Krerët e shtetit dhe politikës kanë uruar shqiptarët për Vitin e Ri 2026. Nga Presidenti Bajram u shpreh se ndërrimi i viteve është një moment reflektimi dhe shprese, duke nënvizuar se puna e ndershme, përkushtimi dhe investimi te brezi i ri janë themeli i Shqipërisë evropiane. Ai vlerësoi përparimin e vendit drejt Bashkimit Evropian dhe bëri thirrje për dialog, unitet dhe forcim të besimit tek institucionet.

"Çdo familje shqiptare, nga fëmijët, te gjyshërit, pastë shëndet, gëzime dhe mbarësi!   Mbi të gjitha, uroj për Vitin e Ri 2026 më shumë besim te njëri-tjetri dhe më shumë mirëkuptim, sepse Shqipëria është shtëpia jonë e përbashkët, përgjegjësia jonë e përditshme dhe e nesërmja që ndërtojmë bashkërisht",- tha Begaj.

Ministrja Elisa Spiropali theksoi se viti që vjen duhet të jetë vit i përpjekjeve të përbashkëta për ta kthyer standardin evropian në një realitet për çdo familje shqiptare. Ajo shprehu mirënjohje për të gjithë ata që punojnë në shërbim të qytetarëve edhe gjatë festave dhe përcolli urime të veçanta për shqiptarët kudo ndodhen.

Viti i ri na gjen në një stad të ri, me përgjegjësi dhe ambicie më të larta”, u shpreh Spiropalli, duke shtuar se 2026 do të nisë me pensione dhe paga më të larta, rritje rekord të investimeve dhe një trend të përshpejtuar të rritjes ekonomike.

Shqiptarët për vitin e ri i ka uruar dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Deputeti urimin e tij kryesisht e përqëndroi tek diaspora duke përmendur këtu rolin e madh që patën në zgjedhjet e parlamentare 2025. 

“Ne dimë ta lexojmë shumë mirë votën e tyre dhe padyshim që gjatë vitit 2026 do të vazhdojmë të intensifikojmë kontaktet tona me gjithë shqiptarët që jetojnë në diasporë dhe të sigurojmë që çdo fëmijë shqiptar që lind në diasporë të ketë mundësinë të mësojë gjuhën shqipe", tha Balla.

Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe Ilir Meta uruan shqiptarët me një mesazh nga qelia, ndërsa ambasada e SHBA në Tiranë uroi që këtë vit të dy vendet të vijojnë me forcimin e partneritetit. 

Një urim erdhi dhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila theksoi ëndësinë e reflektimit për vitin që po përmbyllet dhe angazhimin për një të ardhme më të sigurt, më të drejtë dhe më të zhvilluar për vendin.

Report Tv dhe Shqiptarja.com urojnë të gjithë shqiptarët Gëzuar Vitin e Ri 2026. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:55
Kryebashkiaku Veliaj uron 2026-ën nga qelia: Vit sfidues, por është koha të ndihmojmë njëri-tjetrin! Një përqafim dhe për familjen time

1766657730_erionveliaj.jpg

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka uruar të gjithë shqiptarët për vitin e ri 2026.

Teksa falënderon veçanërisht mjekët e policët, Veliaj shkruan se ky ka qenë një vit sfidues dhe se është momenti për t’i hapur derën njëri-tjetrit dhe për të falur mirësi e dashuri.

Ky urim i Veliajt këtë vit vjen nga qelia e paraburgimit në Durrës ku qëndron i izoluar që prej muajit shkurt. I pari i Tiranës me mbyll urimin e tij drejtuar familjes, teksa shkruan se në mënyrë të padrejtë i është ndaluar të jetë pranë tyre.

“Të dashur qytetarë të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë,

Në prag të ndërrimit të viteve dua t’ju uroj shëndet, lumturi, suksese dhe një vit plot shpresë për ju dhe familjet tuaja.

Një urim zemre për të pamundurit, për të sëmurët, për ata që ndihen të braktisur, për familjet në vështirësi, për emigrantët që punojnë me djersë larg shtëpisë – ju uroj forcë dhe ngrohtësi këtë vit të ri.

Një falënderim i veçantë shkon për mjekët, infermierët dhe policët që shërbejnë pa pushim, për ushtarakët tanë kudo në botë që ruajnë paqen, dhe për punonjësit e bashkive dhe të tjerë që bëjnë çdo ditë të mundur që qytetet tona të ndriçojnë, jo vetëm me dritat festive, por me shpirtin e bashkëpunimit dhe solidaritetit.

Ky vit që po lëmë pas ka qenë sfidues për shumë njerëz, ndaj le t’i hapim derën njëri-tjetrit këtë festë, t’i ftojmë në tryezat tona ata që ndihen vetëm, t’i mbajmë pranë ata që kanë nevojë për një dorë ndihmëse dhe ta përqafojmë njëri-tjetrin me dashuri dhe besim për të ardhmen.

Jetoni me zemër të madhe, punoni me pasion dhe mbajini ëndrrat tuaja gjallë.

Dhe në fund, një urim dhe një përqafim për familjen time, me të cilën padrejtësisht nuk më është dhënë mundësia të jem sonte pranë.

Gëzuar 2026!”, shkruan Erion Veliaj.

Ora 20:50
Meta uron shqiptarët nga qelia: 2026-a qoftë viti i përkushtimit për një Shqipëri më të drejtë, ligji të zbatohet njësoj për të gjithë

1764404770_ilirmeta.jpeg

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka uruar nga qelia shqiptarët për Vitin e Ri 2026. Meta uron që ky vit të jetë viti i bashkimit, guximit dhe ringritjes së shpresës. Në qeli që prej tetorit 2024, Meta shpreson se 2026-a të jetë viti i përkushtimit për një Shqipëri më të drejtë, më sociale dhe më njerëzore, ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë,

"Gëzuar Vitin e Ri 2026! Të dashur qytetarë shqiptarë, Nga zemra ju uroj një Vit të Ri me shëndet, paqe, gëzim dhe mbarësi për ju, për familjet tuaja dhe për të gjithë të dashurit tuaj, kudo që ndodhen. Me besim në vlerat tona të përbashkëta dhe me sytë nga e ardhmja, ta mirëpresim 2026 si vitin e bashkimit, të guximit qytetar dhe të ringritjes së shpresës.

Le të jetë ky një vit që na afron më shumë me njëri-tjetrin dhe na jep forcën për të ecur përpara, të vendosur përballë sfidave.

Qoftë 2026 viti i përkushtimit të madh për një Shqipëri më të drejtë, më sociale dhe më njerëzore, ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë, ku liritë dhe dinjiteti njerëzor janë të shenjta dhe respektohen plotësisht. Ku ka mundësi dhe shpresë për çdo qytetar, dhe ku çdo shqiptar të jetojë me dinjitet, siguri dhe mirëqenie në shtëpinë tonë të dashur, Shqipërinë, ku e ardhmja të ndërtohet mbi ndershmërinë, besimin dhe ligjin. Gëzuar 2026, Vitin e Ndryshimit, të Lirisë dhe të Shpresës së re për të gjithë shqiptarët", shkruan Meta. 

Ora 20:48
Kryeministri Albin Kurti urim për vitin e ri: Jam i nderuar për besimin që më keni dhënë! Kosova nuk ka nevojë të kalojë teksin e demokracisë (VIDEO)

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, me një video të publikuar në profilin e tij në Facebook duke uruar qytetarët për Vitin e Ri 2026, ka falënderuar ata për “besimin për shërbim edhe për katër vitet e ardhshme”.

Kurti premtoi për formim të qeverisë së re “pa humbur kohë” duke thënë se do të bëhet “miratimi i buxhetit, miratimi i ligjit për çmimet tavan, pagën e 13-të për shërbyesit civil, heqjen e kufizimit të punësimit për veteranët e UÇK-së, pakon për përmballje me inflacionin…etj”, deklaron Kurti.

Ndërsa, Kurti foli edhe për përballjen e vendit me katër palë zgjedhje gjatë 2025-ës, duke theksuar se kaluan “pa incidente e me rezultate të pranuara nga të gjithë”.

“Kosova më nuk ka nevojë ta kalojë testin e demokracisë”, është shprehur Kurti.

Ndërsa në përshkrim të videos Kurti ka shkruar: “Gëzuar 2026-ta! Ju uroj mbrëmje të këndshme, kremtim të paharrueshëm, me familjen dhe miqtë. Jam zotuar para jush për siguri dhe begati. Ju siguroj një vit të ri të sigurt dhe të begatë”.

Ora 18:53
Osmani uron qytetarët për Vitin e Ri 2026: Kosova të ecë përpara me unitet, siguri dhe zhvillim (VIDEO)

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përcjellë urimin e saj për Vitin e Ri 2026, duke theksuar rëndësinë e reflektimit për vitin që po përmbyllet dhe angazhimin për një të ardhme më të sigurt, më të drejtë dhe më të zhvilluar për vendin.

Në mesazhin e saj drejtuar qytetarëve dhe bashkatdhetarëve kudo që ndodhen, Osmani ka vlerësuar vitin që lamë pas si një periudhë me sfida, por edhe me vendime të rëndësishme dhe përparime të dukshme në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

Ajo theksoi se Kosova ka treguar vendosmëri në mbrojtjen e rendit kushtetues dhe interesit shtetëror, duke u përballur me përpjekje destabilizuese dhe duke u dëshmuar si faktor paqeje, stabiliteti dhe besueshmërie në arenën ndërkombëtare.

Presidentja Osmani përmendi gjithashtu se, ndonëse viti ka qenë sfidues edhe për shkak të vonesave në themelimin e institucioneve, ai ka dëshmuar forcën e demokracisë dhe të qytetarëve të Kosovës, duke vlerësuar kontributin e punëtorëve, policëve, ushtarakëve, mësuesve, mjekëve, të rinjve, grave, si dhe mërgatës shqiptare.

Duke folur për vitin 2026, Osmani tha se Kosova hyn në Vitin e Ri me përgjegjësi të reja dhe synime të qarta, duke përfshirë forcimin e shtetit të së drejtës, rritjen e sigurisë, avancimin e pozitës ndërkombëtare, mbështetjen e familjeve dhe rinisë, si dhe zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve.

Në fund të mesazhit, Presidentja uroi shëndet, paqe dhe begati për të gjithë qytetarët, duke ftuar që viti 2026 të nisë me besim, bashkëpunim dhe përgjegjësi të përbashkët.

“Le të jetë viti 2026 një vit suksesi për secilin prej jush dhe për Republikën tonë,” përfundoi Osmani, duke uruar Gëzuar Vitin e Ri për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Ora 18:40
Taulant Balla uron shqiptarët për vitin e ri: Në 2026 do të rrisim kontaktet me diasporën, angazhim për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar (VIDEO)

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka përcjellë një urim me video për shqiptarët kudo që ndodhen, nga Sheshi Skënderbej në Tiranë, vetëm pak orë para ndërrimit të viteve.

Në mesazhin e tij, Balla uroi Gëzuar Vitin e Ri 2026 për shqiptarët në Shqipëri, në trojet etnike dhe veçanërisht për bashkatdhetarët në diasporë, duke theksuar rolin historik të votës së emigrantëve gjatë vitit 2025.

"U takon vëllezërve e motrave tanë në diasporë një urim i veçantë, edhe për shkak se gjatë vitit 2025 ata patën mundësinë për herë të parë në këto 35 vite demokraci të shprehen me votë për drejtimin që ata duan të ecë Shqipëria. Vota e bashkatdhetarëve në diasporë në vitin 2025 ishte padyshim një moment historik për Shqipërinë."

Sipas Ballës, gjatë vitit 2026 do të intensifikohen kontaktet me diasporën, si dhe angazhimet për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar.

“Ne dimë ta lexojmë shumë mirë votën e tyre dhe padyshim që gjatë vitit 2026 do të vazhdojmë të intensifikojmë kontaktet tona me gjithë shqiptarët që jetojnë në diasporë dhe të sigurojmë që çdo fëmijë shqiptar që lind në diasporë të ketë mundësinë të mësojë gjuhën shqipe."

Mesazhi u shoqërua me përqafime vëllazërore dhe mirënjohje nga Sheshi Skënderbej, simboli i unitetit kombëtar, në prag të Vitit të Ri.

"Dua që shqiptarëve në Itali, në Greqi, në Gjermani, në Britaninë e Madhe, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada, apo kudo gjetkë nëpër botë, t’i uroj Gëzuar Festat e Fundvitit, me mirënjohjen më të thellë dhe me përqafime vëllazërore nga sheshi i shqiptarëve, Sheshi Skënderbej."

Ora 17:50
Ministri Salla uron fermerët dhe qytetarët për Vitin e Ri: Mbështetje dhe zhvillim për bujqësinë shqiptare

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, përcolli një mesazh urimi për qytetarët dhe fermerët shqiptarë me rastin e ndërrimit të viteve, duke vënë theksin te roli i fermerëve në zhvillimin e vendit dhe te objektivat për vitin e ri.

Në mesazhin e tij, ministri Salla theksoi se ndërrimi i viteve është një moment reflektimi dhe shprese, duke shprehur mirënjohjen për punën, sakrificën dhe kontributin e përditshëm të fermerëve në ndërtimin e një bujqësie më të fortë dhe të një Shqipërie më të zhvilluar. Ai nënvizoi se fermerët shqiptarë janë shtylla e sigurisë ushqimore dhe e ekonomisë rurale, duke mbajtur gjallë tokën, traditën dhe prodhimin vendas edhe në kohë të vështira.

Ministri Salla thotë se Viti i Ri nis me ambicie të reja për sektorin bujqësor, me më shumë mbështetje për fermerët, më shumë investime, rritje të digjitalizimit dhe zgjerim të mundësive për produktet shqiptare në tregjet vendase dhe ndërkombëtare.

Në përmbyllje të mesazhit, ai uroi që viti i ri të shënojë një hap përpara drejt zhvillimit, bashkëpunimit dhe mirëqenies për çdo familje shqiptare, duke përcjellë urimet për shëndet, paqe dhe mbarësi.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e mbylli mesazhin e tij me urimin: Gëzuar Vitin e Ri!

Ora 16:07
Ambasada Amerikane në Shqipëri urim për ardhjen e 2026-ës: Partneriteti ynë do të vijojë të forcohet (VIDEO)

Ambasada Amerikane në Shqipëri ka uruar ardhjen e vitit të ri 2026 teksa ka kujtuar ngjarjet më të rëndësishme për këto 12 muaj shoqëruar me një video nga festa e stafit të ambasadës Nancy Van Horn.

Diplomatja kujton vizitën e anijes USS Mount Ëhitney, anija komanduese e Flotës së 6-të të SHBA-së që u ankorua në Porto Romano të Durrësit më 11 shtator, si një ngjarjet më të rëdësishme jo vetëm për 2025, por për gjithë partneritetin mes dy vendeve.

Postimi i Ambasadës Amerikane mbyllet me urimin për dy vendet me qëllim forcimin e mëtejshëm të partneritetit mes dy vendeve për t’i shërbyer vlerave të përbashkëta.

“Ndërsa viti po i afrohet fundit, duam të festojmë arritjet tona më të mëdha dhe gjithë entuziazmin për atë që do të vijë në vitin 2026! Nga vizita historike e USS Mount Ëhitney në brigjet e Shqipërisë, te Shtetet e Bashkuara që do të presin ngjarjet më të mëdha sportive ndërkombëtare në botë, partneriteti ynë vazhdon të forcohet përmes qëllimeve dhe vlerave të përbashkëta. Gëzuar Vitin e Ri nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë!” shkruhet në postimin e Ambasadës Amerikane.