Sonte “Përjetësisht dashuria”
premierë në Teatrin Kombëta

Sonte “Përjetësisht dashuria” <br />premierë në Teatrin Kombëta
Pas një kohe të gjatë brenda sirtarit të dramaturgut Mihal Luarasi, drama lirike “Përjetësisht Dashuria” shfaq premierën e saj sonte në Teatrin Kombëtar. Shfaqja e shumëpritur rikthen në skenë ikonën 85 vjecare të artit, Drita Pelinku. Në krah të saj, në rolin e dytë dhe të fundit të kësaj drame interpreton aktori Vangjel Toce. Regjia i përket sërish Luarasit ashtu sic ka ndodhur me veprat e mëparshme të shkruara prej tij. “Përjetësisht dashuria…” rikthen në skenën e teatrit temën e vetmisë së brezit të tretë, atë që vite më parë Ruzhdi Pulaha e kishte prekur me “Strehën e të dashuruarëve” tepër të bujshme për kohën sepse hapi skenën për shumë aktorë të brezit të tretë që kishin mbetur si spektatorë. Në këtë drejtim edhe “Përjetësisht dashuria” rikthen në skenë aktoren Pelinku që ishte shprehur se e kishte thënë fjalën e saj të fundit në skenë. Por në këtë rast Mihal Luarasi ka arritur të thyejë premtimin e aktores, me një dramë të shkruar enkas për të dhe që me sa duket ka qenë ëndërr e saj për tu realizuar. Historia e dramës rrëfen për dy protagonistët, Zarina dhe i shoqi, Dioni, të cilët janë pensionistë mbi të shtatëdhjetat që jetojnë vetëm pas largimit të fëmijëve në emigracion. Përmes problemeve të ekzistencës së përditshme, lajmotivi kryesor është biseda për fëmijët, gjithnjë e më të huaj, gjithnjë e më indiferentë për fatin e prindërve që kanë lënë pas. Por ajo që i mundon më shumë bashkëshortët dhe ata nuk e thonë kurrë, është frika se mos tjetri vdes i pari. Ata do të jenë dyfish të vetmuar, pa asnjë shpresë për të jetuar të nesërmen. Askush nuk flet për vdekjen, por sejcili shpreson në heshtje të vdesë i pari. Ngjarja zhvillohet brenda 24 orëve. Fillon me një ëndërr “parafolëse” që ka parë Zarina gjë që hap mes tyre plagë të vjetra dhe vuajtje të reja, rikthime në të shkuarën e dashurisë, të xhelozisë, të pasionit të tyre të pashuar …
Ndërsa dy pleqtë mundohen ta jetojnë jetën e tyre ashtu si munden, një ngjarje metaforike e trondit paqen e tyre te lodhur: në mbrëmje herët, ata zbulojnë se shtëpia e tyre është e rrethuar me mure me tulla, duke krijuar kështu një paradhomë të vdekjes, ku nuk punon telefoni, mungon energjia elektrike. Dështon kërkimi i ethshëm për të zbuluar shkakun. Të dorëzuar bashkëshortët bien të flenë për të pritur vdekjen.
Të nesërmen i zgjon zilja e fshatares që sjell qumështin. Të çuditur shohin se kanë fjetur të veshur: tringëllon telefoni, është një dite e re, me diell. Mos ishte vallë ëndërr ajo ç’ka kaluan!? Paqja e mëngjesit prishet nga ëndrra e përsëritur e Zarinës. Ajo është besimtare dhe, si e tillë, beson se Zoti nuk i ka ruajtur një vend në parajsë të shoqit që ka qënë ateist dhe mëkatar. Por dashuria e një gruaje është më e madhe se gjithçka tjetër, edhe se dashuria për Zotin. Kështu, Zarina i lutet Zotit që të mos e ndajë nga Dioni në botën tjetër. Nëse Dioni është në ferr, në ferr le të shkojë edhe ajo, mjafton të jenë bashkë.
Cfarë ndodh më tej? Natyrisht kjo mund të zbulohet në shfaqje, ku përvec finalizimit të dramës merren edhe përjetimet nga interpretimi i Drita Pelinkut. E përderisa drama është e lidhur kryekëput me qenien e saj brenda dhe jashtë skenës, emocionet pritet të jenë të forta.

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Nga Pëllumb Gjoka, tek Kasandër Noga dhe Gjergj Cukali, ja 51 emrat e plotë të operacionit të SPAK-ut

Nga Pëllumb Gjoka, tek Kasandër Noga dhe Gjergj Cukali, ja 51 emrat e plotë të operacionit të SPAK-ut