Elon Musk, doli së bashku me Presidentin e sapozgjedhur Donald Trump në Mar-a-Lago, menjëherë pas zgjedhjeve, me sigurinë që shfaqi edhe vetë kandidati fitues.
“Publiku na ka dhënë një mandat që nuk mund të ishte më i qartë se kaq. Populli foli. Populli dëshiron ndryshim", i tha zoti Musk audiencës së donatorëve më të mëdhenj të zotit Trump dhe drejtuesve të fushatës elektorale.
"Ne do t'i shkundim gjërat. Do të bëjmë revolucion", shtoi ai.
Lidhja e zotit Musk me zotin Trump ka krijuar një aleancë mes politikanit më të fuqishëm të Amerikës dhe biznesmenit më të pasur të saj. Një përqindje pothuajse e barabartë amerikanësh kanë pikëpamje pozitive për secilin, sipas një sondazhi të ri nga qendra ‘NORC’ për Kërkime në Fushën e Çështjeve Publike dhe agjencia e lajmeve ‘AP’.
Ekspertët janë të ndarë nëse kjo është një gjë e mirë, apo e keqe për bizneset e zotit Musk, apo për politikën e zotit Trump.
Por kjo mund të ketë ndikim të gjerë në të dyja sferat.
Zoti Musk, pasuria e të cilit arrin në 400 miliardë dollarë, mbikëqyr gjashtë biznese, ndërsa vazhdon të punojë ngushtë me zotin Trump mes tyre: kompaninë prodhuese të makinave elektrike ‘Tesla’, platformën e mediave sociale ‘X’, kompaninë e teknologjisë hapësinore ‘SpaceX’, kompaninë ‘Neuralink’, e cila synon të ndihmojë njerëzit me paralizë të komunikojnë nëpërmjet mendimeve të tyre, falë pajisjesh që u vendosen në tru, kompaninë ‘xAI’, me mision për të avancuar zbulimin shkencor dhe për të fituar një kuptim më të thellë të universit nëpërmjet inteligjencës artificiale, si dhe kompaninë ‘The Boring Co’ që ndërton tunele të sigurta dhe me kosto të ulët transporti të shërbimeve e mallrave.
“Edhe pse ka një ndikim negativ, çka mund të çojë në izolimin e një pjesë të klientëve që mund të mos jenë mbështetës të zotit Trump, përfitimet do të jenë më të mëdha sesa humbjet, kur bëhet fjalë për të pasur një pozitë si krahu i djathtë pranë zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë”, thotë Dan Ives, një analist në kompaninë e shërbime finaciare ‘Wedbush Securities’.
Ross Gerber, drejtor ekzekutiv i kompanisë ‘Gerber Kawasaki Wealth and Investment Management’, (kompani e menaxhimit të invetimeve dhe shërbimeve finaciare) thotë se është një investitor në kompaninë Tesla të zotit Musk.
Ai zotëron një makinë Tesla ‘Cybertruck’, që ka marrë shumë vëmendjeje, por që ka qenë gjithashtu subjekt shqetësimesh lidhur me sigurinë.
“Duke pasur një drejtor ekzekutiv që nuk punon në kompaninë ku keni invstuar e që do të ngarkohet me detyrën për të pushuar punonjësit e qeverisë ... si aksioner, si investitor, unë po paguaj për dikë që të mos punojë për kompaninë në të cilën kam investuar”, tha ai, duke e quajtur këtë diçka të padrejtë.
Por pavarësisht skepticizmit të tij, zoti Gerber thotë se do të vazhdojë të investojë në bizneset e zotit Musk.
"Kam bërë shumë para me Elonin", tha ai. "Unë nuk i jam futur investimeve bazuar tek popullariteti i drejtuesit ekzekutiv”.
Mbështetja ndaj zotit Musk është pothuajse e barabartë me atë të zotit Trump
Zoti Musk nuk duket se e ndihmon zotin Trump me atë kategori njerëzish që nuk e mbështesin presidentin e ardhshëm.
Ai nuk është më popullor në mesin e amerikanëve sesa vetë presidenti i zgjedhur dhe po kështu rreth gjysma e amerikanëve, nuk mbështesin as atë dhe as zotin Trump, sipas sondazhit.
Rreth 40 për qind e amerikanëve kanë një pikëpamje disi, ose shumë të favorshme për personin më të pasur në botë, shumë e ngjashme me përqindjen që mbështesin zotin Trump.
Po kështu, rreth gjysma e amerikanë në moshë të rritur kanë një pikëpamje disi, ose shumë të pafavorshme për zotin Musk - shifër sërish e ngjashme me mbështetjen që gëzon zoti Trump.
Sipas një eksperteje politike, zoti Musk është personi ideal për t’i vërtetuar zotit Trump imazhin që ka kultivuar për veten si një biznesmen i suksesshëm, që po e mbush kabinetin e tij apo ka përzgjedhur për këshilltarë kryesorë biznesmenë miliarderë.
"Zoti Trump ka përhapur gjithmonë imazhin e një biznesmeni shumë të suksesshëm. Qënia e Muskut me të, e përforcon këtë imazh, se ai është personi i duhur për ekonominë, i mirë për të gjithë për të fituar para", thotë Christine Matthews, e cila merret me anketa kombëtare e që ka punuar për republikanët.
Zoti Musk zotëron edhe kompaninë ‘X’, platformën e mediave sociale të njohur më parë si ‘Twitter’, të cilën e ktheu në një megafon të ideve konservatore.
Pasi shpenzoi rreth 250 milionë dollarë për të mbështetur zotin Trump në zgjedhje, zoti Musk ka sinjalizuar se është i gatshëm të mbështesë garat e republikanëve për Kongresin në vitin 2026, që përkojnë me mesin e mandatit të presidentit.
Zoti Trump e ka ngarkuar atë të udhëheqë një grup, që do të merret me zvogëlimin e qeverisë federale dhe të rregullave federale.
Musk dhe bizneset që zotëron
Tesla pritet të sigurojë fitime të konsiderueshme nën administratën Trump, e cila ka kërcënuar të heqë subvencionet për energjinë alternative dhe automjetet elektrike, gjë që do të dëmtonte më shumë konkurrentëve më të vegjël të Teslës. Po ashtu planet e zotit Trump për tarifa të mëdha mbi importet kineze e bëjnë më pak të ngjarë që makinat elektrike kineze të shiten me shumicë në Shtetet e Bashkuara në një të ardhme të afërt.
Disa analistë besojnë se roli i miliarderit do të shërbejë për të krijuar një klimë shumë miqësore për Teslën në vitet e ardhshme.
Zoti Ives, analist në kompaninë ‘Wedbush Securities’, thotë se marrëdhënia e zotit Musk me zotin Trump mund të "revolucionarizojë historinë e Teslës, veçanërisht rreth robotikës, inteligjencës artificiale apo makinave pa shofer".
Investitorët, tha ai, janë optimist për zotin Musk dhe e shohin ngjitjen e tij në politikë, si një rast i veçantë, që ia vlen të festohet.
Ndryshe nga zoti Gerber, zoti Ives beson se eliminimi i përfitimit deri në 7 mijë dollarë nga taksat për individët që blejnë një makine elektrike dhe heqja e subvencioneve për prodhuesit amerikanë të makinave, makinave ‘Hyundai’ si dhe kompanive të tjera, do të krijojë mundësi për Teslën.
Aksionet e Teslës në bursë shënuan një rekord të martën. Shumë nga fitimet e fundit të kompanisë u regjistruan pas fitores së zotit Trump.
Por zoti Gerber mendon se kjo rritje ndodhi për shkak se investitorët besojnë se Tesla do të ketë një avantazh kur bëhet fjalë për makina autonome, pa shofer, pasi zoti Trump mund t'i japë kompanisë licencë në rang kombëtar.
Megjithatë, ai mendon se Tesla do të jetë "humbësi i madh" mes bizneseve të zotit Musk për shkak të premtimit të zotit Trump për t'i dhënë fund përfitimit nga taksa për blerjen e një makine elektronike.
Kompanitë e tjera të zotit Musk – përfshirë atë që lidhet me inteligjencën artificiale 'xAI' – mund të shijojnë rezultatet ose avantazhet pozitive të punës së miliaderit me administratën Trump, tha ai.
“Inteligjenca Artificiale është një investim transformues që do të kërkojë miratimin e shumë rregulloreve, veçanërisht rreth sigurisë dhe informacionit”, tha zoti Gerber duke shtuar se kjo gjë e favorizon zotin Musk duke qenë “aty ku është".
Marrëdhënia mes zotit Trump dhe zotit Musk është unikë në historinë e vendit, tha David Nasaw, biograf i dy manjatëve amerikanë të biznesit, Andrew Carnegie dhe William Randolph Hearst.
Ai vë në dukje se suksesi i zotit Musk, ndryshe nga ai i manjatëve të tjerë, është mbështetur tek subvencionet dhe vendimet e qeverisë që kanë qenë në favor të bizneseve të tij, nga kompania ‘Tesla’ tek ‘SpaceX’.
"Ai është një person i rrallë", tha zoti Nasaw duke iu referuar zotit Musk./ VOA