Dita e shtunë, siç edhe parashikohet nga kodi zgjedhore zbatohet heshtja zgjedhore. Asnjë politikan nuk lejohet të bëjë propagandë për programin e tij elektoral. Sipas Kodit Zgjedhor, dita përpara datës së zgjedhjeve, pra 22 Qershori, dhe data e zgjedhjeve deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore.
Në këtë periudhë nuk lejohet asnjë lloj propogande politike nëpërmjet organeve të medias, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të partive.
SHIFRAT ZGJEDHORE
Zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit janë të tetat që zhvillohen në Shqipëri, që nga vendosja e sistemit pluralist politik në vitin 1991.
- Zgjedhjet do të nxjerrin 140 deputetë, të cilët do të zgjidhen me sistemin proporcional rajonal.
- Vendi është ndarë në 12 qarqe dhe votat do të përllogariten në mënyrë proporcionale brenda për brenda secilit qark.
- Të regjistruar si subjekte elektorale janë 66 parti dhe dy subjekte të pavarur.
- Subjektet politike jane grupuar në dy koalicione: "Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim", e drejtuar nga Partia Demokratike e kryeministrit Sali Berisha dhe "Aleanca për Shqipërinë Europiane", e drejtuar nga Partia Socialiste, me kryetar Edi Ramën.
- Rajoni i Tiranës do të nxjerrë numrin më të madh të deputetëve 32, kurse ai i Kukësit numrin më të vogël, 4 deputetë.
- Zgjedhjet administrohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe 89 komisione të zonave të administrimit zgjedhor (KZAZ).
- Në të gjithë Shqipërinë do të funksionojnë gjithsej 5508 qendra votimi.
- Për zgjedhjet e reja janë regjistruar rreth 3.271.885 zgjedhës, bazuar në regjistrin kombëtar elektronik.
- Rreth 150.000 është numri i votuesve që votojnë për herë të parë.
- Për procesin do të prodhohen gjithsej rreth 3.337.388 fletë votimi.
- Dokumenti që do të përdoret nga zgjedhësit ditën e votimeve është pasaporta biometrike ose letërnjoftimi elektronik.
- Numërimi i votave do të bëhet në 89 Vendet e Numërimit të Votave (VNV), nga Grupet e Numërimit të Votave (GNV).
- Kostoja financiare e zgjedhjeve llogaritet në rreth 744 milionë lekë.
- Rreth 9 mijë vëzhgues, vendas dhe të huaj, pritet të monitorojnë procesin e votimit të dielën dhe atë të numërimit të votave.
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)