Profesori Bekim Sejdiu, i cili ishte kandidat për President të Kosovës, ka njoftuar se për vendimin për tërheqjen e kandidaturës së tij ka njoftuar kryeministrin Albin Kurti dhe kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Unë i kam njoftuar, kam qenë në komunikim me krerët e LDK-së edhe i kam njoftuar së fundi edhe krerët e LDK-së, edhe kryeministrin Kurti që unë nuk jam pjesë e këtij procesi për zgjedhjen e presidentit të Kosovës”, tha Sejdiu.

Në konferencën e sotme, Kurti shpalosi një ofertë për Partinë Demokratike të Kosovës që nëse i siguron votat e nevojshme për zgjedhjen e Sejdiut President, do ta votonte Ligjin për Specialen edhe në lexim të dytë.

“Bekim Sejdiu doli me ne në konferencë bashkë. Ishte dakord të zgjidhej president. Le të votojnë kundër, ose le të abstenojnë, por le të vijnë”, shtoi Kurti

“Unë kam hy me idenë kur kam hy në fillim të shtatorit, me motivin e vetëm që me dal prej një ngërçi, por nuk u realizua sepse nuk u bënë votat edhe rrjedhimisht unë kam bërë një herë tërheqje publike edhe tani normalisht emrin për të ma përmendur s’mundem t’ja ndaloj askujt. Edhe e di që e bëjnë me qëllimin më të mirë të mundshëm, e di që kanë besim në mua, por unë i kam informuar që unë jam i tërhequr nga kjo garë”, ka deklaruar Sejdiu për mediat në Kosovë.

Ai ka treguar se në proces kishte hyrë në një kombinim politik ku LDK-ja do të ishte propozuese, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje mbështetëse, duke shtuar se komunikimet kryesore i kishte zhvilluar me drejtuesit e LDK-së.

“Unë ju kam thënë që jam i tërhequr, unë nuk jam i informuar. Unë kur kam hyrë me LDK-në si propozuese, VV-në si mbështetëse, me qat konspiracion kam hyrë dhe kryesisht i kam bërë komunikimet me drejtues të LDK-së që më kanë propozu e më kanë thirr mua me hy në këtë proces. E çmoj shumë edhe besimin e kryeministrit Kurti, por unë i kam njoftuar se jam tërhequr nga gara, ju kam treguar se nuk jam pjesë e garës”, ka thënë Sejdiu.

Sejdiu ka treguar për Infokusin se është i gatshëm t’ua dërgojë drejtuesve të LDK-së edhe mesazhin përmes të cilit i kishte njoftuar për qëndrimin e tij. Ai ka theksuar se nuk e konsideron të denjë që dikush të zgjidhet president vetëm për të shmangur zgjedhjet dhe se posti duhet t’i takojë dikujt që e meriton.


Lajmi kryesor:

'Votojmë kreun e shtetit sonte, Specialen të enjten!', Kurti ofertë PDK-së: Garantoj 62 deputetë! Pa president nuk mund t’i ndihmojmë ish krerët e UÇK-së në Apel! Sejdiu: Jam tërhequr nga gara