Sot do të mbahet në Tiranë koncerti i këngëtarit të njohur ndërkombëtarisht, Kanye West. Për të garantuar zhvillimin në normalitet të eventit, prej orës 07:00 të mëngjesit të sotëm, policia ka nisur disa kufizime në qarkullimin e automjeteve rreth zonës ku është ngritur “Eagle Stadium”, në kilometrin e parë të autostradës Tiranë-Durrës

Prej orës 07:00 të kësaj të shtune, deri në mesnatë, nuk do të lejohet lëvizja e automjeteve në rrugën dytësore për në hyrje të Tiranës nga kompleksi “Eiffel” deri te “Casa Italia”. Në këtë aks mund të lëvizet për dalje.

Shef i Seksionit Interurban në Policinë Rrugore, Lulzim Marini tha dje në Report Tv se autostrada Tiranë-Durrës do të jetë e hapur

“Autostrada Tiranë-Durrës nuk do të jetë e bllokuar nga të dyja krahët. Është menduar të bllokohet vetëm pjesa e daljes nga autostrada Durrës-Tiranë që vjen te pjesa e Agnës, është pjesë e daljes së rrugës dytësore. Rrethrrotullimi te Casa Italia do të jetë edhe funksional, aty do kalojnë taksitë dhe autobusët.

Çdo qytetar që do iki nga Tirana në Durrës kalon normalisht. Nuk do ketë bllokime, ndaj kemi marrë gjithë këto masa shtesë, kemi angazhuar gjithë forcat tona dhe mendojmë që do shkojë gjithçka mirë”, tha Marini.

Mesditën e kësaj të shtune, për 12 orë deri në mesnatë, do të ketë ndalim të qarkullimit përreth stadiumit, pranë Casa Italia, rruga “Pavarësia”  dhe rruga “Sokrat Miho”.

Në të njëjtën fashë orare, rrugët “Sokrat Miho”, “Kasem Shima” dhe “7 Nëntori”, do të funksionojnë vetëm me sens daljeje.

Shef i Seksionit Interurban tha se transporti do të bëhet me autobus. Por duke qenë se në zonë nuk ka parkim makinash, njerëzit mund të sillen me makina, që automjetet më pas të largohen, ose të vijnë me taksi.

Koncerti nis në orën 20.00. Policia do të jetë aty për të menaxhuar nga momenti kur personat që kanë blerë bileta do të hyjnë për në stadium, në orën 18:00, ashtu edhe daljen nga eventi të fansave, deri në mesnatë.

“Mendohet që janë mbi 60.000 veta, por ne nuk kemi vendosur kufij prandaj kemi marrë këtë perimetër sigurie, që perimetrin e afërt ta kemi të sigurtë. Problemi më i madh realisht për sigurinë rrugore është dalja sesa hyrja e personave në stadium, sepse hyrja mund të jetë në periudha kohe të ndryshme intervale, kurse dalja është e menjëhershme. Megjithatë në orarin kur do të dalin nuk do të jetë ai fluks mjetesh i lëvizjes së përditshme, do të jenë vetëm ata që do jenë te pjesë e koncertit dhe është shumë herë më e lehtë për ta garantuar një lëvizje të lirë të mjeteve. Do të ketë dhe kordon me punonjës të qarkullimit rrugor të bashkisë që gjithë turma mbasi të përfundojë aktiviteti, dalja të jetë e sigurtë”, tha Marini.

Për shkak të eventit, parashikohet që të ketë ngecje dhe bllokime trafiku edhe përtej Kthesës së Kamzës për në hyrje të Tiranës, nga Ura e Institutit deri te mbikalimi të Casa Italia.

Për të shmangur radhët, policia kërkon mirëkuptim për përdorim të akseve alternative.

Për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve drejt vendit të koncertit, është vënë në dispozicion një linjë të dedikuar autobusësh, që nisen nga pas Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, në sheshin “Skënderbej”, duke filluar nga ora 15:00, me autobusë çdo 20 minuta. Shërbimi kushton 100 lekë dhe do të vijojë edhe pas përfundimit të koncertit për të kthyer pjesëmarrësit në qytet.

Të gjitha rrugët që janë të bllokuara prej orës 07:00 të ditës së sotme
-Nga ora 07:00 deri në orën 24:00, do të ndalohet qarkullimi në aksin dytësor të autostradës “Durrës–Tiranë”, nga “Eiffeli” deri te “Casa Italia”. Sqarojmë se ky segment do të funksionojë vetëm me sens daljeje, për subjektet.
-Nga ora 07:00 deri në orën 24:00, do të ndalohet qarkullimi në korsinë e daljes së autostradës “Durrës–Tiranë”, në rrethrrotullimin e “Casa Italia-s”;
-Nga ora 12:00 deri në orën 24:00, do të ndalohet qarkullimi në segmentin “”Casa Italia” – rruga “Pavarësia” – rruga “Sokrat Miho””;
-Nga ora 12:00 deri në orën 24:00, do të ndalohet qarkullimi në segmentin “Rruga “Sokrat Miho” – rruga “Kasem Shima” – rruga “7 Nëntori””, i cili do të funksionojë vetëm me sens daljeje.
Linjat publike të transportit që mund të përdorin qytetarët, përveç linjës së dedikuar
L.4 - City Park – Qendër
L.13 – Tirana e Re
L.3 Kashar
L.58 - Institut – Qendër

Për mbarëvajtjen e koncertit, qeveria ka alokuar një fond 4 mln euro, akt normativ që është dorëzuar edhe në Kuvend dhe pritet të miratohet brenda korrikut. Opozita ka reaguar ashpër duke vënë në dukje se financimi i qeverisë për koncertin përbën gati gjysmën e fondit rezervë të emergjencave, dhe një abuzim me Aktin normativ.

Qeveria pret që ekonomia të gjenerojë 100-120 mln euro nga ky event. "Eagle Stadium" është ngritur në një sipërfaqe 65 mijë metra katrorë, në kilometrin e parë të autostradës Tiranë-Durrës. Mbi 3.500 punonjës janë angazhuar në ndërtimin dhe përgatitjen e arenës. Koncerti është pjesë e turit botëror të artistit për vitin 2026, i cili nis në Shtetet e Bashkuara dhe vijon më pas në Azi dhe Europë.

lajm në përditësim...