Sot Dita e Verës, festohet në të gjithë vendin! Në Elbasan dhe Tiranë organizohen aktivitete të ngjeshura! Rama uron nga 'kryeqyteti i festës'

14 marsi shënon Ditën e Verës, por festimet kanë nisur që një natë para, ku qytetarët kanë ndezur zjarrin që simbolizon djegien e dimrit dhe të këqijat dhe për të rikthyer dritën e shpresës tek njerëzit. Një sërë aktivitetesh janë organizuar për të festuar këtë festë në Elbasan, Tiranë, por edhe në qytetet e tjera të vendit.

Elbasani ishte qendra e festimeve për Ditën e Verës, por nga ana tjetër edhe në Tiranë u mbajtën rreth 100 aktivitete nga mëngjesi deri në orët e vona të darkës. Festa kulmoi me një koncert në sheshin ‘Skëndërbej’ ku në orën 13:00 performoi këngëtarja shqiptare Enisa. Mbrëmja u mbyll me një “Street party”në zonën e ish-Bllokut dhe shfaqja më e madhe e dronëve në rajon në zonën e Liqenit Artificial.

Politikanët zgjedhin që këtë festë ta festojnë në Elbasan, vendi ku e ka origjinën Dita e Verës. Kryeministri Edi Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha ishin në Elbasan. 

Në vigjilje të natës se Ditës së Verës, çdo shtëpi është e mbushur me një gëzim të veçantë, është një ndjesi që i pushton njerëzit fare pa e kuptuar. Ndoshta nga ndikimi i diellit, gjelbërimit apo shpërthimit të farës dhe sytheve që janë shprehje e begatisë dhe vazhdimësisë. Shtëpia mbushet plot me gjëra të mira dhe me bollëk.

Porta zbukurohet me lule dhe lastarë të gjelbër, te cilët simbolizojnë futjen e mirësisë dhe natyrës. Gjatë kësaj nate të afërmit, por edhe shokë e miq të ardhur nga viset e tjera, këndojnë këngë te vjetra te shoqëruar me kuzhinën me nam te Elbasanit. Disa nga gjellët, qe nuk i gjen ne vend tjetër, janë tava me pistil, tava e kosit, kabunia, çomleku, gjeli i detit etj. Gjate kësaj nate fillon te ndahet edhe hiseja e nesërme për njerëzit me te afërm.

14 Marsi shënon Ditën e Verës, por festimet kanë nisur që një natë para, ku qytetarët kanë ndezur zjarrin që simbolizon djegien e dimrit dhe të këqijat dhe për të rikthyer dritën e shpresës tek njerëzit. 14 Marsi është një ditë festive e veçantë në Shqipëri, e cila nuk festohet në asnjë vend tjetër të botës.  Dita e Verës filloi të festohej masivisht në të gjithë Shqipërinë, por rrënjët i ka në qytetin e Elbasanit, në qendrën e Shqipërisë. Jo vetëm rrënjët, por dhe gjithë traditat, gatimet dhe mënyra e festimit, janë ekskluzivitet i kësaj zone. Elbasani ka meritën se ka mbajtur gjallë për shekuj këtë festë, dhe gjithë ritet e saj. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:35
Spektakël dhe plot ngjyra e diell, Dita e Verës nëpërmjet FOTOVE

Tirana sot është kthyer në një arenë të madhe festive me mbi 100 aktivitete në kuadër të Ditës së Verës.

Qytetarë të shumtë të të gjitha grupmoshave kanë mbushur sot kryeqytetin duke shijuar aktivitetet e ndryshme që nga muzika e deri tek sportet.

Ata gjithashtu kanë vendosur dhe veroret, me ngjyrat e bardha dhe të kuqe të cilat mendohen se janë fatsjellëse për një pranverë të begatë. 

 

Ora 20:29
Mbi 500 dron spektakël te Liqeni i Tiranës! Krijojnë hartën e Shqipërisë dhe zemrën (VIDEO)

Dira e verës është mbyllur me spektaklin me dron, në të cilën janë përcjellë disa mesazhe. Fillimisht me dron u krijua një zemër, më pas harta e Shqipërisë dhe një “faleminderit Shqipëri”. Kjo tërhoqi vëmendjen e shumë qytetarëve të Kodra e Liqenit.

 

Ora 13:01
Qytetarët në Berat zgjedhin kalanë për të festuar Ditën e Verës, trafik i rënduar në rrugët e qytetit

Qytetarët e Beratit kanë festuar ditën e sotme ardhjen e pranverës .Bashkia Berat ka organizuar aktivitete të ndryshme në ambjentet e lagjes "Kala".Qytetarê nga bashkia Berat dhe jo vetëm janë përhapur në kodrat përreth dhe vendet e gjelbëruara të Kalasë së qytetit. Ndërsa një natë më parë u ndezën zjarret sipas traditës për ti dhënë fund dimrit dita e sotme u shoqërua me festime. Megjithëse trafiku tepër i rënduar është menaxhuar mjaft mirë nga polica qarkut Berat. Fëmijët dhe të rinjtë shprehen se dita sotme ishte e bukur mjaft e këndëshme ku shijuan gatimet e përgatitura në shtëpi.

Po ka dhe nga ato familje që preferuan gatimet e lokaleve përreth.Festa e ardhjes se pranverës  u shoqërua me problematika në mbrëmjen e 13 Marsit ku zjarri nga diegia e gomave shkaktoi ndotje dhe probleme në rrugët nacionale. Ndërsa ditën e sotme numri madh i automjeteve solli një trafik të rënduar në rreth ritullimin para hyrjes së rrugës së Kalasë. Situatat e krijuara u menaxhuan mjaft mirë nga reparti MZSh dhe policia qarkut Berat.

Ora 12:57
Edhe Alibeaj në Elbasan për të uruar Ditën e Verës, feston me degën e PD së këtij qyteti


Drejtuesi i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka uruar sot Ditën e Verës në Elbasan. Ai ka festuar me anëtarë të degës së PD-së së këtij qyteti.

“Në ditën e parë të verës në qytetin simbol të kësaj feste. Mes miqve të mirë, bashkëpunëtorëve dhe demokratëve elbasanas dhe atyre që kanë mbërritur nga gjithë Shqipëria. Qoftë kjo ditë sipari i pranverës së vërtetë për të gjithë shqiptarët. Gëzuar”, ka shkruar Alibeaj teksa ka shpërndarë edhe disa foto me bashkëpunëtorët.

 

Ora 12:54
Muzikë, valle dhe lojëra, festimet në Lezhë për Ditën e Verës! Nuk mungojnë krijuesit e vegjël në ekspozitën e pikturës

 

Dhjetëra qytetar u bënë pjesë e festës në ambientet përreth memorialit të Gjergj Kastriotit.

Muzikë, interpretime, valle dhe lojëra të ndryshme. Në këtë mënyre u festua Dita e Verës në Lezhë.

Protagonist të festës u bënë grupe të ndryshme artistike dhe fëmije të shkollave të qytetit, të cilët përmes përmes performancës së tyre tërhoqën vëmendjen e shumë qytetarëve të cilët kishin mbushur ambientin përreth memorialit të Gjergj Kastriotit.

Teksa uruan Ditën e Verës qytetarë dhe artistë thonë se aktivitet e organizuara i kanë përmbushur në maksimum pritshmëritë e tyre.

Drejtori i Kulturës dhe Turizmit në Bashkinë Lezhë Renaldo Xhanaj thotë se Dita e Verës është kthyer në një traditë të bukur edhe për Lezhën, duke u festuar në mënyra të veçantë vit pas vitit.

Pjesë e aktiviteteve për ditën e Verës ishte dhe ekspozita e pikturës me autor krijuesit e vegjël lezhjanë të cilët përmes penës së tyre paraqiten simbolikën e kësaj feste, ndërsa veprimtaritë për 14-marsin në Lezhë vijuan gjatë gjithë paradites të së martës.

Ora 12:42
Atmosferë festive në Vlorë për 'Ditën e Verës', këngë dhe valle në koncertin muzikor për të gjitha moshat

 

Nën tingujt e muzikës, rrezeve të ngrohta të diellit, gëzimin e fëmijëve, dita e verës është festuar edhe në Vlorë. në një aktivitet të organizuar nga bashkia e qytetit, në lagjen e vjetër muradie. Aktiviteti ka nisur rreth orës 11:00 duke përfshirë këngë e valle për fëmijët, por edhe një koncert muzikor për të gjitha moshat.

Me rastin e ditës së verës edhe në Vlorë, ruhet tradita, duke u shpërndarë verore, ballokume por edhe vizatime të simboleve të pranverës me bojra tek fëmijët. Për uruar ditën e verës ka qënë prezent edhe kryetari i bashkisë së Vlorë, Dritan Leli, i cili këtë vit ka zgjedhur ta uroj ardhjen e pranverës mes fëmijve dhe alegrisë që ata përcjellin.

Dita e verës në Vlorë, jo vetëm në mënyrë simbolike, por edhe nga teperaturat e nxehta të ngjasonte me një të tillë.Rrezet e diellit kanë shoqëruar qytetarët e Vlorës në festimet e 14 marsit.

Ora 11:57
Dita e Verës, Berisha provon ballokumen e Elbasanit dhe vë verore! Liri Berisha blen një çantë (VIDEO)

 

Ish-kryeministri Sali Berisha ndodhet në Elbasan për ditën e verës. Ish-kryeministri ka vënë veroren, ndërsa ka provuar edhe ballokumen, traditë e qytetit të Elbasanit. Ndërkohë, bashkëshortja e tij Liri Berisha ka zgjedhur që të blejë një çantë.

Ora 11:56
Dita e Verës/ Digjen gomat e makinave në qytetin e Korçës (VIDEO)

 

Një ritual që bëhet për Ditën e Verës janë djegia e gomave dhe vënia e veroreve. Kjo traditë është bërë edhe në Korçë ku dhjetëra goma u dogjën në qytet duke shkaktuar ndotje  masive të ambientit.

Ora 11:43
VIDEO/ Dita e Verës 'çel' sezonin e plazhit në Vlorë, qytetarët i drejtohen bregdetit

 

Në Vlorë dita e verës duket se çel edhe pse ende jo zyrtarisht edhe sezonin e plazhit. Nuk kanë munguar që në këtë ditë me diell të apasionuar pas plazhit t’i drejtohen bregdetit për të nisur kështu edhe sezonin e plazhit edhe për këtë vit. Edhe pse ka nga ata që plazhin e kanë të përhershëm pavarësisht stinës.

Ora 11:39
Dita e Verës, Nikolla: Ju uroj një stinë plot jetë e gëzime

1674737286_640063aeeef82b139.jpg

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka uruar qytetarët për ditën e verës ndërsa uron për një sitën plotë jetë e gëzime.

“Erdhi Dita e Verës! Gëzimi i afrimit të stinës së bukur shtohet kur bashkërisht sfidojmë vështirësitë, duam më shumë njeri-tjetrin, u përkushtohemi fëmijëve, mbështesim të moshuarit, ndihmojmë nevojtarët, mundim të keqen, lehtësojmë triumfin e të mirës dhe jetojmë në paqe me njeri-tjetrin, njerëzit që na rrethojnë dhe natyrën. Ju uroj të gjithëve një stinë të bukur, plot jetë e gëzime!”

Ora 10:54
Sot Dita e Verës, Rama nga Elbasani: Rikthim të mbarë në stinët që sjellin më shumë optimizëm

 

Kryeministri Rama ka folur për mediat nga Elbasan dhe ka uruar Ditën e Verës. Rama është shprehur se kjo ditë shënon një rikthim në stinët që sjellin më shumë optimizëm.

“Është një ditë e bukur që lajmëron pranverën. Ju uroj të gjithëve një rikthim të mbarë në ditët me diell dhe në stinët që sjellin më shumë optimizëm, por në Shqipërinë turistike që po zhvillohet vit pas viti të sjellin patjetër dhe më shumë ekonomi.

Ndërkohë që, më vjen mirë që pikërisht në pragun e kësaj stine ne kemi disa lajme shumë të mira për ata që punojnë dhe që besojnë tek puna, duke filluar nga paga minimale, e cila përtej të gjitha programeve elektorale të të gjitha partive për këtë mandat dhe përtej parashikimeve më optimiste është e mundur sot, që të ngrihet në 40 mijë lek dhe vendimi është marrë, zbatimi është duke filluar nga muaji prill për të gjitha kompanitë në të gjithë sipërmarrjen private dhe pa diskutim në të gjitha strukturat shtetërore. 

Njëkohësisht kemi gati projektligjin për të mbajtur dhe premtimin e dhënë kahera që nuk do të kenë më tatimfitimin mbi pagën deri në 50 mijë lek të reja.

Ashtu sikundër, kemi dhe një proces të vetvetishëm, që me rritjen e pagës minimale duhet të rrisim të gjitha pagat e tjera për të pasur një pagë mesatare më të lartë sesa ajo që kemi sot. E kemi nisur si vrima e fundit e kavallit në rajon. Sot me pagën minimale të riparë shkojmë në një pozicion më të mirë edhe në rajon, duke lënë pas disa vende dhe sigurisht duke synuar të ngjitemi më lartë në vende të tjera. 

Shpresoj shumë që kjo verë të na sjellë më në fund dhe lajmin e shumëpritur për rezervën e re të zbuluar të naftës dhe të gazit në Shpirag, çka do të na japë një frymëmarrje të re dhe sigurisht do të ndikojë drejtpërdrejtë në nivelin e jetesës, do të ndikojë drejtpërdrejtë në buxhetin tonë, në investime, por dhe në pagat", tha Rama. 

Ora 10:43
Kryebashkiaku Veliaj uron Ditën e Verës dhe numëron aktivitetet: 100 aktivitete në të gjithë kryeqytetin, ditë bashkimi

 

Mbi 100 aktivitete janë organizuar për fëmijë dhe të rritur në pjesë të ndryshme të Tiranës. Kështu ka deklaruar sot kryebashkiaku Erion Veliaj teksa ka uruar festën.

“Kjo do jetë një ditë plot me aktivitete. Ne do të bëjmë disa aktivitete që le të themi janë pak më të mëdha. Janë 100 aktivitete të ndryshme. Koncerti i Enisës do të jetë rreth orës 13.00, pra përpara drekës në sheshin “Skënderbej”, ndërkohë që banda e qytetit sa filloi rrugëtimin e vet dhe është tek kodrat e Liqenit. Do të kemi disa aktivitete sportive. Kemi ftuar të gjithë artizanët dhe natën do e mbyllim me një shfaqje dronësh në Liqenin e Tiranës. Gjithë ajo pista që më parë përdorej për koncertin, festivalin e Sunny Hill është platforma nga ku do ngrihen 500-600 dronë për të provuar diçka ndryshe në Tiranë e për të sjellë gjithmonë një surprizë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku tha se sot është një ditë reflektimi dhe mesazhi që duhet përcjellë është bashkimi dhe jo përçarja sepse vetëm kështu mund të çohet përpara ky qytet.

“Sot është patjetër një ditë për gëzim por është edhe një ditë për reflektim. Ne kemi në dorë vetë të duhemi më shumë dhe të urrehemi më pak, të përqafohemi më shumë dhe të çirremi më pak; të punojmë më shumë dhe të flasim më pak. Besoj që kjo stinë e re është edhe një kujtesë që kur ne shqiptarët bëhemi bashkë, ne mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme; kur i vëmë stërkëmbësha njerit tjetrit, pengojmë njeri tjetrin, vetëm humbasim kohë të çmuar. Qëllimi ynë ka qenë gjithmonë për t’i bashkuar njerëzit. E di që po i afrohemi fushatës, njerëzit kanë bindjen e tyre politike por ajo një ditë është. Në 364 ditët e tjera duhet të punojmë, të punojmë, t’i bashkojmë njerëzit e ta çojmë qytetin përpara. Gëzuar, paçi vetëm ditë të mira dhe do të shihemi gjatë ditës në disa stacione dhe shpresoj shumë që të gjithë të kalojmë mirë, pa asnjë incident dhe më duket që të gjithë pavarësisht se nga vijnë kanë ardhur me mendjen për të kaluar mirë dhe për të rizbuluar dashurinë për qytetin dhe njeri tjetrin”, tha Veliaj.

 

Ora 10:26
FOTOLAJM/ I veshur ndryshe dhe i shoqëruar nga kryebashkiaku e deputetët socialistë, Kryeministri Rama mbërrin në Elbasan

Kryeministri Rama ka mbërritur sot në Elbasan për të marrë pjesë në kremtimet për Ditën e Verës. Ai është shqoëruar nga kryebashkiaku Gledjan Llatja, ministrja Evis Kushi dhe deputetët Damian Gjiknuri, Luan Duzha dhe Denis Deliu.  

Ora 09:59
Edhe Lushnja në festë për të mirëpritur pranverën, dje aktivitete në shkolla dhe u ndezën zjarre në mbrëmje, sonte drekat familjare

 

Dita e Verës është festuar me atmosferën e zjarreve në qytetin e Lushnjës. Pas festes me performancen e fëmijëve nga shkollat e qytetit dje gjatë gjithë ditës, në mbrëmje u ndezën zjarre.

Zjarri simbolizon lënien e ditëve të ftohta dhe ardhjen e stinës së pranverës ku ne sheshin kryesor te qytetit u ndezën zjarre dhe program festiv për vogëlushet. Kjo festë pagane vijon të jetë një traditë e cila festohet çdo vit.

Fëmijët janë ata që shprehin lumturi dhe gëzim në këtë ditë duke kapërcyer zjarret që sipas ritualeve thuhet se me dimrin ikin dhe të ligat. Traditës së ndezjeve të zjarrit në mbrëmjen e datës 13 e pason data 14 Mars ku qytetarët bashkohen ne familjet e tyre.

Ora 08:44
Begaj: Gëzuar Ditën e Verës, uroj të jetë një burim ripërtëritjeje për çdo shqiptar

Presidenti Bajram Begaj ka uruar të gjithë qytetarët për Ditën e Verës.

“Gëzuar Ditën e Verës! Uroj që stina me ngjyrat dhe ngrohtësinë e saj, të jetë një burim ripërtëritjeje për çdo shqiptar”, shkruan Begaj.

Ora 08:22
Shet qilima të punuar me dorë, tregtarja në Tiranë: Çdo 14 mars dal këtu, çmimet janë të lira por njerëzit nuk i marrin

 

Ashtu si çdo vit tjetër për festën e ditës verës, edhe këtë vit, tregtarë të shumtë kanë dalë në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në aktivitetin e organizuar nga bashkia e Tiranës, për të shitur produktet e tyre të ndryshme.

Një prej tyre, tregtarja e cila punon qilima me dorë, ka thënë për Report TV se në çdo 14 mars, dilte për të shitur punimet e saj, por u shpreh se nuk arrinte kurrë të merrte shpërblimin e mundit të saj.

“Çdo 14 mars, dal këtu për të shitur.  Çmimi është i lirë se nuk e marrin njerëzit. Varet nga përmasat e qilimave të punuar. Por unë djersën time nuk e marr asnjëherë pavarësisht se është punë shumë e vështirë e bërë me dorë”- u shpreh qytetarja.

Ora 08:16
VIDEO/ Dita e Verës, Meta uron duke recituar poezinë e Mjedës: Po shkrihet bora e dimni po shkon, bylbyl i vorfën pse po gjëmon

Kreu i Partisë së Lirisë ka zgjedhur që të urojë Ditën e Verës me vargjet e Ndre Mjedës. Meta ka ndarë një video në Facebook teksa reciton një pjesë nga poezia e Mjedës, Vaji i Bylbylit.

Pjesë nga poezia e Mjedës që reciton Meta

  • Po shkrihet bora,
  • Dimni po shkon;
  • Bylbyl i vorfën,
  • Pse po gjëmon?
  • Gjith; fushët e malet
  • Blerim e mbëloj;
  • Livadhi e pema
  • Gjithkah lulzoj.
  • A çil kafazi,
  • Bylbyl, flutro;
  • Ndër pyje e orgaja,
  • Bylbyl, shpejto.
Ora 08:06
‘Pranvera vjen më bukur në Elbasan’, kryebashkiaku Llatja: Ju ftojmë për të festuar të gjithë së bashku Ditën e Verës

Elbasani, qendra e festimeve për Ditën e Verës, është bërë gati për kremtimet e kësaj feste. Kreu i Bashkisë Gledian Llatja, fton të gjithë shqiptarët kudo ku ndodhen brenda dhe jashtë vendit që të bashkohen dhe të shijojnë kënaqësinë e stinës së pranverës në Elbasanin e luleve dhe traditës.

“Pranvera vjen më bukur në Elbasan, me një atmosferë shumëngjyrëshe dhe festive. Në këtë ditë të shënuar ju ftojmë në qytetin tonë për të festuar të gjithë së bashku, të mirëpresim pranverën, të gëzojmë me lulet dhe festojmë me këngë e bollokume. Historinë, traditën dhe shijen e vërtetë të Ditës së Verës e gjeni vetëm në Elbasan! Ju mirëpres të gjithëve”, thekson kryebashkiaku Llatja në një videomesazh.

Ora 08:02
Dita e Verës, Rama: Më në fund po çel gjethi, ju uroj 14 mars të mbarë

Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë qytetarët për Ditën e Verës.

“Mirëmëngjesi dhe me kënaqësinë që më në fund po çel gjethi, ju uroj një 14 Mars me këmbë të mbarë për stinën e re”, shkruan Rama.

Ora 07:52
Dita e Verës, rreth 100 aktivitete do mbahen në Tiranë, nga koncerti në sheshin ‘Skëndërbej’ te shfaqja me dronë te Liqeni Artificial

Një sërë aktivitetesh janë organizuar edhe në Tiranë për të festuar Ditën e Verës. Rreth 100 aktivitete pritet të mbahen gjatë gjithë ditës së sotme, ndërsa festa do të kulmojë me një koncert në sheshin ‘Skëndërbej’ ku në orën 13:00 do të performojë këngëtarja shqiptare Enisa.

Ndërsa mbrëmja do të mbyllet me një “Street party”në zonën e ish-Bllokut dhe shfaqja më e madhe e dronëve në rajon në zonën e Liqenit Artificial.

Nëpërmjet rrjeteve sociale, kryebashkiaku Erion Veliaj ka publikuar axhendën e mbushur me mbi 100 aktivitete në vende të ndryshme në kryeqytet dhe u bën thirrje qytetarëve të marrin pjesë. 

“Evente festive dhe sportive pafund, eja festojmë bashkë 'Ditën e Verës', në Qytetin e Rinisë dhe Sportit. Zgjidh vendin ku do na bashkohesh”, shkruan Veliaj.

Ora 07:44
Sot Dita e Verës, ja aktivitetet që do të mbahen në Elbasan

 

Ditën e sotme do organizohen një sërë aktivitetesh në Elbasan, qyteti ku i ka rrënjët kjo festë. Siç është bër traditë, Bashkia ka organizuar një sërë aktivitetesh, ndërsa festimet kanë nisur që ditën e sotme.

Aktivitetet që do mbahen ditën e sotme në Elbasan

Parada e Karnavaleve, Bulevardi “ Aqif Pasha” ora 09.00

Koncert për fëmijë “ Mirëseerdhe pranverë” Sheshi “ Gensher” ora 10.00

Panairi i Zejeve, Lulishtja “ Aqif Pasha” ora 10.00 – 20.00

Ekspozitë : “ Elbasani nën penel”, Sheshi “ Kozma Naska”, ora 10.00 – 12.00

Arena e Sportit, Stadiumi “ Elbasan Arena” ora 11.00 – 12.30

Koncert festiv: Diell n’elbasan”, Sheshi “ Gensher” ora 11.00 – 12.30

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • eni: 14/03/2023 13:44

    Gezuar perhere e me shume dite te tilla pacim

    Përgjigju
  • klodi: 14/03/2023 13:08

    Gezuar gezuar diten e veres per te gjithe

    Përgjigju
  • Klea: 14/03/2023 12:02

    urime te gjithe shqiptareve.Shendet dhe mbaresi per te gjithe

    Përgjigju
  • Termeti: 14/03/2023 10:50

    Shyqyr qe nuk recitove poezine e kandarit z. Meta!

    Përgjigju
  • Or tej: 14/03/2023 10:31

    Me gjithe zagaret perreth or teeeejjjjj

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja