Krerët e politikës kanë shpërndarë mesazhe urimi për 8 marsin dhe falënderime për gratë dhe vajzat, duke i njohur sakrificën dhe kontributin në shoqëri e familje.

Presidenti Bajram Begaj ndau në rrjetet sociale një urim të veçantë për gratë, përmes zërit të një grupi fëmijësh në kor me Këngën e Nënës. Begaj shprehu mirënjohje për për çdo nënë, motër dhe bijë ‘që e bën Shqipërinë më të mirë çdo ditë’.

"Gëzuar 8 Marsin të gjitha grave shqiptare! Me forcën, sakrificat dhe dashurinë tuaj, ju mbani gjallë shpirtin e familjes dhe të kombit. Respekt dhe mirënjohje për çdo nënë, motër dhe bijë që e bën Shqipërinë më të mirë çdo ditë”, shkroi Begaj në rrjetet sociale.

Në Ditën Ndërkombëtare të Grave ka ndarë mesazhin e tij të urimit edhe  kryetari i Kuvendit Niko Peleshi i cili shprehu mirënjohje dhe respekt për kontributin, forcën dhe përkushtimin e grave në familje, në shoqëri dhe në jetën publike.

Ndërsa kryeministri Edi Rama me 8 marsin nisi podcastin e tij, duke kujtuar se me të në krye të qeverisë roli i grave është rritur gjithmonë e më shumë.

"Jam shumë krenar të them se sot kemi gjithnjë e më shumë gra që udhëheqin, që drejtojnë, ndërtojnë, krijojnë dhe që kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e vendit tonë. Ato janë në parlament, ato janë qeveri, ato janë në të gjithë zinxhirin e institucioneve…

Ndaj, nuk më mbetet veçse të uroj nga zemra, jo vetëm Gëzuar 8 Marsin për të gjitha gratë, për të gjitha nënat, motrat, gjyshet, vajzat shqiptare, jo vetëm t’i falënderoj për gjithçka bëjnë", tha Rama.

Edhe opozita ka ndarë mesazhe urimi në këtë ditë. Sali Berisha mblodhi në selinë blu gratë dhe vajzat e partisë së tij. Ndërsa ndau mesazhe urimi dhe theksoi rolin e gruas në shoqëri foli edhe për problematikat me të cilat përballen sot gratë.

llir Meta ka shpërndarë nga burgu një video me gratë e vajzat që kontribuojnë në partinë e tij.

“Sot është një ditë për të nderuar dhe falenderuar me mirënjohjen më të madhe të gjitha gratë dhe vajzat, nënat dhe motrat, që me dashurinë, sakrificat dhe përkushtimin e tyre lartësojnë vlerat më të mira të familjes dhe shoqërisë sonë”-shkruan Meta në rrjetet sociale.

Një mesazh për gratë që përballen me dhunë, padrejtësi dhe vështirësi, por edhe për ato që vazhdojnë të sfidojnë çdo pengesë pati edhe ish-ministrja e Jashtme Elisa Spiropalit për 8 Marsin.

"Sot më 8 Mars, përveç urimit të natyrshëm e me gjithë  për të gjitha gratë dhe vajzat, dua të kujtoj me respekt të thellë ato që nuk shpëtuan dot nga dhuna, ato që shpëtuan por nuk u shëruan, vajzat që nuk u arsimuan sepse nuk i lejuan, ato që u shkelën dhe u shfrytëzuan, ato që përballojnë të vetme rritjen e fëmijëve, ato që luftohen sepse guxojnë, ato që luftojnë kundër normalizimit të shtypjes, por edhe të gjitha ato gra dhe vajza që ia dolën dhe ia dalin çdo ditë duke sfiduar pengesat, ato gra të guximshme dhe inteligjente të potencialit të pakufishëm njerëzor që rri i fshehur tek vajzat e jashtëzakonshme kudo ku janë, kudo ku punojnë, kudo ku vuajnë, kudo ku lexojnë, kudo ku lodhen, kudo ku triumfojnë. Si në shkrimet e shenjta: "Drita ndrin në errësirë, dhe errësira nuk e tejkalon dot dritën". Forca vajza! Gëzuar" shkroi ajo në rrjete sociale

Që prej vitit 1977, 8 Marsi është vendosur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si Dita Ndërkombëtare e Gruas, si një thirrje për veprim për përshpejtimin e barazisë gjinore, nderimin e të drejtave të grave dhe reflektimin mbi progresin e bërë drejt barazisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:39
Spiropali për 8 Marsin: Drita ndrin në errësirë, dhe errësira nuk e tejkalon dot dritën. Forca vajza!

Një mesazh për gratë që përballen me dhunë, padrejtësi dhe vështirësi, por edhe për ato që vazhdojnë të sfidojnë çdo pengesë. Ky ishte urimi i ish-ministres së Jashtme Elisa Spiropalit për 8 Marsin.

"Sot më 8 Mars, përveç urimit të natyrshëm e me gjithë  për të gjitha gratë dhe vajzat, dua të kujtoj me respekt të thellë ato që nuk shpëtuan dot nga dhuna, ato që shpëtuan por nuk u shëruan, vajzat që nuk u arsimuan sepse nuk i lejuan, ato që u shkelën dhe u shfrytëzuan, ato që përballojnë të vetme rritjen e fëmijëve, ato që luftohen sepse guxojnë, ato që luftojnë kundër normalizimit të shtypjes, por edhe të gjitha ato gra dhe vajza që ia dolën dhe ia dalin çdo ditë duke sfiduar pengesat, ato gra të guximshme dhe inteligjente të potencialit të pakufishëm njerëzor që rri i fshehur tek vajzat e jashtëzakonshme kudo ku janë, kudo ku punojnë, kudo ku vuajnë, kudo ku lexojnë, kudo ku lodhen, kudo ku triumfojnë. Si në shkrimet e shenjta: "Drita ndrin në errësirë, dhe errësira nuk e tejkalon dot dritën". Forca vajza! Gëzuar" shkroi ajo në rrjete sociale

Ora 14:07
84 miliardë lekë për fuqizimin e grave dhe vajzave, Malaj: Më shumë mbështetje dhe barazi

84 miliardë lekë janë parashikuar në buxhetin e vitit 2026 për buxhetimin gjinor tha të dielën Ministri i Financave, Petrit Malaj, në një mesazh për 8 Marsin.

Në një postim në rrjetet sociale, Malaj tha se fondet janë dedikuar për të rritur mbështetjen dhe mundësitë për gratë dhe vajzat në Shqipëri. Sipas ministrit, qëllimi është ndërtimi i një shoqërie ku gratë kanë më shumë mundësi për të ecur përpara në familje, në punë dhe në jetën publike.

“Për forcën, guximin dhe inspirimin që gratë sjellin çdo ditë në familje, në punë dhe në shoqëri. 84 miliardë lekë janë dedikuar për buxhetimin gjinor në vitin 2026 — një hap i rëndësishëm për më shumë mundësi, mbështetje dhe barazi për gratë dhe vajzat në vendin tonë. Së bashku të vazhdojmë të ndërtojmë një të ardhme ku çdo grua ka mundësi të barabarta për të ëndërruar, për të krijuar dhe për të arritur më shumë. Gëzuar 8 Marsin!'  shkroi Malaj

 

Ora 13:05
Partia e Lirisë uron 8 Marsin, Blushi: Gratë e PL-së janë model frymëzues për Shqipërinë

Forumi i Gruas i Partisë së Lirisë

Gratë e Partisë së Lirisë janë “energjia nukleare” e kësaj force politike. Kështu u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, gjatë një takimi me Forumin e Gruas në prag të 7–8 Marsit. Ai tha se gratë shqiptare kanë qenë gjithmonë shtylla e familjes dhe një forcë e rëndësishme në shoqëri, duke vlerësuar rolin e tyre edhe në jetën publike dhe politike. Blushi kritikoi gjithashtu klimën politike në vend dhe përmendi si të papranueshëm sulmin verbal ndaj deputetes Albana Vokshi në Kuvend, duke thënë se një gjuhë e tillë tregon mungesë respekti ndaj grave. Në fund, Blushi u shpreh se gratë e forumit të partisë janë modele frymëzuese dhe një forcë e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë.

Deklarata e plotë e Tedi Blushit

" Në këtë ditë të veçantë, në prag të 7–8 Marsit, kam kënaqësinë dhe nderin t’ju përshëndes dhe t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë për rolin tuaj të jashtëzakonshëm në familje, në shoqëri dhe në jetën publike të vendit. 8 Marsi nuk është vetëm një ditë simbolike për të dhuruar lule apo për të shkëmbyer urime. Është një ditë reflektimi për sakrificat, përpjekjet dhe kontributin e grave shqiptare, të cilat në çdo periudhë kanë qenë shtylla e familjes dhe forca më e madhe e shoqërisë sonë. Gruaja shqiptare ka qenë gjithmonë simbol i dinjitetit, i përkushtimit dhe i qëndresës. Por fatkeqësisht, sot në Shqipëri gratë dhe vajzat nuk përballen vetëm me vështirësitë ekonomike dhe sociale që ka krijuar kjo qeveri. Ato përballen edhe me një klimë arrogante dhe përçmuese në politikë, e cila shpesh shfaqet hapur në institucionet më të larta të vendit. Një shembull i papranueshëm dhe i dënueshëm ishte sulmi verbal që iu bë në Kuvend deputetes Albana Vokshi nga Taulant Balla. Një gjuhë e tillë, një arrogancë e tillë dhe një mungesë e tillë respekti ndaj një gruaje dhe deputeteje të Kuvendit të Shqipërisë tregon qartë se sa pak e respekton kjo qeveri dinjitetin e grave dhe vajzave shqiptare. Kur një përfaqësuese e zgjedhur e popullit trajtohet me fyerje dhe arrogancë në parlament, imagjinoni se çfarë mesazhi u jepet grave dhe vajzave në gjithë shoqërinë.
Partia e Lirisë beson se respekti për gruan nuk është slogan dhe as propagandë. Respekti për gruan fillon nga familja, nga vlerat, nga edukimi dhe nga politikat që mbrojnë rolin e saj në shoqëri. Pikërisht për këtë arsye ne kemi kundërshtuar dhe do të vazhdojmë të kundërshtojmë ligje dhe iniciativa që, në emër të një barazie të deformuar gjinore, rrezikojnë të cenojnë vlerat themelore të familjes shqiptare. Shqipëria ka nevojë për politika që fuqizojnë gruan, që e mbështesin atë si nënë, si profesioniste, si qytetare aktive, por pa shkatërruar identitetin dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar shoqëria jonë. Ne besojmë në një shoqëri ku gratë dhe burrat kanë të drejta të barabarta, por edhe respekt të ndërsjellë, ku gruaja nuk përdoret si dekor politik, por vlerësohet për kontributin dhe integritetin e saj. Ne kemi modele të shkëlqyera dhe frymëzuese të grave dhe vajzave në Lëvizjen e Gruas për Integrim, që janë jo vetëm aseti ynë por edhe aset për të ardhmen e Shqipërisë. Ne kemi modele të shkëlqyera të vajzave të mirëarsimuara të cilat luftojnë për të drejtat e grave, për fuqizimin e familjes dhe gjithë kohës janë në bashkëpunim me shoqërinë civile, i dëgjojnë gratë dhe vajzat dhe ndërmarrin iniciativa për të reflektuar dhe për të mbrojtur interesat e tyre. Ne si forcë politike jemi krenarë që sot, përballë një modeli të papranueshëm si ish-zëvendëskryeminisrja në qeveri, kemi modele të shkëlqyera në Partinë tonë, kemi Zv. Presidenten Erisa Xhixho, kemi Kryetaren e Forumit të Gruas, Znj. Myrvete Asqeri, kemi Sekretaren për Mardhëniet me Publikun Arla Merja, kemi Kryetaren e Forumit Rinor Anisa Ibraj, zysh Mirandën një aktiviste e palodhur ish-kryetare bashkie, e kudondodhur në çdo protestë dhe një zë i fuqishëm në mbrojtje të rolit të grave, kemi Kryetaren e Komisionit të Shëndetësisë Znj. Florida Ymeri, kemi Silvana Bajramin Kryetaren e Komisionit të Bujqësisë e plot e plot zonja dhe gra të nderuara, të cilat janë modele të shkëlqyera,  janë një aset jo vetëm për partinë tonë, por janë një aset dhe vlerë për të gjithë Shqipërinë. Mbështetja e gruas dhe familjes është kauzë madhore e Partisë së Lirisë dhe e programit dhe platformës tonë qeverisëse 5 prioritete për 4 milion shqiptarë plus. Fuqizimi Ekonomik dhe Social i Gruas nëpërmjet programit “arsim për punësim”, në mënyrë që gratë të fuqizohen ekonomikisht, veçanërisht, gratë dhe vajzat që u përkasin shtresave më në nevojë të popullsisë. “Strategjia për Gruan Sipërmarrëse”, një pakete masash stimuluese financiare dhe fiskale për arsimimin, kualifikimin, trajnimin, zhvillimin dhe promovimin e iniciativës private për vajzat dhe gratë. 

Intensifikimin e luftës kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, kryesisht dhunës në familje, në ambientin publik dhe në vendin e punës. Mbështetja e grave kryefamiljare me politika më sociale, duke evituar pengesat burokratike në mbështetjen sociale të tyre, si dhe duke i bërë pjesë të programeve të fuqizimit ekonomik. Mbështetja e familjeve të reja me mekanizma të ndryshëm financiare si kredi të buta (dhe mekanizma të tjerë) për strehim.  Rritje progresive pagesave për fëmijën e dytë e të tretë. Garantimi i aksesit dhe fuqizimi i grave dhe vajzave për të marrë pjesë në të gjitha proceset vendimmarrëse, në nivel qendror dhe lokal.Pesë prioritetet e Partisë së Lirisë për 4 milion shqiptarë plus janë "ilaçi" që ndalin shpopullimin, mbrojnë Familjen dhe Kombin!  Të dashura zonja, Roli juaj në Partinë e Lirisë është i pazëvendësueshëm. Ju jeni zëri i shumë grave shqiptare që kërkojnë dinjitet, drejtësi, siguri ekonomike dhe një të ardhme më të mirë për familjet e tyre. Ju e keni dëshmuar se jeni një fuqi nukleare dhe jam i bindur se përmes bashkimit, zgjerimit dhe hapjes së pandalshme të Forumit të Gruas, zëri juaj dhe i të gjitha grave shqiptare do të dëgjohet edhe më fort. Në këtë 7–8 Mars, ju uroj nga zemra shëndet, forcë dhe suksese në çdo angazhim tuajin. Le të vazhdojmë së bashku betejën për një Shqipëri më të drejtë, ku gruaja respektohet, vlerësohet dhe ka vendin që meriton në shoqëri.
Gëzuar 7–8 Marsin!" 

Ora 12:27
'Më shumë liri dhe barazi', turistë nga e gjithë bota urojnë gratë shqiptare për 8 Mars, kryeministri Rama ndan pamjet

Nga Azia në Europë e deri në SHBA, urimet për 8 Marsin këtë vit erdhën edhe nga turistë që po vizitojnë Shqipërinë.

Vizitorë nga vende të ndryshme të botës ndaluan për disa sekonda para kamerës dhe dhanë mesazhe për gratë, nënat dhe vajzat, duke uruar më shumë barazi, liri dhe sukses për to.

Mesazhet u shpërndanë në një video të publikuar nga kryeministri Edi Rama, i cili shkroi:

“8 Mars ,Urimet për këtë datë të rëndësishme për gruan vijnë në gjuhët e ndryshme të turistëve”.

Në video shfaqen turistë nga Koreja e Jugut, Franca, SHBA, Gjermania, Holanda, Letonia, Austria, Danimarka dhe Greqia.

Choi Hyeon-su nga Koreja e Jugut tha se kjo është një ditë domethënëse dhe kërkoi më shumë vëmendje për barazinë gjinore. Ndërsa një çift franko-shqiptar, Luiza dhe Ernesti, uruan në shqip: “Gëzuar Ditën e Gruas”.

Nga SHBA-të, Paula Murphy nga San Francisko tha se ajo dhe i shoqi po e shijojnë shumë Shqipërinë dhe uroi një ditë të bukur për të gjitha gratë, nënat dhe gratë në biznes. Bashkëshorti i saj, John Murphy, tha se gratë që ka takuar në Shqipëri janë shumë mikpritëse, të zgjuara dhe të suksesshme.

Një turiste nga Gjermania, Emily, dërgoi urime për të gjitha gratë dhe veçanërisht për nënat, ndërsa një çift nga Franca uroi më shumë liri dhe barazi për gratë në të gjithë botën.

Romy nga Holanda tha se dëshira e saj është që gratë ta shohin feminilitetin si forcë dhe jo si diçka që i bën më pak të vlefshme. Nga Letonia, Morenis uroi që gratë, veçanërisht në Shqipëri, të jenë të guximshme dhe të lira.

Një grup turistësh nga Franca uroi paqe në botë në këtë ditë të të drejtave të grave, ndërsa Otmar Schmidt nga Danimarka dërgoi urime për artistet gra dhe sukses në veprat e tyre.

Urime për gratë erdhën edhe nga turistë austriakë nga zona pranë Vjenës, si dhe nga një grup vizitorësh nga Greqia, të cilët u bashkuan me mesazhin: “Gëzuar festën të gjitha grave”.

E teksa sheh këtë buqetë urimesh, është e lehtë të kuptosh mesazhi ishte i njëjtë në çdo gjuhë: më shumë respekt, barazi dhe mbështetje për gratë, jo vetëm sot, por çdo ditë.

 

Ora 10:34
Meta uron për festën e 8-të Marsit: Gratë janë forca, frymëzimi dhe shtylla e çdo familjeje shqiptare

1771317789_1000039315.jpg

Foto: Ilir Meta

Ish-presidenti Ilir Meta ka uruar të gjitha gratë dhe vajzat me rastin e festës së 8-të Marsit.

Në një reagim në rrjete sociale Meta shprehet se gratë janë forca, frymëzimi dhe shtylla e çdo familjeje shqiptare

Postimi i plotë:

Gëzuar 8 Marsin!

Sot është një ditë për të nderuar dhe falenderuar me mirënjohjen më të madhe të gjitha gratë dhe vajzat, nënat dhe motrat, që me dashurinë, sakrificat dhe përkushtimin e tyre lartësojnë vlerat më të mira të familjes dhe shoqërisë sonë. Ato janë forca, frymëzimi dhe shtylla e çdo familjeje shqiptare.

Kjo ditë na kujton gjithashtu se duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku që çdo grua dhe vajzë të ketë mundësi të barabarta, të jetojë pa diskriminim e pa dhunë dhe të realizojë plotësisht potencialin e saj.

Fuqizimi social, ekonomik dhe politik i grave është një hap i rëndësishëm për një shoqëri më të drejtë, për familje më të forta dhe për një Shqipëri më të zhvilluar dhe europiane.

Gëzuar 8 Marsin në veçanti të gjitha grave dhe vajzave të Lëvizjes së Gruas për Integrim dhe mirënjohje për sakrificat, qëndresën dhe kontributin e tyre të vyer në Partinë e Lirisë dhe punën e palodhur që bëjnë çdo ditë për të vënë në jetë 5 Prioritetet tona për 4 milion shqiptarë plus.

Mbështetja për vajzat dhe gratë është prioriteti i programit të Partisë së Lirisë, sepse ne jemi të vendosur për mbrojtjen dhe fuqizimin e familjes dhe vlerave të shoqërisë sonë.

Ora 10:06
Festa e 8-të Marsit, Ministri Hoxha: Gratë në Trupën tonë Diplomatike, formësojnë angazhimin e Shqipërisë me botën

1772880788_ferithoxha.jpg

Foto: Ferit Hoxha

Mesazhi i Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ka uruar të gjitha gratë e vajzat me rastin e 8-të Marsit, Dita Ndërkombëtare e grave.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Hoxha shprehet se 8 Marsi rikthehet çdo vit si një kujtesë e fuqishme e forcës që mban të bashkuara familjet, komunitetet dhe shoqëritë: qëndrueshmëria, vendosmëria dhe vizioni i grave dhe vajzave.

“Në Shërbimin e Jashtëm të Shqipërisë, kjo forcë është e dukshme çdo ditë. Sot, gratë përbëjnë shumicën në Trupën tonë Diplomatike; shumë prej tyre mbajnë pozicione kyçe drejtuese - përfshirë të tre zëvendësministrat, një numër ambasadoresh dhe anëtare të ekipt të lartë drejtues - duke kontribuar në formësimin e angazhimit të Shqipërisë në botë. Përmes profesionalizmit, përkushtimit dhe lidershipit të tyre, ato japin një kontribut vendimtar në avancimin e prioriteteve tona, dialogut dhe bashkëpunimit.

Shqipëria është veçanërisht krenare që e vendosi agjendën “Gratë, Paqja dhe Siguria” në qendër të punës së saj gjatë mandatit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Nxitja e pjesëmarrjes kuptimplotë të grave në proceset e paqes dhe sigurisë, mbrojtja e të drejtave të tyre dhe garantimi që zëri i tyre të dëgjohet në vendimmarrje mbeten angazhime thelbësore të politikës sonë të jashtme.

Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Gruas, në emër të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjitha gratë që i shërbejnë vendit tonë me integritet dhe përkushtim, shpesh edhe në mjedise të vështira dhe sfiduese, si dhe u përcjell urimet më të përzemërta të gjitha grave dhe vajzave në Shqipëri dhe në mbarë botën’, shkruan ai.

Ora 08:57
Dita Ndërkombëtare e Grave, Begaj: Gëzuar 8 Marsin të gjitha grave shqiptare, ju mbani gjallë shpirtin e familjes dhe të kombit

1772048425_bajrambegaj.png

Foto: Bajram Begaj

Presidenti Bajram Begaj ka uruar të gjitha gratë shqiptare për festën e 8-të Marsit. Përmes një postimi në rrjetet sociale kreu i shtetit shpreh mirënjohje për për çdo nënë, motër dhe bijë ‘që e bën Shqipërinë më të mirë çdo ditë’.

“Gëzuar 8 Marsin të gjitha grave shqiptare! Me forcën, sakrificat dhe dashurinë tuaj, ju mbani gjallë shpirtin e familjes dhe të kombit. Respekt dhe mirënjohje për çdo nënë, motër dhe bijë që e bën Shqipërinë më të mirë çdo ditë”, shkroi Begaj në rrjetet sociale.

Ora 08:45
Niko Peleshi uron 8 Marsin: Gratë shqiptare, frymëzim dhe shtyllë e shoqërisë

1772956055_tsxr67ufdr0os.jpg

Me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Grave, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, përcolli një mesazh urimi dhe vlerësimi për të gjitha gratë dhe vajzat shqiptare

Në mesazhin e tij, ai shprehu mirënjohje dhe respekt për kontributin, forcën dhe përkushtimin e grave në familje, në shoqëri dhe në jetën publike, duke theksuar se ato janë një faktor i rëndësishëm progresi dhe zhvillimi për vendin.

Kryetari i Kuvendit vlerësoi rolin dhe angazhimin e grave shqiptare në çdo fushë të jetës, duke uruar që kjo ditë të shërbejë si një moment reflektimi për rëndësinë e barazisë gjinore dhe mbështetjes së tyre në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të zhvilluar.

“Gëzuar 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Grave! Mirënjohje dhe respekt për të gjitha gratë dhe vajzat shqiptare për kontributin, forcën dhe përkushtimin e tyre, si një faktor progresi në familje, në shoqëri dhe në zhvillimin e vendit”, ka shkruar Peleshi në faqen e tij në Facebook.

Ora 08:11
Festa e 8-të Marsit, Rama: Për gratë, nënat, motrat e gjyshet, urim që angazhimi i tyre të forcohet (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjitha gratë me rastin e ditës Ndërkombëtare të Gruas.

Në mesazhin e tij, Rama shprehu mirënjohje për kontributin e grave në shoqëri dhe theksoi rëndësinë e rritjes së pjesëmarrjes dhe angazhimit të tyre në jetën publike.

“Mirëmëngjes dhe në këtë 8 Mars, për të gjitha gratë, për të gjitha nënat, motrat, gjyshet dhe vajzat shqiptare, jo vetëm një falënderim për gjithçka bëjnë çdo ditë, por edhe një urim me gjithë zemër që pjesëmarrja e tyre të rritet, angazhimi i tyre të forcohet dhe gjithçka që ato i sjellin Shqipërisë të bëhet edhe më shumë, falë zërit, energjisë dhe kontributit të tyre, ju uroj një të diel të paqtë” shkroi Rama në rrjetet sociale.

Xh.K/U.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 4 Mars, 21:56

    Mendoni se ndryshimet në Ekzekutiv do përmirësojnë qeverisjen e vendit?