Sot 1 javë Tirana bëhet qendra e futbollit Evropian! Gjithçka duhet të dini për finalen e madhe të Conference League! Nga përzgjedhja e ‘Air Albania' te ‘sherri’ për biletat

Sot 1 javë Tirana bëhet qendra e futbollit Evropian! Gjithçka duhet të dini për finalen e madhe të Conference League! Nga përzgjedhja e ‘Air Albania' te ‘sherri’ për biletat

Kupa e Conferencë League

Më 25 maj vendi ynë dhe konkretisht Tirana do presë finalen europiane të Conference League, kompeticionit që organizohet nga UEFA, dhe që pritet të sjellë një numër tepër të lartë tifozësh. Sipas parashikimeve në kryeqytet më 25 maj mund të jenë deri në 90 mijë sportdashës pavarësisht se stadiumi ‘Air Albania’ për këtë ndeshje ka një kapcitet prej 19 mijë tifozësh.

Po çfarë është Conference League?

Ky kompeticion u propozua nga UEFA, duke parë që shumë skuadra, edhe me emër, mbesin pa u përfaqësuar në Europë. Për më tepër është edhe një mundësi që skuadrat me potencial më të vogël të marrin pjesë në garat ndërkombëtare. UEFA Conference League është kompeticioni i tretë për nga rëndësia pas UEFA Champions League dhe UEFA Conference League.

Ky kompeticion nis me 32 skuadra që ndahen në 8 grupe, por asnjë ekip nuk kualifikohet automatikisht. 10 skuadra vijnë nga play-off-et e Europa League, ndërsa 22 të tjera përmes raundeve kualifikuese të Conference League. Në total, që prej nisjes së raundeve kualifikuese, përfshihen 184 ekipe. Interesant është fakti se ky është sezoni i parë i organizimit të këtij kompeticioni, ndërsa fituesi kualifikohet direkt në Europa League për sezonin e ardhshëm nëse nuk ka arritur të shkojë në Champions League përmes kampionateve kombëtare.

Trofeu i UEFA Europa Conference League është 57.5 cm i gjatë dhe peshon 11 kg. Ai përbëhet nga 32 shtylla gjashtëkëndore, një për çdo ekip që merr pjesë që në fazën e grupeve. Fituesi merr si shpërblim 5 milionë euro, ndërsa finalistja humbëse 3 milionë euro. Këtu pa përfshirë përfitimet gjatë rrugës (kualifikimi në grup, fazën me eliminim direk dhe me rradhë) si dhe sponsorizimet.

Përzgjedhja e stadiumit ‘Air Albania’ nga UEFA

Ende pa mbaruar ndërtimi i stadiumit ‘Air Albania’, federata tentoi të merrte përsipër organizimin e Superkupës së Europës, por për disa vite me rradhë ky qëllim nuk u arrit. Duke parë se konkurrenca ishte shumë e fortë, edhe për faktin se ‘Air Albania’ nuk përmbush kushtin e kapacitetit, më 2 mars 2020, u vendos tërheqja përfundimtare nga organizimi i finales së Superkupës edhe pse stadium është me katër yje. Kjo edhe me qëllimin për të aplikuar për finalen e Conference League në një kohë kur UEFA njoftoi për organizimin e kompeticionit të ri.

Më 3 dhjetor 2020 UEFA njoftoi se zgjodhi ‘Air Albania-n’ për organizimin e finales së parë të Conference League. Stadiumi ynë kombëtar ishte në garë me Irlandën e Veriut dhe Finlandën. ‘Air Albania’ u inaugurua në nëntor të 2019 në një ndeshje kualifikuese të Europianit kundër Francës dhe është një investim i UEFA-s falë programit ‘HatTricks’.

Biletat për finale e Conference League

Stadiumi ‘Air Albania’ për ndeshjet e kombëtares si dhe të kampionatit vendas ka një kapacitet prej 22 mijë vendesh, por duke qenë se për finalen e Conference League tribuna e medias do zgjerohet atëherë kapaciteti do ulet në 19 mijë e 500 vende.

Për dy skuadrat finaliste janë vendosur në dispozicion 8 mijë bileta, nga 4 mijë secila, ndërsa 8500 ishin në shitje për sportdashësit e thjeshtë të cilët mund të aplikonin nga gjithë vendet e botës. Pjesa tjetër e biletave u administruan nga UEFA, që i rezervon për sponsorët dhe anëtarët e saj.

Për finalen e Conference League biletat u ndanë në katër kategori, me çmimin më të ulët prej 25 eurosh dhe çmimin më të lartë prej 125 eurosh. Kapaciteti i vogël i stadiumit irritoi Feyenord, që kritikoi UEFA-n për zgjedhjen e ‘Air Albania-s, ndërsa pakënaqësi krijoi edhe te Roma. Mjafton fakti që 8500 biletat për publikun e zakonshëm u shitën për më pak se 4 orë nga njoftimi i UEFA-s.

Çmimet e larta të hoteleve në Tiranë

Kërkesa e lartë për të rezervuar një dhomë hoteli më 25 maj në Tiranë rriti edhe çmimet. Nga një vëzhgim në ‘booking’ binte në sy se çmimet variojnë nga 500 euro deri në 3 mijë euro nata. Rritja e çmimeve solli edhe reagimin e shumë personave, duke thënë se ishte abuzim, por menaxherët e hoteleve pretendojnë se ndodhi për shkak të kërkesave shumë të larta.

Për këtë çështje foli edhe kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj: “E dini çfarë? Çmimet për një ndeshje të tillë do të shkonin po kaq kudo ku ajo të luhej. Pra, të njëjtët njerëz që para pak ditësh përhapnin panik se finalja do të luhej në një shtet tjetër dhe i gëzoheshin këtij “dështimi” të Shqipërisë, sot vajtojnë për çmimet në hotelet tona. Por, çmimet nuk i rrisin hotelet sepse në momentin kur ti futesh në aplikacione si Booking, Expedia apo Edreams, çmimi ndryshon në bazë të një algoritmi. Vërtet biletat e avionit fillojnë me 19 euro nëse e rezervoni të parët, por shkojnë 100 euro e deri në 300 euro nëse e lini për në orën e fundit.”

Klubet finaliste të Conference League

Ky kompeticion nisi me shumë pikëpyetje përse i përket cilësisë dhe interesit që do kishte nga tifozët, por fillimisht gjysmëfinalet dhe më pas finalja treguan se shumë gabuan me parashikimet. Kualifikimi i ekipit të Romës për në Tiranë, si dhe i Feynordit, dy klube me histori në vendet respektive, por edhe në garat Europiane, i ktheu mendjen të gjithëve.

Roma- Klubi italian është ndër më emblematikët në Seria A (kampionatin italian). Aty kanë luajtur shumë futbollistë të klasit botëror, ndërsa në qytet krenohen me Francesco Totti-n, i cili refuzoi miliona euro që karrierën ta mbyllte në këtë klub. Roma ka fituar 3 herë Seria A, 9 herë Kupën e Italisë dhe 2 herë Superkupën. Fakt është që klubi nuk ka asnjë trofe europian, por Roma ka mrekulluar disa herë në Champions League duke arritur dy gjysmëfinale.

Mjafton fakti që stadiumi i Romës ‘Stadio Olimpico’ ka një kapacitet prej 70 mijë tifozësh për të treguar popullaritetin e tij. Ky stadium ishte plot në gjysmëfinalen që Roma luajti kundër Leicester për Conference League. Në rast se ia del kundër Feyenord atëherë do ishte trofeu i parë europian për klubin.

Aktualisht Roma është bërë tërheqëse për faktin se drejtohet nga një prej trajnerëve më të mirë dhe unik të botës, Jose Mourinho, ose siç njihet ndryshe ‘special 1’.

Feyenoord- Interesant është fakti se klubi holandez e nisi rrugëtimin në Conference League në eliminatoren kundër skuadrës së Dritës në Kosovë me 22 korrik.

Ai është një nga dy klubet më të suksesshme në kampionatin holandez me 15 tituj dhe 13 kupa të fituara. Feyenoord është i suksesshëm edhe në Europa pasi në një rast ka fituar Champions League (1970) dhe në dy raste Europa League. Ndryshe nga Roma që ka pronarë amerikanë të Feyenoord janë vendas, ndërsa kapaciteti i stadiumit ku zhvillon ndeshjet në Roterdam është 51 mijë vende.

Tifozët më të zjarrtë

Feyenoord- Klubi holandez njihet si një nga klubet më mbështetjen më të madhe të tifozëve në Europë brenda dhe jashtë vendit të tyre. Ata kanë nofkën ‘The Legion’ dhe numri 12 nuk është vendosur kurrë në asnjë fanellë të futbollistëve, pasi është i erezervuar për tifozët. Ata nuk e kanë braktisur kurrë skuadrën e zemrës dhe mbahen mend për mbështetjen edhe në kohë të vështira. Gjithsesi ata kanë edhe famë të keqe kur udhëtojnë në transferta, pasi jo rrallherë janë përfshirë në trazira, siç ishte rasti në ndeshjen gjysmëfinale të Conference League kundër Marseille-s. Rreth 20 tifozë holandezë u arrestuan, ndërsa nuk mungojnë as përplasjet me policinë në Romë, teksa skuadra lunte kundër ‘verdhekuqve’ në Europa League në vitin në shkurt të 2015.

Roma- Grupi i vjetër i tifozëve të Romës është cilësuar si ndër më mbështetësit në Europë, por në vitin 1990 ky grup u shpërbë (Commando Ultrà Curva Sud). Gjithsesi edhe mbështetësit aktual konsiderohen të rrezikshëm në ndeshjet që klubi ka pasur në kryeqytetin italian. Shpeshherë huliganët kanë sulmuar kundërshtarët me thika dhe armë të tjera të ftohta, por transfertat kanë qenë më ndryshe. Rivaliteti më i madh është me tifozët e Lazio-s dhe sa herë që luhet derbi bizneset e qytetit mbyllen disa orë para.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Wall Street Journal: Pse Shqipëria duhet të jetë destinacioni i radhës për udhëtarët e zgjuar

Wall Street Journal: Pse Shqipëria duhet të jetë destinacioni i radhës për udhëtarët e zgjuar