lëkurës. Djegia nga dielli është shenjë e mbiekspozimit afatshkurtër, ndërsa plakja e parakohshme e lëkurës dhe kanceri i saj janë efekte anësore nga ekspozimi i zgjatur. Megjithatë, ekspozimi ndaj rrezeve UVB ndihmon lëkurën të prodhojë vitaminën D, e cila luan një rol thelbësor, së bashku me kalciumin, për shëndetin e kockave dhe muskujve. Në përgjithësi, njerëzit me ngjyrë lëkure mesatare në të errët janë më pak të ndjeshëm ndaj rrezeve UV. Njerëzit që duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm në diell janë ata me lëkurë të zbehtë, njerëzit me flokë biondë, të kuq ose kafe të çelur dhe ata që janë trajtuar për kancer të lëkurës.

Djegia nga dielli
Djegia nga dielli, e quajtur edhe eritemë, është një nga shenjat më të qarta të ekspozimit ndaj rrezeve UV dhe e dëmtimit të lëkurës. Shpesh karakterizohet nga skuqja dhe zhveshja e lëkurës (zakonisht pas disa ditëve). Është një formë e dëmtimit afatshkurtër të lëkurës.
Kur rrezet UV arrijnë në lëkurë, ato dëmtojnë qelizat në epidermë. Si përgjigje ndaj kësaj, sistemi imun rrit fluksin e gjakut në zonat e prekura. Kjo i jep ngjyrën e kuqe karakteristike dhe e ngroh lëkurën. Në të njëjtën kohë, qelizat e dëmtuara të lëkurës çlirojnë substanca që dërgojnë mesazhe në të gjithë trupin derisa përkthehen si një ndjesi djegieje e dhimbshme nga truri. Qelizat e bardha të gjakut, të cilat na mbrojnë nga infeksionet dhe sëmundjet, sulmojnë dhe largojnë qelizat e dëmtuara të lëkurës. Është ky proces i largimit të qelizave të dëmtuara, i cili shkakton kruarjen dhe zhveshjen e lëkurës.
Për trajtimin e djegieve të lehta nga dielli rekomandohen banjo të ftohta, krem me hidrokortizon dhe aspirinë për të pakësuar dhimbjen dhe ënjtjen.

Plakja e parakohshme
Ndonjëherë e quajtur edhe “fotoplakja”, plakja e parakohshme e lëkurës është rezultat i ekspozimit pa masa mbrojtëse ndaj rrezatimit UV. Lëkura është e trashur, e rrudhur dhe me njolla të errëta. Megjithëse nuk dihen saktësisht shkaqet e këtij procesi, ekspozimi ndaj rrezeve UV të dëmshme shkatërron fibrat e kolagjenit dhe elastinës në lëkurën e shëndetshme dhe shkakton rrudha dhe lëshim të lëkurës. Ky është një efekt afatgjatë ndaj ekspozimit ndaj rrezeve UV, prandaj shfaqet shumë vite pas.

Keratozat diellore
Këto përbëjnë shqetësim pasi mund të përparojnë në një kancer të lëkurës, prandaj konsiderohen si stadi më i hershëm i kancerit të lëkurës. Shkaktohen nga ekspozimi i zgjatur ndaj dritës së diellit. Për t’i dalluar, kërkoni lytha ose pjesë të ngritura të lëkurës, me teksturë të ashpër ose të deskuamuar në zonat e ekspozuara në diell. Pjesa më e madhe e tyre trajtohen te dermatologu duke u hequr me azot të lëngshëm apo përmes lëndëve të tjera kimike.

Fotokeratiti
Fotokeratiti mund të imagjinohet si një djegie nga dielli e kornesë së syrit. Quhet gjithashtu si “verbërimi i dëborës”, duke qenë se shumë njerëz e shfaqin këtë sëmundje në lartësi të mëdha në vende me borë ku pasqyrimi i rrezeve UVB është i lartë. Shkaktohet gjithashtu nga ekspozimi ndaj burimeve artificiale të fuqishme të rrezeve UVC/UVB, si llampat e thyera të merkurit apo disa solarë specifikë. Kjo sëmundje shfaqet me dhimbje, ënjtje të kapakëve të syrit, ndjesinë e trupit të huaj në sy, pakësim të shikimit dhe lotim.
(mg/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Reshje shiu me intensitet të ulët, si parashikohet moti për sot

Reshje shiu me intensitet të ulët, si parashikohet moti për sot