5 vite nga shenjtërimi i Nënë Terezës, shqiptares së jashtëzakonshme që jetën ia përkushtoi të varfërve të të gjithë botës! Kujtojnë veprën e saj Meta, Rama, Ruçi dhe Basha

TIRANË-  “Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”. Këto janë fjalët e thëna nga Nënë Tereza, gruaja e jashtëzakonshme dhe shenjtorja e të varfërve të të gjithë botës e cila kurrë nuk e harroi origjinën e saj. Si sot pesë vite më parë, më 5 shtator 2016, nëna e madhe e të varfërve, fituese e çmimit Nobel për Paqen, u shpall shenjtore.

Nënë Tereza, sot e Shenjta Terezë, gruaja bujare që përkul mbi persona e braktisur nëpër rrugë duke u njohur dinjitetin që u ka dhënë Zoti u bë e përjetshme në shenjtërinë e saj përmes një ceremonie madhështore në Sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan. Papa Françesku, njohu dy mrekullitë e saj, të shërimit të të sëmurëve pas vdekjes së saj më 1997.

Murgesha 'u lumturua' në tetor të vitit 2003, nga Papa Gjon Pali II. Ai miratoi mrekullinë e parë pas vdekjes së saj. Një grua 30-vjeçare në Kalkuta tha se ajo u shërua nga një tumor në stomak pas lutjeve të Nënë Terezës. Një komitet i Vatikanit tha se nuk mund të gjente asnjë shpjegim shkencor për shërimin e saj dhe e shpalli atë një mrekulli.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, lindi me 1910 nga prindër shqiptarë. Ajo i mori mësimet e para në një shkollë në qytetin e Shkupit dhe në moshën 18 vjeçare u dorëzua murgeshë. Pasi u specializua në Irlandë u vendos në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhërin e saj të murgeshave të quajtur Misionarët e Bamirësisë.

Nga ky moment Nenë Tereza do të bëhej nënë e të gjithëve dhe jetën e saj do t’ia dedikonte tërësisht të varfërve. Urdhëri i Nënë Terezës numëron mbi 4000 misionarë dhe është shtrirë në mbi 100 vende të botës. Nëne Tereza nuk e pranoi asnjëherë famën. Ajo ka thënë se gjithçka e bënte për hir të dashurisë së Zotit.

Nënë Tereza udhëtonte për të kryer misionin e saj me një automjet gjysmë të shkatërruar. Kur Papa Pavli VI kryente një vizitë në Indi në 1964 i dhuroi asaj limuzinën e tij. Ajo e shiti atë për të siguruar fonde për koloninë e lebrozëve, të cilët i ndihmonte.

Liderë nga e gjithë bota e kanë vizituar atë. Ish-kryeministri i Indisë, Indira Gandi, pas takimit u shpreh se: “Të takosh Nënë Terezën do të thotë të përjetosh ndjenjën e inferioritetit dhe atë të pushtetit të madh të mirësisë dhe të fuqisë së dashurisë”.

Ajo vazhdoi me vetmohim të predikonte mesazhin e saj të dinjitetit njerëzor dhe respektit për çdo qenie njerëzore të lindur apo jo.

Kur mori çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979 ajo bëri këtë apel: “Shkatërrimtari më i madh i paqes së sotme është thirrja e një fëmije të pafajshëm ende të palindur. Nëse një nënë vret fëmijën që mban në barkun e saj, atëherë çfarë mbetet për ty dhe mua?

Nënë Tereza ka shtëpinë e të parëve të saj në Tiranë. Një shtëpi dykatëshe, e rrethuar me kopësht, ndërtuar bri Kishës Katolike në kryeqytet, për më tepër se 17 vjet ka qenë selia e nënës, motrës dhe vëllait të Nënë Terezës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:59
Dita e shenjtërimit e Nënë Terezës, Ambasada Amerikane: Na kujtohet rëndësia e bamirësisë, vullnetarizmit dhe filantropisë

Ambasada amerikane në vendin tone ka kujtuar sakrificat e për lehtësimin e vuajtjeve të njerëzve në nevojë nga shenjtorja shqiptare Nënë Tereza, në 5 vjetorin e shenjtërimit të saj.  Ambasada ka shkruar se në këtë ditë na kujtohet rëndësia e bamirësisë, vullnetarizmit dhe filantropisë

“Komuniteti global përkujton sot Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë dhe nderon Nënë Terezën, misionaren me origjinë shqiptare, murgeshën, fituesen e Çmimit Nobel për Paqe dhe shenjtoren, e cila i kushtoi jetën e saj lehtësimit të vuajtjeve dhe dhimbjeve të më fatkeqëve. Shqipëria përkujton gjithashtu Ditën Kombëtare të Nënë Terezës në këtë rast. Në këtë ditë, na kujtohet rëndësia e bamirësisë, vullnetarizmit dhe filantropisë. Na kujtohet fuqia e madhe e dashurisë dhe kujdesit, dhe siç ka thënë Nënë Tereza; “Ka më shumë uri për dashuri dhe vlerësim në këtë botë sesa për bukë", ka shkruar ambasada amerikane.

Ora 11:56
Nënë Tereza 5 vite shenjtore, Ilir Meta: Shembulli i saj, mesazh frymëzues dhe reflektimi

Në 5-vjetorin e shpalljes shenjte të Nënës Terezë, Presidenti Ilir Meta shkruan në Facebook se , shembulli i saj i jashtëzakonshëm vjen si mesazh frymëzues dhe reflektimi.

"Në Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, krenarisë tonë kombëtare, shembulli i saj i jashtëzakonshëm i dashurisë në veprim, solidaritetit dhe humanizmit vjen si mesazh frymëzues dhe reflektimi për më pak fjalë dhe më shumë vepra për ndërtimin e një Shqipërie më të dhembshur dhe njerëzore, ku çdo qytetar në nevojë gjen ndihmë, përkrahje, zgjidhje të halleve, përfshirje sociale, shanse dhe mundësi të barabarta. Të krenohesh me Shën Terezën, së pari duhet të jetësosh veprën e saj",shkruan Meta. 

Ora 11:32
5 vite nga shenjtërimi i Nënë Terezës, Ruçi: Ndryshoi botën dhe e bëri atë një vend me të mirë

Nënë Tereza padyshim ishte një ndër njerëzit më të cilën krenohemi në Botë. Dhe sot në vitin e 5 të shenjtërimit të saj nuk kanë munguar komenti nga kryetari në largim i Kuvendit Gramoz Ruçi.

“Pesë vjet më parë, Papa Francesku, “i dhuroi” botës Shenjtoren Nënë Tereza. Nënë Tereza është krenaria e të gjithë njerëzimit, por më shumë dhe mbi të gjithë na bën krenar kombin e saj, ne, shqiptarët. Kjo heroinë e kohëve moderne ka frymëzuar miliona njerëz të shërbejnë të ndriçuar nga drita e dashurisë. Nënë Tereza ndryshoi botën dhe e bëri atë një vend me të mirë, nëpërmjet dhimbjes, përkushtimit dhe dashurisë. Nënë Tereza na mësoi se dashuria dhe paqja fillojnë te familja dhe shpërndahen drejt gjithë njerëzve, në të gjithë planetin dhe se dashuria merr kuptim kur shprehet në shërbimin ndaj të tjerëve. Nënë Tereza është shembulli se fuqia e shpirtit njerëzor dhe humanizmit qëndrojnë te besimi se veprat e vogla sjellin të mira të mëdha, të cilat duhet t’u takojnë të gjithëve.”, shkruan në mesazhin e tij Ruçi.

Ora 09:17
Shenjtërimi I Nënë Terezës, Basha: Shndërrimi i misionit të saj në misionin tonë,  të sjellim shpresë për të rinjtë që largohen

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka përkujtuar ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës duke e cilësuar atë si ditë krenarie dhe reflektimi. Misionin e saj për të ndihmuar ata në nevojë, Basha shkruan se do kthehet në misionin e demokratëve për t’i dhënë një shpresë më të mirë për të rinjtë që largohen.

“Kremtimi i Shenjtërimit të Nënë Terezës është një ditë krenarie kombëtare dhe reflektimi. Mënyra më e mirë për ta nderuar Shën Terezën është shndërrimi i misionit të saj në misionin tonë, i shembullit të saj në frymëzim dhe nxitje për të bërë më shumë dhe me përulësi për ata që janë në nevojë e pa mbështetje, të braktisurit e të sëmurët, për të sjellë shpresë për një jetë më të mirë për gjithë të rinjtë dhe të rejat që si të vetmen zgjidhje shohin emigracionin, me besimin se edhe në ditët më të vështira, e mira triumfon gjithmonë mbi të keqen”, shkruan Basha.

Ora 09:00
Mrekullitë që e bënë Nënë Terezën Shenjtore

Nënë Tereza, e kaloi pjesën më të madhe të jetës së saj, duke iu shërbyer të sëmurëve dhe të varfërve në Kalkuta të Indisë. Pas vdekjes së saj më 5 shtator 1997, shumë adhurues dhe ndjekës të saj, kërkuan nga Vatikani që murgesha të shpallej shenjtore.

Nënë Tereza, e kaloi pjesën më të madhe të jetës së saj, duke iu shërbyer të sëmurëve dhe të varfërve në Kalkuta të Indisë. Pas vdekjes së saj më 5 shtator 1997, shumë adhurues dhe ndjekës të saj, kërkuan nga Vatikani që murgesha të shpallej shenjtore.

Në vitin 1999, Atë Brjan Kolodiejçuk u emërua postulator, pra njeriu që do të mblidhte provat që do të dëshmonin shenjtërinë e saj. Ky ishte në fakt një përshpejtim i procesit, që zakonisht nuk fillon derisa të kalojë një periudhë pritjes prej 5 vjetësh.

Megjithatë, pati një kërkesë për shenjtërim, e cila s’mund të shpërfillej:mrekullitë. Derisa Nënë Tereza të vertetohej si përgjegjëse për dy mrekulli që ndodhën pas vdekjes së saj, ajo nuk mund të kanonizohej si Shën Tereza.

Çfarë e bën një akt një mrekulli?

Të dyja mrekullitë që iu atribuan Nënë Terezës, ishin ato të shërimit. Por Vatikani kërkon më shumë prova sesa një person që pretendon “Unë jam shëruar!” dhe falënderon për këtë Nënë Terezën, për të besuar se ka ndodhur realisht një mrekulli.

Rastet e mrekullive të tilla të raportuara, shqyrtohen nga Kongregacioni i Kishës Katolike për Rastet e Shenjtorëve, dhe një komision specialistësh në fushën e mjekësisë. Nëse mund të vërtetohet se shërimi del jashtë ligjeve të natyrës, dhe nuk ka një shpjegim shkencor, konsiderohet se ai ka ndodhur falë një ndërmjetësimi mes shenjtorit të ardhshëm me Zotin. Si hapi i fundit, Papa jep miratimin e tij për përkufizimin e një mrekullie.

Nënë Tereza kishte disa “gati” mrekulli

Shumë nga mrekullitë e propozuara që lidhen me Nënë Terezën , nuk përputheshin me udhëzimet e Kishës Katolike. Ndër rastet që u morën në shqyrtim, por që nuk u konsideruan si mrekulli ishte ajo e një vajze franceze, që pretendoi se brinjët e saj të thyera nga një aksident me makinë, u shëruan sapo preku një medaljon të Nënë Terezës.

Por ky shërim, nuk ndodhi aq shpejt sa të cilësohej një mrekulli. Një vajzë palestineze, u shërua nga tumori i kockave, pasi pa në ëndërr Nënë Terezën. Por Kisha pret disa vjet, që të sigurohet që nuk ka përsëritje të sëmundjes kanceroze, pasi një shërim që cilësohet një mrrekulli hyjnore, duhet të jetë i përhershëm.

Përveç kësaj, një përmirësim në gjendjen shendetësore të dikujt, edhe nëse nuk ka ndonjë shkak mjekësor për të, nuk do t’i përshtatej parametrave për një mrekulli, pasi shërimi duhet të jetë i plotë. Dhe kura duhet të jetë, për shkak të ndërmjetësimit të Nënë Terezës. Ndaj çdo shërbim që përfshinte lutjet e dërguara tek shenjtorët e tjerë, nuk do të funksiononte.

Mrekullia e parë e Nënë Terezës: Shërimi i gruas me gungë në bark

Në vitin 1998, Monika Besra shkoi në shtëpinë e Misionarëve të Bamirësisë në Bengal, në Perëndim të Indisë. Ajo kishte ethe, dhimb koke, të vjella, dhe një stomak të fryrë. Ajo ishte kuruar një vit më parë më parë për tuberkuloz akut.

Por barnat që ajo mori, nuk kishin parandaluar rritjen e një gunge në bark (ndonëse disa raporte kanë përshkruar se Besra vuante nga një tumor kanceroz, rritja mund të ishte shkaktuar nga tuberkulozi). Ishte i nevojshëm një operacion kirurgjikal, por Besra ishte shumë e dobët, dhe në një gjendje jonormale për t’u nënshtruar një operacioni.

Më 5 shtator, Besra ishte duke u lutur në kishën e Misionarëve të Bamirësisë, kur pa një dritë të dilte nga një foto e Nënë Terezës. Më vonë, një medalje që kishte prekur trupin e Nënë Terezës, u vendos në barkun e Besrës, dhe një motër tha një lutje duke i kërkuar ndihmë Nënë Terezës.

Besra u zgjua herët të nesërmen, duke zbuluar se masa e saj tumorale ishte zhdukur. Testet mjekësore treguan se gunga nuk ekzistonte më, dhe mjekët e pranuan se Besra nuk kishte më nevojë të operohej. Teologët dhe ekspertët mjekësorë që zbuluan rastin, nuk kishin asnjë shpjegim shkëncor për shërimin e Besras.

Prandaj, kurimi i saj i atribuohet ndërhyrjes së Nënë Terezës. Kjo mrekulli, u njoh nga Vatikani në vitin 2002. Duhet të theksohet se disa mjekë, e kanë kundërshtuar natyrën e pashpjegueshme të shërimit të Besras, duke thënë se ajo mund të ishte shëruar nga ilaçi që merrte.

Megjithatë, medikamentet nuk mund ta zhduknin dot brenda natës atë masë tumorale. Për më tepër, burri i Besrës raportohet të jetë shprehur se nuk kishte pasur ndonjë mrekulli, por më vonë ai deklaroi se ishte cituar gabim.

Mrekullia e dytë e Nënë Terezës: Shëroi një burrë, që ishte prekur nga një infeksion i rëndë në tru

Në vitin 2008, braziliani Marsilio Hadad Andrino ishte shumë pranë vdekjes. Një infeksion në tru, i kishte shkaktuar shumë gunga me akumulime lëngjesh, dhe gjendja e përkeqësuar e çoi të binte në koma. Gruaja e tij, Fernanda, iu lut Nënë Terezës për ndihmë.

Një prift i kishte dhënë Fernandës një relike të Nënë Terezës kur çifti ishte martuar, dhe ajo e “vendosi reliken në kokën e Marsilios, ku ai kishte gungat dhe u lut”. Në një përpjekje të fundit për t’ia shpëtuar jetën, ai iu nënshtrua një operacioni, për të kulluar lëngjet nga truri. Por para nisjes së operacionit, Andrino u zgjua dhe pyeti:”Çfarë po bëj këtu?”.

Lutjet e gruas së tij gjetën përgjigje, teksa Andrino u shërua shpejt dhe plotësisht. Gungat dhe lëngjet rreth trurit të tij ishin zhdukur, pa nevojën e një ndërhyrje kirurgjikale. Përveç kësaj, edhe pse medikamentet që ai i kishte marrë mendohej se e kishin bërë atë jopjellor, Andrino dhe gruaja e tij vazhduan të kishin fëmijë.

Ashtu si në rastet e tjera, Kongregacioni për Rastet e Shenjtorëve dhe një komision mjekësor, e shqyrtuan rastin. Nuk u zbulua asnjë shpjegim mjekësor, se si ishte shëruar Andrino. Në vitin 2015, shërimi i tij u konsiderua si mrekulli e dytë e Nënë Terezës. Papa Françesku e njohu atë në dhjetor të atij viti.

Sipas ligjeve të Vatikanit, mrekullia e parë që i atribuohet një kandidati për shenjtërim, do të thotë se mund të jepet Lumturimi. Nëse ka një mrekulli e dytë, mund të bëhet kanonizimi dhe shpallja Shenjtor/e. Njohja e mrekullisë së parë, rezultoi me Lumturimin e Nënë Terezës në vitin 2003. Ajo u kanonizua më 4 shtator 2016, si Shën Tereza e Kalkutës./Bota.al

Ora 08:55
Kryeministri Edi Rama kujton Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës me thëniet e saj të pavdekshme nën interpretimin e Margarita Xhepës

Kryeministri Rama ka përkujtuar sot, përmes një postimi në rrjetet sociale, 5 -vjetorin e shpalljes shenjtore të Nënë Terezës. Rama ka publikuar një video me thëniet e çmuara të Nënë Terezës, përmes zërit të aktores së mirënjohur, Margarita Xhepa.

"Mirëmëngjesi dhe me këtë videokujtesë në Ditën e Shenjtërimit të gruas që u njehsua me dashurinë e Zotit, Nënë Terezës shqiptare, treguar me zërin margaritar të një zonje shqiptare të skenës, Margarita Xhepës, ju uroj një të diel të paqtë", shkruan Rama.

K.T./B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja