Kupa e Italisë nis këtë të martë fazën e 1/8, me ndeshjet që do jenë me një takim. Me fillim nga ora 18:30 luhet Bologna - Monza, ndërsa në 21:00 në "San Siro" Milani pret Sassuolon.
Ka qenë trajneri i kuqezinjve, Paulo Fonseca që ka thënë se Milani e ka në objektivat sezonalë trofeun e Kupës, duke motivuar të tijtë.
"Milani nuk e ka fituar këtë trofe për një kohë të gjatë. Duhet të jemi ambiciozë. Megjithatë, ne nuk shohim shumë përpara, mendojmë vetëm për të nesërmen. Nëse duam të shkojmë në finale, që duhet të jetë objektivi ynë, duhet të fitojmë sot.
Për mua Sassuolo nuk është një ekip i Serisë B, ata kanë shumë lojtarë nga Seria A. Nuk është vetëm Berardi. Ata mundën Leçen 2-0 në raundin e kaluar, ata janë një ekip i fortë.
Unë u thashë djemve që të presim një ndeshje të vështirë kundër një ekipi të Serisë A. Maignan do të mungojë. As Theo nuk do të jetë në fushë për shkak të një këmbe të mavijosur. Të tjerët janë të gjithë gati për të luajtur”, ka thënë mes të tjerash trajneri i Milanit.
Pritet që Fonseca të bëjë disa ndryshime, duke menduar edhe për ndeshjen e së premtes ku përballë do jetë Atalanta për Serie A dhe mesjavën që vjen do luhet turi i gjashtë në Champions League.