FESTA NE ELBASAN
Në Elbasan mëngjesin e sotëm me mijëra qytetarë dolën në sheshin kryesor të qytetit “Aqif Pasha”, duke sfiduar moti e keq dhe me shi. Programacionet e ndyshme dhe të larmishme i kanë argëtuar qytetarët e mbërritur nga e gjithë Shqipëria por dhe emigrantë të kthyer enkas për të pritur ardhjen e Ditës së Verës në Elbasan. Nga ora 09:00 - 11:00 aktivitetet filluan me krosin sportiv dhe më pas me karnavalet e oraganizuar nga shkollat fillore dhe të mesme të qytetit. Në shesh performoi për herë të parë edhe banda frymorë e mbërritur nga Turqia “Jenicerët” të cilët argëtuan qytetarët në shesh.
Panairi i ditës së Verës i organizuar në pallatin e sportit "Tomorr Sinani" priti krerët më të lartë të politikës shqiptare. I pari qe e vizitoi panairin ishte krytari i Partisë Socialiste Edi Rama.
“Qytetarët e Elbasanit e sfiduan motin me shi, uroj që festa të shkojë mbarë”- tha Rama duke premtuar se ”biznesi do të lulëzojë pas 23 qershorit me heqjen e tvsh-së”, informon korrespondenti ynë në Elbasan Andi Qosja.
Më pas panairi u vizitua nga Kyetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli e cila tha se kjo është një ditë e shënuar për Elbasanin dhe për të gjithë Shqipërinë
"Sot kam marrë vesh se në panair ndodheshin mbi 50 biznese dhe se shumica e këtyre bizneseve jane krijuar nga ato emigrantë të cilët kanë ikur në emigrim gjatë viteve ‘90 dhe tani janë rikthyer për të investuar në vendin tonë, kjo më gëzon shumë” tha Topalli.
Në Panair ishte dhe Zv.Kryemistri dhe Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto. Duke parë bizneset nga afër Haxhinasto u shpreh i kënaqur për klimën e biznesit që ndodhet sot në vendin tonë. "Shpresoj që kjo klimë të jetë edhe në të ardhmen” uroi ai.
Në mesditë festimet u zhvendosën në lokale dhe shtëpi pasi nisi të binte një shi i dendur.
FESTIMET NE TIRANE PENGOHEN NGA SHIU
Bashkia e Tiranës kishte organizuar një sërë aktivitetesh, në mënyrë që qytetarët e Tiranës pavarësisht moshës së tyre të mund të festonin sa me hareshëm Ditën e Verës, por shiu ishte armiku më i keq.
Në orën 11:30 në Bulevardin Dëshmorët e Kombit shiu nuk ka lejuar të zhvillojë asnjë aktivitet në shesh, por gati një orë më pas rreth orës 12: 30 rreth skenës së ngritur nga teatri Metropol fëmijët ndoqën për pak pjesën e përgatitur prej tyre.
Ndryshe nga vitet e tjera kur qendra e Tiranës dhe Elbasani ishin plot e përplot sot ata që festonin në shesh ishin më të paktë për shkak të shiut. Në Tiranë, në ato pak momente kur pushonte shiu grupe qytetarësh dhe fëmijësh mbushnin bulevardin "Dëshmorët e Kombit" për të ndjekur aktivitetet e organizuara nga Bashkia e Tiranës.
URIMI I PARE NGA BERISHA
Kryeministri Berisha me urimin për Ditën e Verës, ka ndarë me mbështetësit e tij në rrjetin social Facebook nostalgjinë për Ditën e Verës, në kohën e fëmijërisë së tij. Pak përpara nisjes drejt Bruskelit, kreu i qeverisë ka postuar në profilin e tij urimin për qytetarët e Elbasanit, por edhe të gjithë gjithë Shqipërisë për ditën që lajmëron ardhjen e pranverës.
“Në fëmijëri ne e festonim shumë Ditën e Verës. Për një javë rresht me moshatarët e mi mblidhnim dëllinja dhe shkurre, ngrinim një mullar sa më të lartë me to dhe me datë 6 prill (Dita e Verës në Tropojë) në darkë ndiznim zjarrin gjigand, vraponim nëpër tymin te tij dhe më vonë, kur na e mbante, edhe mbi prushin e tij. Gjella tradicionale e shijshme e asaj nate gatuhej me këmbët e pastërmase që thaheshin gjatë dimrit dhe ruheshin vetëm për atë darkë”, rrëfen kryeministri , ndërsa i lidh kujtimet e tij edhe me kohën kur vizitoi Francën, 34 vjet më parë.
Në Facebook, Berisha kujton drekën në familjen e profesorit të tij francez .
“ E shoqja, ndonëse e panjoftuar, na priti me shumë njerëzi. Shtroi drekën dhe rastisi që kishte gatuar këmbë pastermaje. Kuptova se i serviri pak e sikletosur, por kur une i tregova se këmbët e pastërmase ishin gjella me e nderuar në festën tonë më të lashtë ajo nuk e permbajti gezimin”, shprehet kryeministri në orët e para të mëngjesit të Ditës së verës.
FESTIMET QE ISHIN PARASHIKUAR NE TIRANE
Në rrugën “Murat Toptani”:
• Panairi i artizanatit dhe luleve
• Ansambli “Tirana”
• Banda Frymore
• Akademia e Hollwood-it
Sheshi përpara Galerisë së Arteve:
• Shkolla e Baletit
• Kori i Liceut Artistik “Jordan Misja”
Parku Rinia:
• Lojra popullore
• Animatorë
• Cirku Kombëtar i Tiranës
Sheshi “Vëllezërit Frashëri”:
• Teatri i Metropolit
Liqeni Artificial i Tiranës:
• Akademia “Robert Radoja”
Sheshi “Nënë Tereza”:
• Karaoke
HISTORIKU I DITES SE VERES
Dita e Verës është një festë me origjinë të lashtë. Ajo është festë arbëreshe e trashëguar në veçanti nga qytetarët e VALM-it Elbasanit (Skampa e lashtësisë) dhe festohet më 14 mars. Festimi kryhet në nderim të natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë që merr jetë në këtë datë. Tanimë kjo festë është bërë edhe ditë kombëtare pushimi. Shenja dalluese e këtij festimi është gatimi i ballokumeve. Ndërsa në Lezhë Ditën e Verës ndizeshin zjarre purifikues e për t'i dhënë forcë diellit në oborr e në kopshte. Nga gratë bëheshin rite magjike e kundër qenieve të tjera dëmtuese, grabitëse.
Ndonëse kjo ditë vazhdon të ruhet dhe festohet madhërishëm në qytetin e lashte te (VALMIT) Elbasanit, ajo është festë e të gjithë shqiptarëve. Më 13 mars njerëzit marrin një tufë të vogël bari të njomë bashkë me rrënjët dhe dheun, që ta kenë në mëngjesin e datës 14 Mars në shtëpi. Ky zakon i lashtë ruhet dhe festohet jo vetëm në Elbasan po edhe në Dibër, Strugë e Prespë.
(sg/shqiptarja.com)