Kanë kaluar plot 36 vjet që nga rënia e Murit të Berlinit, i cili i hapi rrugën ribashkimit të Gjermanisë dhe shënoi fundin e Luftës së Ftohtë. Ishte mbrëmja e 9 nëntorit 1989, kur simboli i konfliktit ideologjik midis vendeve të Bllokut Perëndimor dhe Bashkimit Sovjetik u shemb.

Muri e ndau qytetin për 28 vjet. Ai nisi të ndërtohej natën e 12-13 gushtit 1961 nga regjimi komunist për të ndaluar eksodin e njerëzve nga Gjermania Lindore në Republikën Federale të Gjermanisë.

Barriera kufitare fillimisht përbëhej vetëm nga tela me gjemba, por që më 15 gusht, elementë të parafabrikuar prej betoni dhe guri filluan të përdoren për të formuar gjeneratën e parë të një muri të vërtetë. Ai ishte më shumë se 155 kilometra i gjatë.

Në qershor 1962, një mur i dytë u ndërtua brenda kufirit, i destinuar për ta bërë më të vështirë arratisjen drejt Gjermanisë Perëndimore.

Mijëra njerëz, të tërhequr nga mundësitë që ofronte Gjermania Perëndimore, u përpoqën të kalonin Murin. Vlerësohet se rreth 5,000 përpjekje për arratesje patën sukses. Një numër i panjohur njerëzish - midis 150 dhe 250 - u vranë ndërsa përpiqeshin të kalonin barrierën. Disa mijëra të tjerë u arrestuan.

Përgjatë murit, kishte disa pika kontrolli. Më i famshmi prej të tyre ishte ajo me emrin Charlie, përmes së cilës mund të kalonte kushdo që kishte leje për të udhëtuar në Perëndim: këta ishin pothuajse gjithmonë turistë dhe diplomatë, pothuajse kurrë qytetarë gjermanë.

Rënia e Murit u parapri nga një sërë protestash spontane nga qytetarët e kryeqytetit gjerman, të cilat çuan në dorëheqjen e udhëheqësit të Republikës Demokratike të Gjermanisë (RDGJ), Erich Honecker, më 18 tetor 1989, pas 18 vitesh në pushtet.

Më 9 nëntor 1989, gjatë një konference për shtyp, Günter Schaboëski, Ministri i Propagandës i RDGJ-së, bëri një njoftim të papritur, duke deklaruar se pikat e kontrollit ishin hapur.

Dhjetëra mijëra berlinezë lindor nxituan drejt skajit të Murit, u ngjitën mbi të dhe  kaluan në anën tjetër në një atmosferë festive. Disa nxituan të pajiseshin me kazma për ta shembur Murin një herë e përgjithmonë.

Berlinezët Lindorë u pritën me gëzim nga berlinezët Perëndimorë, aq sa baret pranë Murit filluan spontanisht të ofronin birrë falas për të gjithë.

Gjermania u ribashkua zyrtarisht më 3 tetor 1990 (kjo është data e caktuar si "Dita e Ribashkimit"). Por ngjarja ishte festuar që në korrik me një koncert të madh nga Roger Waters, ku u shfaq një performancë live e albumit të tij ikonik "Muri" (The Wall).

Sot, nuk ka mbetur shumë nga Muri i Berlinit. Shembja zyrtare filloi më 13 qershor 1990, në Bernauer Strasse, nga 300 roje kufitare të RDGJ-së. Më pas u përfundua nga 600 ushtarë gjermanë duke përdorur 13 buldozerë, 55 ekskavatorë, 65 vinça dhe 175 kamionë.