Nga Ankaraja, 32 liderët e vendeve të NATO-s u angazhuan të ofrojnë 70 miliardë euro ndihmë ushtarake, pajisje dhe trajnim për Ukrainën gjatë vitit 2026. Në deklaratën e përbashkët, aleatët rikonfirmuan gjithashtu angazhimin ndaj Nenit 5 për mbrojtjen kolektive dhe ritheksuan se Irani nuk duhet të zotërojë kurrë armë bërthamore.

Prania e presidentit amerikan Donald Trump shkaktoi rrëmujë në samit, pasi ai nuk kurseu kritikat ndaj aleatëve edhe pse më vonë, në takimin me dyer të mbyllura zbuti tonet duke folur për “dashuri” dhe “shumë unitet” mes vendeve të NATO-s.

“E ndjeva dashurinë tuaj”, mësohet të ketë deklaruar Trump në takim duke thënë se dëshiron që Shtetet e Bashkuara të mbeteshin pjesë e aleancës. Por, përpara se të zbuste tonet, ai dominoi samitin me një seri deklaratash të forta ndaj aleatëve.

Italia është sjellë "shumë keq" për mosvënien në dispozicion të bazave të saj gjatë luftës me Iranin; armëpushimi me Teheranin ka marrë fund; e gjithë NATO e ka zhgënjyer; Groenlanda duhet t'i kalojë SHBA-së; me Spanjën ka ndërprerë të gjitha marrëdhëniet tregtare; ndërsa raportet me Kinën janë të shkëlqyera.

Trump ishte i papërmbajtshëm gjatë fjalës së tij në hapjen e samitit të NATO-s në Ankara, krah Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës, Mark Rutte. Ai nuk kurseu pothuajse askënd, me përjashtim të mikpritësit turk Recep Tayyip Erdogan dhe liderëve autoritarë me të cilët ndihet më rehat.

"Italia është sjellë shumë keq", tha Trump, duke iu referuar vendimit për të mos lejuar përdorimin e bazave ushtarake italiane nga forcat amerikane.

Për Iranin, Trump përdori tone edhe më të ashpra, duke deklaruar se armëpushimi 60 ditor ka marrë fund.

"Irani është një vend gënjeshtar dhe i sëmurë. Për mua armëpushimi ka marrë fund. Do të flas me negociatorët tanë. Nëse ata duan të negociojnë, le ta bëjnë. Për mua është humbje kohe të merresh me iranianët.", deklaroi ai.

Sipas Trump, negociatat me Teheranin janë tashmë të kota.

"Këta janë njerëz të këqij dhe të sëmurë. Duhet të shpëtojmë prej tyre. Janë një kancer. Një kancer. Dhe e dini çfarë bëhet me kancerin? Ai duhet shkulur që në fillim”, tha Trump.

Presidenti amerikan u shfaq po aq kritik edhe ndaj aleatëve evropianë në NATO.

"Jam shumë i zemëruar me anëtarët evropianë të NATO-s. Do të flas për gjërat që na shqetësojnë. Groenlanda është një çështje shumë e rëndësishme për ne. Është çështje e sigurisë kombëtare. Ne kemi shpenzuar mbi një mijë miliardë dollarë në dhjetë vjet për të mbrojtur vendet e NATO-s nga Rusia, ndërsa në këmbim jemi trajtuar padrejtësisht. Jam shumë i zemëruar me NATO-n. Ne kemi paguar miliarda e miliarda dollarë, ndërsa të tjerët nuk paguajnë asgjë dhe nuk na ndihmuan gjatë luftës kundër Iranit”, tha Trump.

Në mbrojtje të aleatëve ndërhyri Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili kujtoi se nga Evropa u nisën 5 mijë fluturime në mbështetje të operacionit "Epic Fury" dhe se Spanja tashmë ka arritur nivelin e 2% të shpenzimeve për mbrojtjen.

"Nëse nuk do të ishe ti, kjo nuk do të kishte ndodhur. Është një fitore e madhe e jotja, merre si të tillë", iu drejtua Rutte Trumpit.

Trump sulmoi edhe Danimarkën, e cila vazhdon të refuzojë shitjen e Groenlandës. Sipas tij, Groenlanda është thelbësore për sigurinë globale.

"Groenlanda është e rëndësishme për mbrojtjen e gjithë botës, jo vetëm të Shteteve të Bashkuara", theksoi Trump, duke përsëritur dëshirën për ta marrë nën kontroll.

Presidenti amerikan rezervoi kritika të forta edhe për Spanjën, duke thënë se nuk dëshiron më marrëdhënie me Madridin.

"Spanja është një aleat i tmerrshëm. Nuk dua të kem më marrëdhënie me ta. Marrëdhëniet tregtare kanë marrë fund. Është një rast pa shpresë. Ka edhe disa vende të tjera të vështira, por Spanja është veçanërisht armiqësore”, vijoi Trump.

Në të kundërt, ai rezervoi fjalë pozitive për Kinën.

"Kina është sjellë mirë me ne. Unë jam personi numër një në TikTok me rreth 4 miliardë shikime."

Në mbyllje të samitit, Trump zhvilloi një takim me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky ku në qendër të diskutimeve ishte forcimi i mbrojtjes ajrore të Ukrainës,  Trump njoftoi se Shtetet e Bashkuara do t'i japin Ukrainës licencën për prodhimin e raketave patriot.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:49
Irani, Trump: Ta çojmë punën deri në fund! Kur ata godasin, ne u përgjigjemi 10-fish!

Presidenti amerikan Trump s’i shpëtoi dot kureshtjes së gazetarëve për luftën në Iran. Ai u pyet pse më herët i kishte përshkruar udhëheqësit iranianë si "njerëz shumë racionalë", ndërsa sot i quajti "fundërrina".

Presidenti amerikan e ndërpreu pyetjen dhe u përgjigj: "I njoha."

"Mendoj se janë më racionalë, por bazuar në veprimet e tyre gjatë javës apo dy javëve të fundit, nuk po i bëjnë asnjë shërbim popullit të Iranit. Dhe, mbi të gjitha, unë i kam njohur dhe nuk jam i sigurt se dua të arrij një marrëveshje me ta. Mund të luajmë lojëra, por nuk jam i sigurt se dua një marrëveshje. Le ta çojmë punën deri në fund,” tha ai.

Në një pyetje pasuese, Trump u pyet për çmimet e naftës dhe nëse situata është pranë rikthimit në një konflikt të plotë. Ai e devijoi pyetjen për t'u përqendruar te ajo që e cilësoi si vija e kuqe e Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit: të mos zotërojë armë bërthamore.

"Nuk mendoj se do të fillojë përsëri. Mendoj se do të përfundojë shumë shpejt. Ata goditën disa anije dhe ne u kundërpërgjigjëm shumë më fuqishëm. Kur ata godasin, ne goditasim dhjetë herë më fort. E dini, ne godasim shumë më fort se ata”, tha ai duke shtuar: "Ne përdorim gjuhën e tyre. Ne flasim gjuhën e tyre."

Ora 18:34
Lufta në Iran, Trump: Mund të vritem edhe unë si lideri i tyre, jam objektivi numër një

Trump u pyet gjatë konferencës pas samitit të NATO-s nëse lufta me Iranin përbën një rrugë pa krye nga pikëpamja strategjike, por ai nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes. Në vend të kësaj, ai foli për atë që e quajti "suksesin e jashtëzakonshëm" ndaj Iranit.

Pasi përsëriti deklaratat e tij për luftën, duke pretenduar se operacioni ishte i suksesshëm dhe se materiali bërthamor i Iranit ndodhet i varrosur nën tokë, Trump u shpreh se mund të jetë objektiv për Teheranin.

"Ata kishin udhëheqës. Ata nuk janë më. Pastaj kishin një grup tjetër udhëheqësish. Edhe ata nuk janë më. Tani kanë një grup tjetër udhëheqësish. Edhe ata mund të mos jenë më, kush e di? Dhe e dini çfarë? Mund të mos jem më as unë, sepse jam objektivi i tyre numër një... Jam objektivi i tyre kryesor sepse ata janë fundërrina. Kështu veprojnë dhe kështu kanë vepruar për 47 vjet. Por unë po bëj atë që është e drejtë për vendin," tha Trump.

Ora 18:20
Shpenzimet e NATO-s për mbrojtjen, Trump: Disa vende s’kanë rënë dakord për objektivin e 5%

Trump thotë se samiti i NATO-s këtë vit ishte "i paprecedentë", pasi vendet anëtare ranë dakord të rrisin shpenzimet vjetore për mbrojtjen nga 2% në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

"Shumica e vendeve kanë rënë dakord për këtë," tha Trump. "Kemi disa vende që ende nuk e kanë bërë, por kam ndjesinë se do ta bëjnë, dhe shumë shpejt”, shtoi ai.

Presidenti amerikan tha se gjatë takimeve të sotme në Ankara u diskutua për përparimin e vendeve anëtare drejt arritjes së objektivit prej 5% të PBB-së për shpenzimet e mbrojtjes.

"Shumë prej këtyre vendeve janë shumë të pasura. Nuk kemi pse të na vijë keq për to, por kjo nuk do të thotë se janë të mbrojtura siç duhet”, tha Trump.

Ora 18:13
‘Dashuri e jashtëzakonshme’, Trump flet për takimin larg syrit të mediave në samitin e NATO-s: Liderët më thanë 'të duam'

Donald Trump po mban konferencën për shtyp në Ankara ku e nisi duke thënë se kishte kaluar një "kohë të mrekullueshme", ndërsa samitin e NATO-s e cilësoi shumë “të suksesshëm.”

Ai vlerësoi "dashurinë e jashtëzakonshme në sallë" kur liderët botërorë u mblodhën larg syrit të publikut gjatë samitit.

"“Udhëheqësit e NATO-s më thanë: ‘Ne të duam’. Është për të ardhur keq që media nuk mundi të shihte atë që po bënim, sepse aty kishte shumë, shumë njerëz të zgjuar dhe ata kanë shumë mirësi në zemrat e tyre, jo ligësi, por mirësi," tha Trump.

Ora 17:35
Samiti/ Turqia i dhuron stilolapsa të personalizuar liderëve të NATO-s

Një dhuratë simbolike u është dhënë liderëve të shteteve të NATO-s gjatë takimit të zhvilluar në Turqi.

Presidenca turke përgatiti posaçërisht për krerët e shteteve dhe qeverive një stilolaps me emrin e vet të gdhendur me shkronja të arta.

Sipas mediave turke, dhuratat u përgatitën me një kujdes të veçantë, duke kombinuar një dizajn elegant me një element personal për secilin lider.

Stilolapsat u konsideruan jo vetëm si një objekt përkujtimor, por edhe si një simbol i takimit dhe bashkëpunimit mes vendeve anëtare të aleancës.

Ora 16:14
Kryeministrja Meloni përsërit: Italia nuk do të marrë pjesë në sulmet në Iran!

1781196736_giorgiameloni.jpeg

Gjatë konferencës për shtyp pas samitit të NATO-s në Ankara, kryeministrja italiane Giorgia Meloni përsëriti se "qëndrimi i Italisë për përdorimin e bazave ushtarake në vendin tonë është i qartë. Ne i respektojmë angazhimet tona si të gjitha kombet serioze, por thamë se nuk do të merrnim pjesë në sulme në Iran dhe nuk kemi marrë pjesë në sulme në Iran".

Kryeministrja Meloni shtoi më pas se Italia vazhdon të mbështesë një zgjidhje diplomatike të konfliktit: "Unë besoj se deri më tani opsioni ushtarak në këtë rast nuk ka dhënë rezultate kaq konkrete dhe mendoj se duhet të këmbëngulim në kapacitetin dhe mundësinë e negociatave".

Ora 16:04
‘Brenda’ takimit me dyer të mbyllura në Samitin e NATO-s, Trump: E ndjeva dashurinë tuaj! SHBA-të duan të qëndrojnë me ju

Presidenti Donald Trump u ka thënë aleatëve të NATO-s se dëshironte që Shtetet e Bashkuara të mbeteshin pjesë e aleancës, ka thënë një burim për Reuters.

“Duam të qëndrojmë me ju”, është shprehur ai.

Brenda takimit të mbyllur të samitit në Ankara, ai tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara ishin të gatshme të vazhdonin t'u shisnin armë aleatëve, pavarësisht mënyrës se si ato do të përdoreshin, tha burimi, i cili kërkoi të mbetej anonim.

Sipas burimit, Trump nuk e përsëriti kritikën e tij ndaj aleates së NATO-s, Spanjës, dhe as njoftimin për ndërprerjen e një marrëveshjeje të përkohshme armëpushimi me Iranin gjatë takimit. Ai gjithashtu nuk përmendi çështjen e Groenlandës, e cila ka shkaktuar tensione brenda aleancës, shtoi burimi.

Në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Atlantikut të Veriut, Trump mori sërish fjalën dhe u tha liderëve se kishte mbetur “shumë i impresionuar nga deklaratat e tyre” dhe se kishte ndier “dashuri në sallë”, raporton ANSA.

Trump ka shtuar edhe se do të kishte dashur që edhe mediat të ishin të pranishme, në mënyrë që të mund të ishin dëshmitare të këtyre deklaratave.

Ora 15:53
Tensionet Turqi-Greqi, Rutte: Mes aleatëve mund të ketë fërkime, s’komentoj publikisht

 

Për tensionet mes Turqisë e Greqisë, ku për këtë të fundit kryeministri Kyriakos Mitsotakis thotë se vendi i tij kërcënohet, Mark Rutte preferoi të mos komentonte.

“Mund të ketë fërkime mes aleatëve, jemi 32 kombe. Unë s’jam komentator, jam për të ruajtur unitetin, bëj çmos që të ruaj unitetin e Aleancës. Kur ka irritomë mes aleatëve, nuk komentoj në publik. Unë jam pas skenës, nëse palët e përfshira duan dhe nëse e konsiderojnë të dobishme ndihmën time”, tha Rutte.

Ora 15:48
Rutte i prerë: Nëse një vend i NATO-s sulmohet, përgjigjja jonë do të jetë shumë e fortë

 

NATO përfaqëson një aleancë mbrojtëse, përkufizoi Mark Rutte gjatë konferencës për shtyp. Por, nënvizoi ai, pavarësisht pozicionit të Aleancës, kushdo duhet ta dijë se çdo sulm ndaj vendeve anëtare do të marrë përgjigjen e duhur.

“Ne jemi aleancë mbrojtëse, për të mbrojtur 1 mld vetë. Ne nuk sulmojmë kurrë një vend tjetër, por ne ama sigurohemi që të tjerët, nëse u shkon mendja të na sulmojnë, përgjigjja jonë duhet të jetë shumë e fortë. Në shek. XXI s’mund të sulmosh siç bëri Rusia me Ukrainën sepse janë vlerat që kërcënohen, demokracia. Nuk është vetëm botë e lirë,  media është shtyllë e demokracisë dhe shoqëria ka detyrën që t’i bëjë të ditura opinionet e veta”, tha Rutte.

Ora 15:46
Samiti i NATO-s, Rutte: Sulmet e Ukrainës në Rusi të suksesshme, kanë ndikuar në ekonominë ruse

 

Sulmet e Ukrainës ndaj infrastrukturës energjitike në Rusi kanë rezultuar të suksesshme, tha Mark Rutte. Furnizimi me karburant është kyç për ekonominë dhe sipas tij, sulmet kanë ndikuar. Rutte paralajmëroi të rinjtë rusë se mund të jenë preja e ardhshme e Putinit për t’u dërguar në luftë ndaj Ukrainës.

“Ukraina po tregohet shumë e suksesshme në goditjen e infrastrukturës në Rusi. Edhe nga mediat dje, nuk e kam informuar, ka pasur goditje të suksesshme thellë në territorin e Rusisë, një nga rafineritë më të mëdha. Ky ka qenë një model sepse Ukraina ka teuar sukses në goditjet e impianteve energjitike, rafinerive, njerëzve u është dashur të presin në radhë të gjata për t’u furnizuar me karburant. Në shekullin ku jetojmë, duhet të garantosh karburant mjaftueshëm. Kjo ka pasur impakt te ekonomia ruse dhe një president rus që është i gatshëm të sakrifikojë 35 mijë të rinj në këtë luftë të çmendur. Kini kujdes, mund të jeni një nga ata rusë që Putini i çon në luftë dhe s’i bëhet vonë. SHBA, BE dhe Mbretëria e Bashkuar koordinohen bashkë për të vendosur sanksione”, tha Rutte.

Ora 15:37
Trump i jep dritën jeshile Ukrainës për të prodhuar raketat patriot! Takim me Zelenskyn: Besoj se do arrijmë marrëveshjen për t’i dhënë fund luftës

1783518061_donaldtrump.JPG

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, zhvilluan një takim dypalësh në margjinat e samitit në Ankara, ku në qendër të diskutimeve ishte forcimi i mbrojtjes ajrore të Ukrainës, veçanërisht sistemet Patriot. Trump bëri të ditur se me Zelenskyn do të diskutojnë prodhimin e raketave Patriot dhe kompaninë që i prodhon ato, ndërsa njoftoi se Shtetet e Bashkuara do t'i japin Ukrainës licencën për prodhimin e tyre.

“Tani do të diskutojmë prodhimin e Patriot me Zelenskyn dhe kompaninë që i prodhon ato. Gjithashtu do t'i licencojmë ato për Kievin”, tha Trump.

Presidenti amerikan komentoi edhe sulmet e Ukrainës ndaj territorit rus, duke i cilësuar ato si një "përshkallëzim", por shtoi se ato "mund të kontribuojnë për t'i dhënë fund luftës". Trump tha se nuk ka afat, por së shpejti mund të arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Putini më kërkoi të shkoja në Moskë, por nuk e di. Është e vështirë për shkak të dronëve ukrainas”, tha Trump.

Trump tha gjithashtu se marrëdhënia e tij me Zelenskyn është përmirësuar ndjeshëm pas përplasjes së tyre në Zyrën Ovale vitin e kaluar. Nga ana e tij, Zelensky falënderoi SHBA-në për mbështetjen ushtarake dhe u shpreh se beson se Trump do të bëjë gjithçka që është e mundur për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Ora 15:37
Rutte: Duhet ta vlerësojmë Trump, falë tij sot NATO është më e fortë

 

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, thotë se shqetësimi i presidentit Donald Trump për shtrirjen e mundshme të influencave ruse në veriperëndim, është një rrezik potencial, që nuk mund të injorohet. 

"Ne mendojmë se duhet t'ia vlerësojmë Trump që NATO është kaq e fortë, normal që duhet të merremi me luftën në Ukrainë, por presidenti Trump po përpiqet që këto shpenzime të jenë më më të barabarta, e bën Europën më të fortë dhe rriti karakterin transformues të këtij samiti. Sa për Groenlandën, e shpjegova, patëm një takim në Dsavos për çështjen dhe i thashë që jam dakord me ty për sa i përket Rusisë dhe Kinës që mund të marrin aksesin në veri dhe le të punojmë bashkë",- tha Rutte.

Ora 15:35
Trump për Iranin: Ata janë të çmendur, diçka nuk shkon me këta njerëz, do t'i godasim përsëri

1783517823_donaldtrump.JPG

Pas takimit me presidentin ukrainas në margjinat e samitit të NATO-s, Volodymyr Zelensky, Donald Trump komentoi edhe Iranin, duke paralajmëruar se SHBA do të ndërmarrë sërish goditje nëse do ta konsiderojë të nevojshme, duke përsëritur se Teherani nuk duhet të pajiset me armë bërthamore.

 "Ata janë të çmendur, diçka nuk shkon me këta njerëz, ata kanë qenë bullistë për vitet e fundit, ata nuk mund të kenë një armë bërthamore, dua ta përsëris këtë përsëri sepse nëse do ta kishin, do ta përdornin. Do t'i godasim përsëri sonte”, tha Trump.

Ora 15:28
Kontrolli i Groenlandës nga SHBA, Rutte: Trump kishte të drejtë, Rusia mund të rrisë influencën në Arktik

 

Mark Rutte i dha të drejtë presidentit amerikan Donald Trump për kontrollin e Groenlandës duke thënë se Rusia mund të rrisë influencën në Arktik. Megjithatë, ai tha se gjithçka varet nga bisedimet mes SHBA-ve, Groenlandës dhe Danimarkës, kurse NATO ka detyrë vetëm punën krah liderëve ushtarakë.

“Në Davos kemi rënë që kur bëhet fjalë për mbrojtjen e Arktikut, ai kishte të drejtë sepse ekziston risk i madh që Rusia të rrisë influencën. Marrëveshja që bëmë, ishte që NATO dhe 7 shtetet në kufi në Arktik, të mbështeten nga aleatët evropianë që Arktiku të qëndrojë i sigurt. S’më lejohet të bëj zotime, pjesa e dytë ka të bëjë me bisedime tripalëshe mes SHBA, Groenlandës dhe Danimarkës që çfarëdo investimesh për Kupolën e Hekurt, nëse Groenlanda ndryshon pozicionin kushtetues me Danimarkën, u takon atyre. Roli im është të punojmë me liderët ushtarakë për të ndihmuar dhe pikërisht këtë po bëjmë”, tha Rutte.

Ora 15:22
Samiti i NATO-s, Rutte për mosmarrëveshjet me Trump: Debatet s’më shqetësojnë, ruajmë unitetin

 

Në konferencën për shtyp pas samitit, Mark Rutte u pyet për deklaratat e presidentit Trump dhe nëse NATO s’mund të vijojë pa SHBA-të. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës u përgjigj se ka gjithnjë debate, por pavarësisht tyre, NATO ruan unitetin.

“Njerëzit debatojnë në maksimumin e fuqisë dhe jo s’më shqetëson, sepse në fund këto debate e bëjnë Aleancën më të fortë. E di që Trump dhe SHBA janë të përkushtuar ndaj NATO-s, por është faktor irritues që europianët nuk po paguajnë. Trump është përpjekur t’i bindë që të paguajnë dhe të kemi rezultate. Edhe pse kemi kërcënimin rus, ky është një inkurajim i madh. E ndiej këtë unitet dhe kjo aleancë është më e bashkuar se kurrë sepse i lejojmë vetes të mos jemi dakord”, tha Rutte.

Lidhur me Iranin dhe kërcënimin e armëve bërthamore, nuk u përjashtua mundësia e ndërhyrjes së NATO-s.

“Është strategjia e NATO-s dhe aleatëve që të mos shtërë në dorë kapacitete bërthamore. S’do të thotë që NATO nuk do të përfshihet. NATO është gjithmonë e gatshme të luajë rol për paqen. Do të shohim cc’do të ndodhë në ditët dhe javët në vazhdim”, tha Rutte.

Ora 15:22
Shpenzimet për mbrojtjen, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s: Ka hendek midis disa shteteve, duhet të shpenzojnë më shumë

 

Në përfundim të samitit të NATO-s, Sekretari i Përgjithshëm, Mark Rutte, tha nga Ankaraja se rritja e shpenzimeve të vendeve anëtare për mbrojtjen në 5% është tashmë një zotim që ka shënuar rezultatet e para, ndërsa shtoi mund të marrë pak më shumë kohë për t'u arritur nga vende me ekonomi më të brishtë.

"Ka një fare hendeku midis disa shteteve, por ka disa ekonomi të mëdha, ato ishin para disa vitesh 2%, tani të gjithë të zotuar për 5. Disa shtete kanë shpenzuar 10 mld dollarë për një vit, normalisht që duhet të shpenzojnë më shumë, por edhe duhet kapacitete për t'i shpenzuar këto fonde",- tha Rutte.

Ora 15:00
NATO nga Ankaraja: Një sulm ndaj një aleati është një sulm ndaj të gjithëve! 70 miliardë euro ndihmë ushtarake për Ukrainën në 2026

1783505925_samitinato.jpg

Krërët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të NATO-s kanë miratuar në Ankara një deklaratë të përbashkët, ku riafirmojnë angazhimin e palëkundur për mbrojtjen kolektive sipas Nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit, duke theksuar se “një sulm ndaj një aleati është një sulm ndaj të gjithëve”.

Në deklaratë, aleatët vlerësojnë se Rusia vazhdon të përbëjë një kërcënim afatgjatë për sigurinë euro-atlantike, ndërsa terrorizmi mbetet një rrezik i vazhdueshëm. Për këtë arsye, vendet anëtare po rrisin investimet në mbrojtje dhe po forcojnë kapacitetet ushtarake.

Sipas dokumentit, aleatët evropianë dhe Kanadaja kanë rritur gjatë vitit 2025 investimet në nevojat bazë të mbrojtjes me më shumë se 139 miliardë dollarë. Në samitin e Ankarasë u njoftuan gjithashtu kontrata të reja prokurimi me vlerë mbi 50 miliardë dollarë, si dhe një angazhim për zgjerimin e kapaciteteve të prodhimit ushtarak dhe përshpejtimin e inovacionit në industrinë e mbrojtjes.

Lidhur me luftën në Ukrainë, NATO ritheksoi mbështetjen e palëkundur për Kievin në mbrojtjen e lirisë, sovranitetit dhe integritetit territorial. Aleatët u zotuan të ofrojnë gjatë vitit 2026 ndihmë ushtarake, pajisje dhe trajnim me vlerë 70 miliardë euro për Ukrainën, duke konfirmuar gjithashtu angazhimin për të ruajtur të paktën të njëjtin nivel mbështetjeje edhe në vitin 2027.

Deklarata e plotë:

Ne, krerët e shteteve dhe qeverive të Aleancës së Atlantikut të Veriut, jemi mbledhur në Ankara për të rikonfirmuar angazhimin tonë të palëkundur ndaj mbrojtjes sonë kolektive sipas Nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit dhe ndaj lidhjes transatlantike. Një sulm ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve. Uniteti, solidariteti dhe forca jonë kolektive mbeten themeli i paqes, sigurisë dhe mirëqenies për një miliard qytetarët e Aleancës sonë të kombeve të lira dhe demokratike. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj qasjes sonë 360-gradëshe për parandalimin dhe mbrojtjen.

Për t’iu kundërvënë kërcënimit afatgjatë që Rusia paraqet për sigurinë dhe stabilitetin euro-atlantik, si edhe kërcënimit të vazhdueshëm të terrorizmit, aleatët po zbatojnë angazhimin për mbrojtjen e miratuar në Hagë. Gjatë vitit 2025, aleatët evropianë dhe Kanadaja rritën investimet e tyre në nevojat themelore të mbrojtjes me më shumë se 139 miliardë dollarë. Investimet tona po sigurojnë kapacitetet që na nevojiten, duke forcuar njëkohësisht bazën tonë industriale dhe qëndrueshmërinë. Sot, në Ankara, ne shpallim më shumë se 50 miliardë dollarë prokurime të reja dhe angazhohemi të zgjerojmë kapacitetin e përbashkët prodhues, si edhe të punojmë me industrinë për të përshpejtuar inovacionin. Ne do të vazhdojmë punën për të eliminuar pengesat në tregtinë e pajisjeve të mbrojtjes mes aleatëve dhe për të shfrytëzuar partneritetet e NATO-s në mënyrë që të maksimizojmë kapacitetin industrial të mbrojtjes dhe bashkëpunimin.

Ne po ndërtojmë të ardhmen: një Evropë më të fortë në një NATO më të fortë – një Aleancë të modernizuar. Aleatët evropianë dhe Kanadaja, duke punuar së bashku me Shtetet e Bashkuara, po marrin përgjegjësi më të mëdha për mbrojtjen e Aleancës. Parandalimi dhe mbrojtja e NATO-s mbështeten në një kombinim të përshtatshëm të kapaciteteve bërthamore, konvencionale dhe të mbrojtjes nga raketat, të plotësuara nga asetet hapësinore dhe kibernetike. Ne jemi të përkushtuar të ruajmë epërsinë tonë ushtarake. Po investojmë në aftësinë për të dislokuar, mbështetur dhe mirëmbajtur forcat tona të armatosura, si edhe për të përmbushur objektivat tona të kapaciteteve në të gjitha fushat, përfshirë goditjet precize në thellësi, mbrojtjen e integruar ajrore dhe nga raketat, sistemet pa ekuipazh, teknologjitë më të avancuara dhe kapacitetet e zbulimit. Po zhvillojmë një platformë transatlantike të ndërveprueshme për operacionet ushtarake dhe po adoptojmë modele të avancuara të inteligjencës artificiale.

Ukraina kontribuon në sigurinë transatlantike dhe aleatët qëndrojnë të bashkuar në mbështetjen e tyre të palëkundur për Ukrainën në mbrojtje të lirisë, sovranitetit dhe integritetit të saj territorial. Aleatët evropianë dhe Kanadaja financojnë tashmë pjesën dërrmuese të ndihmës për sigurinë e Ukrainës përmes mekanizmave dypalësh dhe shumëpalësh. Aleatët theksojnë se kjo mbështetje duhet të jetë e drejtë, e parashikueshme dhe e qëndrueshme në afat të gjatë. Për vitin 2026, aleatët zotohen të ofrojnë 70 miliardë euro në pajisje ushtarake, ndihmë dhe trajnim për Ukrainën dhe konfirmojnë angazhimet e tyre sovrane për të ruajtur të paktën të njëjtin nivel mbështetjeje edhe në vitin 2027. Për këtë qëllim, ne mirëpresim vendimin e Bashkimit Evropian për t’i ofruar Ukrainës financim shumëvjeçar përmes Kredisë për Mbështetjen e Ukrainës.

Aleanca vazhdon të reagojë dhe të përshtatet ndaj konkurrencës strategjike, paqëndrueshmërisë së përhapur, kërcënimeve hibride dhe goditjeve të përsëritura që karakterizojnë mjedisin tonë të gjerë të sigurisë. Aleatët ritheksojnë se Irani nuk duhet të zotërojë kurrë armë bërthamore dhe i bëjnë thirrje Iranit të respektojë plotësisht lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

Ne shprehim mirënjohjen tonë për mikpritjen bujare të ofruar nga Turqia. Presim me padurim takimin tonë të ardhshëm.

Ora 12:48
VIDEOLAJM/ Kostum me atlete të bardha, Rutte i tregon Trumpit kombinimin e kryeministrit Rama

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë foton familjare në Samitin e NATO-s që po mbahet në Ankara. Kreu i qeverisë shqiptare ishte i vetmi lider që në samitin e NATO-s në Ankara u shfaq i veshur me kostum dhe atlete të bardha.

Kjo nuk është hera e parë që kreu i qeverisë vishet me këtë stil në një samit të rëndësishëm ndërkombëtar.

Por ajo që ra në sy ishte një reagim i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, i cili i tregoi me gisht Donald Trump atletet e bardha e kryeministrit.

Ora 11:35
Presidenti Erdogan: Mbështetje për Ukrainën, të gatshëm të ofrojmë ndihmë për arritjen e marrëveshjes SHBA-Iran

 

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tjip Erdogan hapi punimet e ditës së dytë të samitit të NATO-s që po zhvillohet në Ankara. Ndër të tjera, Erdogan theksoi mbështetjen e Turqisë për Ukrainën si dhe bëri thirrje për një marrëveshje armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit.

“Unë ndaj vizoni e Trump për paqen dhe të theksoj mbështetjen time për nismat e mbështetëse. Në përfitojmë dhe nga kanalet e komunikimit për të drejtuar Rusinë drejt paqes. Unë e vlerësoj shumë qëndrimin e vendosur të mikut tim Trump për të garantuar që kriza e Iranit të përfundojë me një marrëveshje pavarësisht përpjekjeve për sabotazh. Jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmën tonë për të pastruar Hormuzin. Dua ti shpreh falënderimet mbështetjes së NATO-s për raketat që shënjestrojnë Turqinë dhe shtete të tjera që kanë aktivizuar bateri raketash shtesë”, tha Erdogan.

Ora 11:14
Qeveria spanjolle i përgjigjet komenteve të Trump: Jemi të qetë, kemi marrëdhënie të shkëlqyera me SHBA-në

1782299882_Capture.JPG

Qeveria e Pedro Sánchez duket e qetë pas sulmit të fundit nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, i cili, në samitin e NATO-s në Ankara, njoftoi qëllimin e tij për të prerë lidhjet tregtare me Spanjën, duke e quajtur atë një partner "të tmerrshëm" të Aleancës.

Burime në Moncloa raportojnë se qeveria i ka pritur këto deklarata me "qetësi dhe normalitet" dhe theksojnë se Spanja "mban marrëdhënie të shkëlqyera sociale, kulturore dhe ekonomike me Shtetet e Bashkuara". "Ne nuk kemi ndërmend ta ndryshojmë këtë", thonë ata.

Burimet më pas theksojnë tre pika: se Shtetet e Bashkuara kanë një suficit tregtar me Spanjën, që do të thotë se përfitojnë më shumë nga marrëdhënia midis dy vendeve sesa Madridi; se BE është një bashkim tregtar në të cilin asnjë shtet anëtar nuk mund të trajtohet ndryshe, siç e ka theksuar vetë Komisioni në disa raste; dhe së fundmi, se lidhjet ekonomike krijohen nga kompani private, jo nga qeveritë. "Marrëdhëniet dypalëshe midis Shteteve të Bashkuara dhe Spanjës janë të dobishme për të dy vendet, si në sektorin e tregtisë ashtu edhe në atë të mbrojtjes", theksojnë burimet.

Ora 11:00
Samiti i NATO-s në Turqi, Rama pritet nga Rutte dhe Erdogan

 

Ndërsa ceremonia e mirëseardhjes së liderëve të NATO-s në samitin që po zhvillohet në Ankara vazhdon, kryeministri Edi Rama u prit ndër të parët nga Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Mark Rutte dhe presidenti i Turqisë Reccep Tayjip Erdogan,

Ora 10:28
Samiti i NATO-s/ Trump: Grenlanda është një problem i madh për SHBA-në

1783404584_donaldtrump.jpg

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump, nga samiti i NATO-s në Ankara, ka risjellë dhe njëherë në vëmendje çështjen e Groenlandës.

"Groenlanda është shumë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara, por jo për Danimarkën. Kur Danimarka u pushtua nga nazistët, Hitleri i mundi ata në më pak se një ditë dhe mori kontrollin brenda një dite. Ata na kërkuan të kujdeseshim për Groenlandën. Në fakt, ne e morëm Groenlandën dhe pastaj e kthyem budallallëk. Nuk duhej ta kishim kthyer, sepse na duhet. Na duhet për mbrojtjen e botës, jo vetëm të Shteteve të Bashkuara." Kjo u deklarua nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, duke folur në NATO.

Ora 09:58
Punimet për Samitin e NATO-s, kryeministri Rama pritet nga shefi i Aleancës Mark Rutte

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në punimet e Samitit në ditën e dytë. Shefi i qeverisë shqiptare shoqërohet nga ministri i Jashtëm Ferit Hoxha, ministri i Brendshëm Ermal Nufi dhe ambasadori i Shqipërisë në NATO Bardhyl Kollçaku.