Raundi i dytë i negociatave midis Iranit dhe SHBA-së në Gjenevë ka përfunduar. Të dy delegacionet u larguan nga vendi i negociatave, pas bisedimeve që zgjatën rreth katër orë.

Delegacioni iranian u kryesua nga Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, ndërsa pala amerikane u kryesua nga Steve Witkoff dhe Jared Kushner.

Të dy delegacionet zhvilluan takime të ndara me Ministrin e Jashtëm të Omanit, Badr Al Busaidi, në konsullatën e Omanit. Deri më tani nuk ka asnjë tregues nëse është bërë ndonjë përparim mes dy vendeve.

Ndërkohë Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei paralajmëroi Donald Trump se përpjekjet e SHBA-së për të rrëzuar qeverinë e tij do të dështojnë.

“Presidenti amerikan vazhdimisht thotë se ushtria jonë është ushtria më e fortë në botë. Ushtria më e fortë në botë ndonjëherë mund të goditet aq fort sa nuk mund të ngrihet dot”, tha Khamenei duke theksuar se Trump nuk mund ta shkatërrojë Republikën Islamike.

Khamenei shtoi se Irani ka armë që mund t’i sjellin aeroplanmbajtëset amerikane – të cilat SHBA-të i kanë zhvendosur së fundmi në Lindjen e Mesme.

“Ata vazhdojnë të thonë se kemi dërguar një aeroplanmbajtëse drejt Iranit. Shumë mirë. Një aeroplanmbajtëse është sigurisht një pajisje e rrezikshme. Por më e rrezikshme se aeroplanmbajtësja është arma që mund ta dërgojë atë aeroplanmbajtëse në fund të detit”, tha ai.

Vetëm pak orë pasi filluan negociatat, agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Fars e Iranit raportoi se një pjesë e Ngushticës së Hormuzit do të mbyllen për disa orë për shkak të "masave paraprake të sigurisë", ndërsa Garda Revolucionare elitare e Iranit kryen stërvitje ushtarake në rrugën më jetësore të eksportit të naftës në botë.

Ngushtica e Hormuzit ndodhet midis Gjirit Persik dhe Gjirit të Omanit dhe është e vetmja mënyrë për të transportuar naftë të papërpunuar nga Gjiri Persik. Irani kontrollon anën e saj veriore.

Rreth 20 milionë fuçi naftë, ose një e pesta e prodhimit global ditor, kalojnë nëpër ngushticë çdo ditë, sipas Administratës Amerikane të Informacionit për Energjinë.

Zyrtarët iranianë kanë kërcënuar më parë se do ta mbyllin ngushticën përballë tensioneve me Perëndimin, një skenar që do të prishte masivisht transportin global të transportit detar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:11
'Është bërë përparim', SHBA: Presim propozimet e Iranit për marrëveshje të re bërthamore

1770049244_donaldtrump.jpg

Presidenti amerikan, Donald Trump

SHBA pret që Irani të paraqesë propozime të detajuara për të ngushtuar dallimet mes palëve lidhur me programin bërthamor të Teheranit, pas raundit të fundit të bisedimeve të zhvilluara në Gjenevë.

Sipas një zyrtari amerikan, është arritur përparim në bisedime.

“Shtetet e Bashkuara besojnë se është bërë përparim në bisedimet me Iranin, por se ka ende shumë detaje për t'u diskutuar. Iranianët thanë se do të ktheheshin në dy javët e ardhshme me propozime të detajuara për të kapërcyer disa nga boshllëqet midis nesh dhe qëndrimeve tona", tha një zyrtar amerikan për Axios.

Ora 15:41
Bisedimet SHBA-Iran, Teherani: Klimë konstruktive, marrëveshje e përgjithshme mbi parimet udhëzuese

Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi

"Diskutime më serioze sesa në raundin e mëparshëm", të realizuara në një klimë "konstruktive" që çoi në "marrëveshje të përgjithshme mbi një sërë parimesh udhëzuese". Kështu I përkufizoi bisedimet e ditës së sotme në Gjenevë, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi. Ai i tha agjencisë publike të lajmeve "Tasnim", se "ide të ndryshme" u paraqitën në tryezën e negociatave dhe se parimet e përbashkëta udhëzuese do të formojnë bazën për tekstin e një marrëveshjeje të mundshme.

"Kemi bërë përparim të mire. Kjo nuk do të thotë se do të arrijmë një marrëveshje së shpejti, por procesi ka filluar. Kur bëhet fjalë për hartimin e tekstit, puna është e vështirë", tha Araghchi. Ministri shtoi se rruga "është pozitive". Së fundmi, ai tha se nuk është caktuar një datë specifike për raundin tjetër dhe u vendos që të dy palët të punojnë së pari mbi tekstet. "Kemi një pamje më të qartë të asaj që duhet bërë. Qëndrimet e të dy palëve do të duan kohë për t'u bashkuar, por tani kemi parime mbi të cilat të dy palët mund të lëvizin".

Ora 13:48
Khamenei: Është marrëzi të paracaktosh rezultatin e negociatave me SHBA-në

1769955981_alikhamenei.JPG

Foto:Ali Khamenei

"Ata thonë se po negociojmë për energjinë bërthamore të Iranit dhe po arrijmë një marrëveshje, por rezultati i negociatave duhet të jetë që Irani të mos e ketë këtë energji", tha udhëheqësi iranian Ali Khamenei në një fjalim drejtuar Presidentit të SHBA-së Donald Trump.

Ai theksoi se "paracaktimi i rezultatit të negociatave është i gabuar dhe i pamend".

"Presidenti i SHBA-së ndonjëherë flet dhe ndonjëherë kërcënon Iranin, që do të thotë se po përpiqet ta dominojë atë. Megjithatë, Irani nuk do t'u premtojë besnikëri udhëheqësve si njerëzit e korruptuar në pushtet në Shtetet e Bashkuara sot", paralajmëroi Udhëheqësi Suprem.