108 vjetori i themelimit/ Çuçi: Policia e Shtetit, sot institucioni më i besueshëm! Veliu: Ka pësuar transformim rrënjësor! Ceremoni në disa qytete

TIRANË- Sot Policia e Shtetit shënon 108-vjetorin e krijimit të saj. Në këtë dit të shënuar, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi e ka përkufizuar Policinë e Shtetit si institucionin më të besueshëm, teksa renditi punën e bërë përgjatë vitit 2020 dhe sfidat që i pret! Një ndër to, janë edhe zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, angazhim për të cilin ministri shtoi se ‘ky angazhim do të kërkojë një shpenzim shtesë kohe dhe energjie’.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm, Ardi Veliu në fjalën e tij tha se sot Policia e shtetit ka pësuar një transformim rrënjësor, duke u bërë më e besueshme, më profesionale dhe në shërbime më cilësor.

Në disa qytete të vendit, Drejtoritë Vendore të Policisë kanë zhvilluar ceremoni duke përkujtuar këtë ditë që është e rëndësishme për ta.  Në ambientet e jashtme të Akademisë së Policisë, me një numër të kufizuar pjesëmarrësish për shkak të masave kufizuese për parandalimin përhapjes së COVID-19, është zhvilluar ceremonia me rastin e 108-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, kryetarja e Komisionit të Sigurisë Ermonela Felaj, drejtues të lartë të Policisë dhe familjarë të Dëshmorëve të Policisë.

Ceremoni e njëjtë është zhvilluar dhe në qytete të tjera të vendit në Lushnje, Elbasan, Dibër dhe Berat. Efektivë të policisë, përfaqësues të pushtetit vendor kanë qenë të pranishëm në ceremonitë përkatëse ku gjithashtu mbajtën fjalime mbi ndryshimin e Policisë së Shtetit që është bërë ndër vite si dhe arritjet e saj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:42
108 vjetori i themelimit/ Veliu: Sot Policia është më e besueshme e profesionale

Për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, sot Policia është e transformuar totalisht! Sipas tij, sot uniformat blu janë më të besueshme, më profesionale dhe ofrojnë shërbime më cilësore.

“Sot Policia është transformuar pothuaj tërësisht në filozofi dhe në mentalitet, është më profesionale, shumë më e besueshme dhe ofron për qytetarët një shërbim shumë më cilësor.  Së dyti, të nderojmë e vlerësojmë të gjithë pjesëtarët e ndershëm të Policisë, të gjithë ata që kontribuuan dhe sakrifikuan në përballje me elementët kriminalë, në çdo skaj të atdheut, larg familjeve dhe në kushte jo të përshtatshme pune e jetese, por me bindjen e brendshme dhe pasionin e lartë për t’i shërbyer me vigjilencë e rigorozitet ligjit, mbrojtjes së jetës së qytetarëve me jetën e tyre dhe garantimit të së ardhmes së sigurt në vend.  Potencialet intelektuale e profesionale të Policisë Shqiptare janë të nivelit dhe standardeve që sigurojnë efikasitet të lartë në përmbushjen e misionit të saj, si në fushën e krimit të organizuar, ashtu edhe në atë të policimit në tërësi.

Policia e Shtetit, si asnjëherë më parë, sot është e inkurajuar, e mbështetur dhe e besuar nga partnerët ndërkombëtarë dhe agjencitë  të tjera ligjzbatuese. Kjo provohet më së miri nga dhjetëra operacione ndërkombëtare, në të cilat Policia e Shtetit ka qenë e barabartë me homologët e saj, për të luftuar e goditur pa kompromis grupet kriminale dhe ato të organizuara, në dhjetëra hetime të përbashkëta me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare”, tha ai.

Veliu bën një bilanc të punës së policisë për vitin 2020.

“Në vitin 2020, në kuadër të objektivit të Qeverisë Shqiptare për ofrimin e shërbimeve online për qytetarët, Policia e Shtetit ka marrë detyrime dhe ka zbatuar ofrimin e disa shërbimeve online. Institucioni po punon që edhe 53 shërbime të saj, t’ia ofrojë publikut online, duke zbatuar kështu një standard tjetër në drejtim të ofrimit dixhital të këtyre shërbimeve, kursimit të kohës dhe parave nga ana e shtetasve dhe evitimit të pengesave subjektive.  Numrat pa pagesë 112 dhe 129, si dhe Komisariati Dixhital janë të tjera ura komunikimi mes Policisë e qytetarëve dhe mundësi që nga celulari i tyre të denoncojnë çdo paligjshmëri, me anonimitet.   Qindra automjete dhe motomjete të reja, të pajisura me logjistikën e duhur, i janë bashkuar flotës së makinave të Policisë së Shtetit. Gjej mundësitë për të përsëritur falënderimin për  qeverinë shqiptare dhe partnerët tanë, për mbështetjen dhe kontributin e tyre në këtë drejtim.  

Me mbështetjen e fuqishme të qeverisë, Policisë së Shtetit, vitin e fundit iu shtuan edhe 500 vende organike, çka solli marrjen e 500 të rinjve e të rejave, duke rritur akoma më shumë prezencën e Policisë në Komunitet.Hapja e dyerve të Policisë për studentët ekselentë në disa degë të caktuara, bëri që dhjetëra studentë ekselentë t’i bashkoheshin Policisë së Shtetit këto tri vitet e fundit. Lufta kundër kultivimit të kanabisit, kundër krimit të organizuar, ulja e numrit të vrasjeve dhe e aksidenteve rrugore me pasoja fatale për jetën, si dhe historia e suksesit OFL gjatë vitit 2020, ishin sfida madhore që Policia e Shtetit i përmbushi me sukses, pa lënë mënjanë sezonin turistik apo përballimin e ngarkesës së jashtëzakonshme të protestave të dhunshme, ku u plagosën dhjetëra punonjës policie.

Një tjetër sfidë që Policia e Shtetit po ia del me sukses është angazhimi dhe sakrifica që punonjësit e Policisë po bëjnë përditë e përnatë për monitorimin e zbatimit të masave anticovid, duke përballuar mbingarkesën në punë, por mbi të gjitha stres nga infektimi me covid i tyre dhe i familjarëve të tyre. Edhe në këtë sfidë Policia e Shtetit ka humbur 23 punonjës.

Tashmë Policia e Shtetit është një nga organizatat më të besuara dhe të vlerësuara nga qytetarët, kjo e provuar nga anketimet e kryera nga partnerët tanë, gjë që na obligon akoma më shumë për të përmirësuar më tej shërbimin policor, imazhin e performancën, si dhe për të rritur akoma më tej forcën parandaluese dhe goditëse ndaj krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti dhe së bashku me besimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve të krijojmë një ambient shoqëror sa më të sigurt për të ardhmen e fëmijëve tanë”, shtoi drejtori i Përgjithshëm.

Veliu rendit edhe punët që i presin.

“Viti që sapo ka nisur, është një tjetër vit plot sfida për Policinë e Shtetit. Jemi përpara zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë dhe përfitoj nga rasti t’iu kërkoj të gjithë punonjësve të policisë së Shtetit që të ruajmë standardin e arritur duke treguar se Policia e Shtetit është në funksion të ligjit dhe vetëm të ligjit.

Parandalimi i kultivimit të kanabisit, ulja e numrit të vrasjeve dhe aksidenteve rrugore me pasoja për jetën, lufta kundër krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi, përballimi i sezonit turistik dhe i pandemisë, janë të tjera sfida që kërkojnë nga secili prej nesh, më shumë angazhim, përkushtim, ndershmëri dhe profesionalizëm”, tha Veliu.

Ora 13:41
108 vjetori i themelimit/ Çuçi: Policia e Shtetit, sot institucioni më i besueshëm! Prioritetet dhe sfidat për 2021 (VIDEO)

Në 108 vjetorit të themelimit të Policisë së Shtetit, ministri Bledi Çuçi tha se ky institucion është ndër më të besuarit për publikun.

“Mjafton t’u referohemi sondazheve të opinionit të javëve të fundit e jo vetëm, ku rezulton se Policia e Shtetit është ndër institucionet më të besueshme në vend. Ky besim nuk është një rastësi, por fryt i punës, përkushtimit, sakrificave të të gjithë trupës, e kombinuar kjo me një sërë reformash e investimesh të kryera vitet e fundit. Ndër aspektet pozitive të ndryshimeve në radhët e Policisë është përtëritja e radhëve të saj me elementë të rinj, të aftë, të përgatitur e të përkushtuar.  Ne po përpiqemi të bëjmë më të mirën duke krijuar mundësitë për çdo të ri që ka një formim akademik, të bëhet pjesë e organizatës së Policisë së Shtetit.  Të mbajmë parasysh faktin se jemi ndër vendet me numër më të ulët trupash policore për numër popullsie në rajon ndoshta dhe më gjerë. Këtë mangësi po përpiqemi ta mbushim sa është e mundur nëpërmjet aplikimit të teknologjive të reja, e metodave moderne të policimit”, tha ministri.

Çuçi ka bërë edhe një analizë të vitit 2020 të punë së Policisë duke folur edhe për prioritetet.

“Viti që lamë pas nisi me sfidën për zbulimin e konfiskimin e pasurive të vëna në mënyrë të paligjshme e kriminale. OFL bëri të mundur sekuestrimin e qindra pasurive dhe aseteve të vëna në rrugë kriminale, duke hequr nga duart e krimit miliona euro, e ky proces këtë vit është drejt finalizimit. Paralelisht me këto aksione, trupa e policisë ka një vëmendje konstante në luftën kundër krimit, drogës, trafiqeve e paligjshmërive të ndryshme. Këto janë ndër prioritetet e punës për të cilën merr kuptim vetë ekzistenca e strukturës së Policisë së Shtetit”, shtoi Ministri.

Ai u ndal dhe te sfidat e Policisë për vitin 2021.

“Viti 2021 do të sjellë një ngarkesë jo të lehtë për Policinë e Shtetit e Ministrinë e Brendshme, pasi është vit zgjedhor.  Policia ka detyra specifike për sigurimin e mbarëvajtjes së tyre. Ky angazhim do të kërkojë një shpenzim shtesë kohe dhe energjie”, tha Çuçi.

Ora 13:29
Veliaj uron 108-vjetorin e themelimit të Policisë së Shtetit: Politika i ka shumë gjynahe policisë, ndjesë! (VIDEO)

Ditën e 108-vjetorit të themelimit të Policisë së Shtetit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e ka nisur me një urim dhe shprehje mirënjohjeje për të gjithë punonjësit e policisë, të cilët ndihmojnë çdo ditë që qyteti të jetë më i sigurt, por nuk mungojnë asnjëherë që të jenë në vijën e parë të ndihmës në raste emergjencash. Veliaj tha se Tirana është një nga kryeqytetet më të sigurta në rajon dhe me numrin më të ulët të kriminalitetit.

“I jam mirënjohës secilit prej jush, që nga kolegu që patrullon në rrugë, ata që ndihmojnë në lehtësimin e trafikut, e deri te skuadrat e Policisë së Shtetit që bëhen njësh me skuadrat tona të emergjencave, sa here ka fatkeqësi natyrore. Fakti se qytetarët shohin policinë si portën e parë ku qajnë hallet, dhe jo politikën, është komplimenti më i madh që shoqëria jonë i bën Policisë së Shtetit”, tha Veliaj.

Duke prekur temën e sigurisë në qytet, kryebashkiaku shtoi se statistikat tregojnë se Tirana është kryeqyteti më i sigurt në rajon. “Shikoni statistikat për numrin e vrasjeve, vjedhjeve dhe incidenteve. Është sot kryeqyteti më i sigurt në rajon, e ndoshta shumë më i sigurt se edhe disa kryeqytete evropiane. Sigurisht, kemi fenomene, por nuk kemi atë nivel kriminaliteti që pasqyron politika për të fituar pikë, e kështu mundohet të ndyjë Policinë e Shtetit”, tha ai.

Veliaj i shprehu mirënjohjen të gjithë punonjësve të policisë për sakrificat në shërbim të komunitetit. Ai u kërkoi ndjesë atyre në emër të klasës politike, e cila sipas tij, i ka shumë gjynahe policisë, duke filluar nga përdorimi si “mish për top” i militantëve për të sulmuar efektivët.

“Herën e fundit kur pashë pamjet e këtij institucioni ishte kur ca politikanë erdhën të rriheshin me Policinë e Shtetit. Kjo nuk shkon, prandaj ju kërkoj një ndjesë të thellë! Kur shihni politikanë që rrinë me trafikantë, është e vështirë ta bëni siç duhet punën tuaj. Kur shihni politikanë që takohen skutave me rrugaçë, kjo ua vështirëson punën. Politika i ka shumë gjynahe policisë, duke filluar nga përdorimi si “mish për top” i militantëve për të sulmuar policinë, siç bënë në ngjarjet e dhjetorit, kur u përpoqën të shfrytëzonin një fatkeqësi për pikë. Familja e djalit të ndjerë tregoi shumë dinjitet, kurse politika aspak!”, theksoi ai.

Mandej, kryebashkiaku shtoi se njerëzit e inkriminuar, të cilët nuk e kanë kaluar Vettingun në profesionet e tyre si gjyqtarë e prokurorë, nuk mund të lejohen të kandidojnë si politikanë.

“S’mund të lejojmë që njerëzit e inkriminuar, të cilët nuk e kalojnë Vettingun në profesionet e tyre si gjyqtarë e prokurorë, të kandidojnë si politikanë dhe t’i bëjnë karshillëk policisë. Përndryshe, e gjithë puna për t’i ndëshkuar paska qenë e kotë! Ne si klasë politike, duhet të shkojmë përtej kësaj ndjese formale që po bëj sot, dhe të hedhim hapa konkretë, në mënyrë që askush të mos i bëjë karshillëk Policisë së Shtetit”, tha Veliaj, në fjalën e tij në ceremoninë e 108-vjetorit të Policisë së Shtetit.

Ora 12:08
Policia e Elbasanit përkujton 108-vjetori i Policisë së Shtetit

1610536142_policiaelbasan.jpg

Edhe në qytetin e Elbasanit është përkujtuar ditën e sotme krijimi i institucionit të Policisë së Shtetit.

Drejtoria vendore e policisë së qarkut Elbasan përkujtoi 108-vjetorin e themelimit të institucionit më të rëndësishëm të garantimit të sigurisë.

Në këtë ceremoni morën pjesë efektivë nga të gjitha sektorët, drejtues institucionesh dhe familjarë të efektivëve të rënë në krye të detyrës.

Ceromiania u zhvillua në masat e anti-COVID duke mbajtur maskën, si fillim hapja u bë me himnin kombëtar ku u ngrit flamuri nga një efektive e skuadrës Shqiponja dhe më pas vazhdoi me fjalën përshëndetëse të drejtorit të policisë se qarkut z. Alket Shatro.

Në fund të aktivitet u dha një certifikatë për shërbimet e dalluara nënkomisarit Dashamir Lamaj.

Ora 11:15
Komisariati i Lushnjes feston 108-vjetorin e Policisë së Shtetit! Të pranishëm në ceremoni, nënprefektja dhe kryebashkiaku i qytetit

Këtë të mërkurë, disa efektivë të komisariatit të Lushnjes kanë festuar 108-vjetorin e krijimit të forcave të Policisë së Shtetit.

Një numër i kufizuar efektivësh, ndodhur dhe në kushtet e pandemisë morën pjesë në një ceremoni të zhvilluar pranë ambjenteve të këtij komisariati.

Përveçe efektivëve dhe veteranëve të uniformave blu morën pjesë dhe përfaqësues të pushtetit vendor, nënprefektja Lindita Buxheli dhe kreu i Bashkisë Lushnje, Fatos Tushe.

Gjithashtu ata zhvilluan dhe një ceremoni për ngritjen e flamurit kombëtar ku më pas foli dhe shefi i komisariatit të Lushnjes, komisar Arjan Matani.

"Që nga krijimi i Policisë së Shtetit, ky institucion ka ndërmarrë një sërë reformash. Tashmë kemi një institucion moderne e standarte bashkëkohore. Për të gjithë punonjësit e policisë, është një moment përkushtimi. Një vlerësim kemi për partnerët tanë të administratës vendore, me biznese me të cilat kemi realizuar shumë operacione të ndryshme. Falenderoj përfaqësuesit e mediave që kanë bërë të mundur pasqyrimin e plotë dhe objektiv të punës sonë" - tha Matani.

E.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pesë pyetje për 2025-ën

Pesë pyetje për 2025-ën