Sondazhi i Shqiptarja.com,Gjoni:
Pse mora më shumë vota se Rama/ 

Sondazhi i Shqiptarja.com,Gjoni: <br />Pse mora më shumë vota se Rama/ 
TIRANE - Deputeti socialist Ilir Gjoni ka falenderuar përmes profilit të tij në rrjetin social Facebook të gjithë ata që dhanë mbështetjen e pakursyer për të gjatë gjithë kohës dhe sidomos në votimin e sondazhit online të Shqiptarja.com.

Rezultati për të sipas tij ishte befasues, por njëherësh tregoi dhe superioritetin moral të krytetarit të PS Edi Rama që lejoi rrjedhën normale të votimit pa e cenuar aspak, duke lëvizur në këtë mënyrë në formatin e një lideri të padiskutueshëm.

Por që nuk ka kaluar pa komentin dhe të nënkryetarit të grupit parlamentar të PS Erjon Braçe, që vlerëson përpos Gjonit dhe kreun e PS Rama e deputetin Ylli. “Të nderuar miq e dashamirës! Ju përshëndes dhe ju falenderoj dhe një herë për mbështetjen e pakursyer që më keni dhënë gjatë gjithë kësaj kohe e sidomos në votimin e sondazhit të organizuar nga shqiptarja.com.

Deshiroj të bëj një koment të shkurtër lidhur me rezultatin që ishte befasues dhe për mua. Se pari do ishte naive e absurde të diskutohej (siç bëjnë disa me dashakeqësi) për superioritetin e votave qe më janë dhënë përkundrejt kolegëve të mi”, shkruan deputeti Gjoni në Facebook, vetëm disa orë pas mbylljes së sondazhit.

Duke dhënë njëherësh vlerësime maksimale për kreun e PS, por dhe shigjetuar elementë brenda partisë ku militon. “Për mua ky sondazh tregoi pa diskutim superioritetin moral të kryetarit të PS që, ndryshe nga ndonjë "udhëheqës" axhami që u jepte porosi strukturave në varësi për ta votuar,(gjë të cilën Rama mund ta bënte pa mundim) e lejoi rrjedhën e votimit të pacenuar duke treguar që është një lider modern i padiskutueshëm.

Kjo veçse e lartëson figurën e tij dhe zhvlerëson njëkohësisht liderucat që reputacionin e tyre e mbështesin vetëm në fiktivitet dhe krekosje kokoroshe”, tha Gjoni. Në sondazhin pesëditor të shqiptarja.com, i vendosur në qarkun e Tiranës Gjoni mori 2665 vota, ndërsa në vend të dytë kreu i PS, Edi Rama me 2619 vota, në vend të tretë deputeti i Beratit Fidel Ylli me 2569 vota dhe në vend të katërt numri dy i grupit të PS, deputeti i qarkut të Beratit Erjon Braçe me 2255 vota.

Në profilin e tij poshtë statusit të vendosur në Facebook deputeti socialist ka marrë komentet e shumë miqve, mes të cilëve dhe të deputetit Erjon Braçe dhe Arben Isaraj. “Urime Ilir. Edi, ti dhe Fideli e meritoni, jeni më të mirët! Jam krenar që votova dhe do të votoj për ty”, shkruan Braçe në komentin e tij për statusin e Ilir Gjonit.

Ndërsa deputeti i qarkut të Vlorës Arben Isaraj shkruan: “Hahahaha... o Er-ë e Jonit, o Erë e Jugut, si shumë shqiptar më duket ky emri Iilir..”. Ndërksa komentatorët tjerë shkruajnë se Gjoni e meriton votën, dhe të gjithë socialistët por dhe shqiptarët e ndershëm duhet të votojnë PS dhe kandidatët e saj, pasi kjo forcë politike është e aftë të bëjë shtet dhe t’u dalë për zot shqiptarëve dhe trojeve shqiptare.

Por debatet kanë vijuar dhe në faqet personale të deputetëve të tjerë të PS në facebook, me të cilat kanë përcjellë sondazhin e shqiptarja.com i cili tronditi jo vetëm PS por dhe shoqërinë shqiptare, pasi për herë të parë hidheshin për votim të lirë për qytetarët të gjithë ata që mendohet se mund të kandidojnë për dy partitë e mëdha në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, duke dhënë në këtë mënyrë dhe tendencën e votës së elektoratit, por dhe orientimin për krerët e partive për emrat më të pëlqyer si kandidatë nga komuniteti.

Ndërkohë që në PS vijon gjendja e tensionit për shkak të listave për kandidatë. Kreu i PS Rama, duke publikuar emra të caktuar si kandidatë për deputetë, kryesisht prurje të reja por e anëtarë kryesie, siç është rasti i Pezës, Celibashit, Muçmatës e Lindita Nikollës si prurje të reja për kandidim për deputet, por dhe vendosjen e Kodhelit në krye të listës në Lezhë, si dhe mundësia e moslëvizjes së anëtarëve të kryesisë në të gjitha qarqet që kryesojnë listat, po tenton të evitojë përplasjet dhe përçarjet.
ilir gjoni
(Foto: Komenti i Ilir Gjonit në facebook)

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 10.03.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Stacioni policor në Zveçan sulmohet me dy granata dore

Kosovë/ Stacioni policor në Zveçan sulmohet me dy granata dore