Soreca: Liria e shtypit në Shqipëri, pikë referimi për demokracinë dhe qeverisjen e mirë

Soreca: Liria e shtypit në Shqipëri, pikë referimi për demokracinë dhe qeverisjen e mirë

Foto nga ceremonia e çmimeve të BE-së për Gazetarinë Investigative

*Ceremonia e çmimeve të BE-së për Gazetarinë Investigative, fjala e ambasadorit të BE-së

Të dashur përfaqësues të mediave, zonja dhe zotërinj,

Ne jemi sot këtu për të dhënë mbështetjen e fortë të Bashkimit Evropian për lirinë e mediave dhe gazetarinë investigative në Shqipëri. Ne jemi gjithashtu këtu për të kremtuar arritjet e reporterëve të talentuar dhe të përkushtuar. Thjesht, unë e shoh këtë tubim në Shtëpinë e Evropës si një kremtim të gazetarisë së mirë.

Në Ballkanin Perëndimor dhe më konkretisht në Shqipëri, BE-ja e konsideron lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave si pikë referimi për demokracinë, qeverisjen e mirë dhe përgjegjshmërinë politike. Aspirimi për t'u bërë një Shtet Anëtar i Bashkimit Evropian nënkupton që këto dy shtylla kryesore janë të vendosura mirë dhe respektohen.

Disa karakteristika kryesore përcaktojnë se çfarë është gazetaria e mirë investigative: ndjenja e detyrës në zbulimin e keqbërjeve dhe ndjenja e përgjegjësisë në raportimin e fakteve në mënyrë të plotë dhe të pavarur. Roli i gazetarëve investigues është thelbësor dhe kontributi i tyre për një shoqëri të lirë, por të përgjegjshme, është i paçmueshëm.

Gjatë dekadës së kaluar, indekset e lirisë së mediave tregojnë se fjala e lirë ka rënë në nivel global dhe mbështetja për të po dobësohet edhe në demokracitë e pjekura. Shfaqja e lajmeve të rreme dhe dezinformimit e minon qartazi gazetarinë cilësore.

Sot, vetëm dy ditë përpara Ditëve të Medias BE-Ballkani Perëmdimor në Podgoricë, është gjithashtu një rast për të reflektuar në lidhje me sfidat dhe kërcënimet ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave. Nga njëra anë, në një shkallë globale, ka manipulim në rritje të hapësirës së informacionit përmes lajmeve të rreme dhe dezinformimit, dhe nga ana tjetër, veçanërisht në Shqipëri, kushtet e punës së gazetarëve në kontekstin e një pronësie shumë të përqendruar të medias janë të tilla që çojnë pa dyshim në vetë-censurim.

BE-ja tashmë po forcon kapacitetet e organizatave të mediave shqiptare për promovimin e etikës dhe standardeve profesionale. Ne po mbështesim gjithashtu transmetuesin publik shqiptar dhe shkollën e gazetarisë për të përgatitur gjeneratën e re të reporterëve shqiptarë. Me qëllim përkrahjen e gazetarisë investigative të pavarur, ne jemi gati të fillojmë një program të ri që ofron mundësinë e rritjes së kulturës së raportimit të pavarur dhe të bazuar në fakte në Shqipëri.

Lajmet e rreme dhe dezinformimi gërryejnë besimin e publikut në gazetari dhe në institucionet publike, gjë që nga ana tjetër pengon që e gjithë shoqëria të ecë përpara.

Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme të kuptohet se si të adresohet dezinformimi duke respektuar parimin e lirisë së shprehjes.

Kjo më çon në pikën tjetër të rëndësishme: siç e dini shumë mirë, në Shqipëri ka nisma të vazhdueshme ligjore të qeverisë për të ndryshuar legjislacionin e shërbimeve mediatike.

Komisioni Evropian fillimisht kishte kërkuar që këto iniciativa të përafroheshin plotësisht me Shërbimet e Mediave Audio-Vizive të BE-së dhe direktivat e E-Tregtisë. Edhe pse shqetësimet kryesore të mëparshme në lidhje me acquis e BE-së duket se janë adresuar, pajtueshmëria e plotë e draft amendamenteve me standardet e lirisë së shprehjes duhet ende të sigurohet.

Komisioni Evropian ndan shqetësimet e organizatave të tjera ndërkombëtare, që lidhen me mungesën e sigurisë juridike dhe zgjerimin e fushës së kompetencës së Autoritetit të Mediave Audiovizive për të përfshirë rregullimin në internet të mediave - pasi kjo mund të çojë në efekt negativ mbi lirinë e shprehjes.

Kur bëhet fjalë për trajtimin e dezinformimit, ndërsa ndajmë shqetësimet e autoriteteve shqiptare në lidhje me dezinformimin, Komisioni rekomandon qasje që janë më pak të ashpra, bazuar në një qasje të vetërregullimit. Kjo është qasja që Komisioni Evropian propozon në Komunikimin e tij mbi “Trajtimin e dezinformimit në internet “.

Ne mendojmë se standardet evropiane dhe ndërkombëtare në fushën e lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave janë thelbësore për zhvillimin e mediave të forta dhe pluraliste, dhe duhet të merren parasysh plotësisht nga autoritetet shqiptare.

Ne gjithashtu i inkurajojmë autoritetet shqiptare që të ndjekin procesin e konsultimit me komunitetin e mediave për draft amendamentet, duke marrë parasysh ekspertizën e aktorëve ndërkombëtarë, duke siguruar kështu një ndikim pozitiv në të ardhmen të paketës legjislative mbi lirinë e shprehjes në Shqipëri.

Kjo është ajo që synon të kremtojë sot ceremonia jonë e Çmimeve të BE-së për Gazetarinë Investigative duke promovuar arritjet tuaja të shquara si gazetarë investigativë, si dhe duke kontribuar në paraqitjen e gazetarisë cilësore në këtë pjesë të Evropës.

Unë besoj se ju do ta vazhdoni punën e mirë dhe ju falënderoj shumë për kohën tuaj.

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Avokati që kallëzoi Këlliçin në SPAK: Dënohet deri në 6 vite burg, ka prova që falsifikoi diplomën e s'deklaroi pasurinë! Mohoi edhe gruan

Avokati që kallëzoi Këlliçin në SPAK: Dënohet deri në 6 vite burg, ka prova që falsifikoi diplomën e s'deklaroi pasurinë! Mohoi edhe gruan