BRUKSEL- Shqipëria shënjoi një tjetër hap historik në rrugën drejt BE. Në Bruksel u festua me tortë hapja e grupkapitullit të fundit të negociatave, ‘Bujqësia dhe Kohezioni’. Për Unionin tashmë nuk ka asnjë dyshim, që Shqipëria e ka vendin në BE. Këtë e bëri të qartë edhe Komisionerja Marta Kos, e cila bashkë me ministren e jashtme daneze, Marie Bjerre vlerësuan punën e bërë nga vendi ynë dhe hapjen e negociatave për të gjithë kapitujt në një kohë rekord, brenda 1 viti.
“Shqipëria vazhdon të njëjtin drejtim, të njëjtin ritëm, anëtarësimi do arrihet në një të ardhme të afërt. Shqipëria i përket familjes evropiane”, tha Bjerre.
“Shqipëria është një partner që mund të mbështetemi. Shqipëri vazhdo kështu, ne po përgatisim një shtëpi për ju në Europë”, tha Kos.
Për kreun e qeverisë, integrimi në BE është një proces që shkon përtej ngjyrave partiake. Ndërsa premtoi se Shqipëria do të ecë me të njëjtin ritëm për të punuar për mbylljen e kapitujve deri në vitin 2027, Rama theksoi se në Bruksel nuk përfaqësojnë një parti politike, por të gjithë kombin shqiptar.
“Do bëjmë gjithçka kemi në dorë për të ecur përpara me të njëjtin intensitet, disiplinë dhe punë të madhe për të dhënë rezultate që ky proces që po ndërtojmë gur pas guri të mos ndalet. Sot Shqipëria del me krenari nga kjo fazë e parë dhe madje me ndjenjë edhe më të madhe përgjegjësie. Ne nuk përfaqësojmë këtu parti politike, por një komb të tërë që mbështet si askush tjetër BE dhe anëtarësimin në BE më shumë sesa 90% e qytetarëve tanë”, tha Rama.
Kos u kujdes të nënvizojë se vendin tonë e pret një punë e gjatë përpara për të përmbushur të gjitha detyrimet e BE-së.
“Çelja e të gjithë grupkapitujve është sukses, por mbyllja e tyre është çmimi real. Suksesi real është se sa shpejt miratoni dhe zbatoni legjislacionin real", tha Kos.
Çelja e negociatave u festua në Bruksel me një tortë me ngjyrën e kuqe të flamurit shqiptar, që Kos i dhuroi Ramës. Ishin dy ministret Majlinda Dhuka dhe Adea Pridenji që frynë qiriun me numrin 6, ndërsa tortën e preu vetë kryeministri Rama me Kos dhe Bjerre, të cilave u dhuroi shishe vere autoktone me skicimet të tij. Mbrëmë u hap në Bruksel edhe godina e Misionit të Shqipërisë në BE.
Tashmë Shqipëria ka hapur negociatat për 6 grupkapitujt: Themeloret, Marrëdhëniet me Jashtë, Tregun e Brendshëm, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen gjithëpërfshirëse, Axhendën e Gjelbër dhe Bujqësia dhe Kohezioni. BE ka shprehur optimizëm se vendi mund ta përmbyllë procesin e integrimit deri në vitin 2030, ndërsa kryeministri Rama e ka shpallur anëtarësimin si prioritet kryesor të mandatit të tij të katërt qeverisës.
Procesi negociues ka vijuar me ritme të shpejta që prej 19 korrikut 2022, kur Shqipëria u ul në konferencën e parë ndërqeveritare dhe çeli zyrtarisht negociatat. Më 15 tetor 2024, nën presidencën hungareze, në Luksemburg u mbajt konferenca e dytë ndërqeveritare ku u hap grupkapitulli i parë, ai i Themeloreve, ndërsa më 17 dhjetor të të njëjtit vit nisën bisedimet për kapitullin e dytë, Marrëdhëniet me Jashtë.
Në prill dhe maj 2025 u hapën përkatësisht grupkapitulli i Tregut të Brendshëm dhe ai i Konkurrueshmërisë dhe Rritjes gjithëpërfshirëse, ndërsa më 15 shtator 2025 Shqipëria çeli bisedimet për grupkapitullin e pestë, Axhendën e Gjelbër. Me hapjen e grupkapitullit të fundit vendi do të hyjë në procesin politik të integrimit, që kërkon miratimin e anëtarësimit nga parlamentet e të 27 shteteve të BE.
Pas Brukselit, kryeministri Edi Rama ka udhëtuar drejt Hagës ku është takuar me kryeministrin e Mretërisë së Holandës, Dick Schoof.
Teksa ka ndarë një video nga vizita në Hagë, kryeministri Rama shkruan se takimi me Schoof është i rëndësishëm për forcimin e partneritetit dypalësh.
“Hagë – Me Kryeministrin e Mbretërisë së Holandës, Dick Schoof
Një takim i rëndësishëm për forcimin e partneritetit dypalësh dhe thellimin e bashkëpunimit me Holandën”, shkruan Rama.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj e ka cilësuar hapjen e grup-kapitullit të fundit si një konfirmim për progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Hapja sot e Grup-Kapitullit të fundit shënon një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ky hap konfirmon progresin e qëndrueshëm të vendit tonë dhe çel një fazë të re reformash më të thelluara në bujqësi, sigurinë ushqimore, zhvillimin rajonal dhe menaxhimin e burimeve”, tha Begaj.

Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali ka ndarë pamjet nga inuagurimi i godinës së re të Misionit të Shqipërisë në BE, ndërsa shprehet se hapja e të gjithë grupkapitujve e fut vendin në një fazë të re. Sipas saj, misioni shqiptar në Bruksel, "përfaqëson pasionin dhe vokacionin e skuadrës sonë kombëtare".
"Shtëpia e re e misionit tonë në BE. Me Kryeministrin Edi Rama dhe Komisioneren për Zgjerim, Marta Kos, përuruam godinën e re të misionit shqiptar në BE. Teksa hapja e të gjithë kapitujve të negociatave e fut vendin në një fazë të re, më pranë objektivit për anëtarësim, por edhe më sfiduesja, misioni shqiptar në Bruksel përfaqëson pasionin dhe vokacionin e skuadrës sonë kombëtare, duke qenë fytyra e Shqipërisë në zemër të Europës.", shprehet Spiropali.
Nuk munguan batutat në Bruksel nga kryeministri Edi Rama gjatë konferencës për hapjen e negociatave për grupkapitullin e fundit. Rama tha se nëse BE kërkon të na heqë qafe, duhet ta bëjë Shqipërinë pjesë të unionit, ose do t’i përndjekim deri në fund. Kreu i qeverisë tha se vendi ynë ka qenë besnik i perandorive, por duke theksuar se më parë kanë qenë të imponuar, ndryshe nga kësaj radhe që është zgjedhje.
“Lërini vitet që po punojmë së bashku, gjatë së cilave po luftojmë të ecim para me të gjitha vështirësitë, shpullat e grushtet, nëse do nxjerrësh nga panorama BE dhe do mbash në këtë panoramë, mua, qeverinë, shqiptarët, që bëjnë më të mirën e tyre, a do ishte Shqipëria ajo që është sot. Jo, ky proces na ka ndihmuar në mënyra që në këtë kundërt do të ishin të pamundura, sepse mund të tingëllojë patetik, apo quajeni si të doni, po është njësoj si të shkosh në shkollë dhe të duhet të mundohesh dhe të thonë që duhet të përmirësohesh, dhe të thonë që duhet të vish prapë, se provimi se kë bërë mjaftueshëm. Por në fund nëse nuk heq dorë, fiton. Ajo çfarë Shqipëria e shqiptarët firojnë nga ky proces, është diçka që shkon përtej grukapitujve e vetë anëtarësimi formal, ata fitojnë një vend që bazohet në institucione, që funksionon në bazë të shtetit të së drejtës, që funksionon në të gjitha primet që i bëjnë vendet e BE kaq të admiruara. Viti i fundit ka qenë shpërblyes, por pa vitet që i paraprijnë, të cilat nuk ishin shpërblyese, ky nuk do të kishte ardhur. Të jesh skeptik nuk është gjë e keqe, pro nuk duhet të na dalë të punojmë çdo orë çdo minutë për ta bërë realitet. Ne kemi një shumicë si në kohët komuniste ishte njësoj edhe në perandorinë osmane, ne u jemi besnik perandorive, kjo është e para perandori me të cilën duam të jemi, kjo shumicë është ndryshe jo vetëm në shifra, por në thelb, ishim të gjithë kokë e këmbë pas osmanëve, sovjetikëve, por kokë e këmbë për shkak të imponimit, kurse kjo është me zgjedhje, ja pse Maria e kuptoi pse nuk u shpëton dot Shqipërisë. Më mirë të na marrin brenda se nëse jo do i përndjekim deri në fund, nëse duan të na heqin qafe, duan të na marrin me vete”, tha Rama.
Komisionerja Marta Kos thotë se BE po përgatit një shtëpi për Shqipërinë në BE. Në konferencën e përbashkët me Ramën, për hapjen e grupkapitullit të fundit me BE, Kos tha se kryeministri është një udhëheqës vizionar që sheh nga e ardhmja.
“Nuk e di kush është skeptik. Mesazhi që kam për qytetarët e Shqipërisë është se kjo është falë punë suaj, ne jemi krah jush, por jeni ju ata që po jepni rezultate. Në momentin që keni marrë statusin kandidat, është përgjegjësia juaj për të pasur sukses në rrugëtimin europian. Nuk është e vështirë të jesh pozitiv kundrejt vendit tuaj, sepse ju jepni rezultate. Anëtarësimi ka të bëjë me transformim, tek Rama keni një udhëheqës që si kthehet së shkuarës për të gjetur pretekst pse diçka nuk bëhet. Ju jeni udhëheqës që sheh nga e ardhmja dhe gjen zgjidhje për sfidat me të cilat përballemi të gjithë. Shqipëria është një partner që mund të mbështetemi. Shqipëri vazhdo kështu, ne po përgatisim një shtëpi për ju në Europë”, tha Kos.
Komisionerja Marta Kos, në fund të konferencës për shtyp në Bruksel, bëri dhuratë një tortë me ngjyrën e flamurit të Shqipërisë dhe me numrin 6 që simbolizon hapjen e të gjithë grupkapitujve të negociatave, ndërsa kryeministri Rama kishte marrë shishe vere autoktone me skicimet të tij në të.
Kos kishte marrë me vete edhe dhuratën e bërë nga kryeministri Edi Rama në takimin e tyre të fundit, një kanaçe Coca Cola. Qiriri me numrin 6 u fry nga dy negociatoret Majlinda Dhuka dhe dhe Adea Pirdeni, ndërsa kryeministri dhe komisionerja prenë tortën për të festuar suksesin e Shqipërisë.
Marta Kos: Çelja e 6 grupkapitujve në 13 muaj është deklarata më re fortë e angazhimit tuaj personal i dashur Edi. Jemi të dy fëmijë të një rajoni ku shija e lirisë ka ka përcaktuar rrugëtimin tonë dhe kur jemi takuar herën e fundit më sollët dhuratë, një kanaçe e dekoruar coca cola, me kuti me mbishkrimin njëherë e një kohë ishte dhurata më e gaëzuar edhe kur ta jepnin bosh, dhe ka edhe skicimet tuaja. Për ta kremtuar këtë moment, kemi kthyer dhuratën tuaj në një dhuratëq feste. Të gjithë ata që janë rritur pas perdes së hekurt, e dinin se sa gjë misterioze ishte Coca cola. Më kujtohet një libër i Lea Ypit, Free, dhe ka një fragment ku dy familje shqiptare zihen paksa për një kanaçe bosh Coca Cola. Libri i sjell në jetë 40 vitet e fundit shqiptare, duke ilustruar reformat dhe sfidat për të ndërtuar institucionet dhe traditat demokratike. Tregon se sa larg keni ecur. Le të sigurohemi që liria të qëndrojë me popullin tuaj, një Shqipëri e lirë dhe në Evropë të lirë. Tani mund të hamë edhe tortë. Duhet të festojmë edhe më shumë. 6 kapitujt e hapur është diçka për t’u kremtuar.
Edi Rama: Kur vjen fjala për grupkapitujt, mund të na habisni por për dhurata e ëmbëlsira s’e bëni dot. Kjo është vera autoktone shqiptare me etiketën e skicuar prej meje.
Shqipëria hapi negociatat me BE edhe për grupkapitullin e fundit. Komisionerja Marta Kosi vlerësoi punën e vërë nga vendi ynë, duke ehte se është rezultat i punës së autoriteteve për zbatimin e reformave. Kos tha se BE është e përkushtuar që Shqipërinë ta integrojë në BE.
"Sot është një ditë e veçantë jo vetëm për Shqipërinë që hap të gjithë kapitujt, por edhe për BE. Sot tregon se BE ofron rezultate dhe mund të mbështetemi tek Shqipëria. Ky sukses nuk do ishte i mundur pa angazhimin Shqipërisë dhe mbështetjen e gjithë shteteve anëtare për të mbështetur Shqipërinë, jemi të përkushtuar ta sjellim Shqipërinë në BE, suksesi është i Shqipërisë, rezultat i punës së autoriteve për zbatimin e reformave të rëndësishme. Është rezultat i qytetarëve shqiptarë që kërkojnë ndryshim dhe i mbështesin këto ndryshime. Shqipëria është shembulli më i mirë i fuqisë transformuese të zgjerimit, kur jepni rezultate, ju ecni para, jeni frymëzim për Ballkanin perëndimor. Çelja e të gjithë grupkapitujve është sukses, por mbyllja e tyre është çmimi real. Suksesi real është se sa shpejt miratoni dhe zbatoni legjislacionin real", tha Kos.
Kryeministri Edi Rama, në konferencën për shtyp në Bruksel, tha se "sprapsjet dhe grushtat e marra në stomak" nga BE e kanë bërë Shqipërinë më të fortë dhe më të përgjegjshme. Ai theksoi se tashmë hapja e të gjithë grupkapitujve është një realitet përkundër mbi një vit më parë që dukej si ëndërr.
“Vetëm pak kohë më parë dukej e pamundur dhe ishim në pikën ku po mësoheshim me sprapsjet dhe grushtat në stomak, por unë besoj se ai rrugëtim na bëri më të fortë, më të vetëdijshëm për të gjithë atë natyrë të jashtëzakonshme të procesit dhe më të pjekur. Ja ku jemi sot këtu, me atë që ishte vetëm ëndërr pak më tepër se një vit më parë, është transformuar tashmë në një plan pune, një realitet me të cilin do punojmë në jetën e përditshme. Pa fjalë formale, dua të falenderoj me zemër Marien dhe Marta. Marien për transformimin e fjalëve të presidencës daneze në vepra për zgjerimin duke mbështetur dhe inkurajuar për të ecur përpara dhe Marta që është kampione e procesit të anëtrarësimit të Shqipërisë dhe Ballkanin Perëndimor. Me zjarr dhe vullnet të fortë, që na bën të gjithë të ndihemi plot energji dhe në borxh nëse nuk realizojmë në kohën e duhur. Jam i frymëzuar nga këto muaj dhe nga mbështetja e fortë që procesi i zgjerimit dhe i ribashkimit të Evropës po merr.", u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se do të vijojnë plotësimin e detyrave nga BE me të njëjtin ritëm dhe intensitet. Rama kujtoi se në Bruksel nuk përfaqësojnë asnjë parti politike, por një komb të tërë.
"Do bëjmë gjithçka kemi në dorë për të ecur përpara me të njëjtin intensitet, disiplinë dhe punë të madhe për të dhënë rezultare që ky proces që po ndërtojmë gur pas guri të mos ndalet. Sot Shqipëria del me krenari nga kjo fazë e parë dhe madje me ndjenjë edhe më të madhe përgjegjësie. Ne nuk përfaqësojmë këtu parti politike, por një komb të tërë që mbështet si askush tjetër BE dhe anëtarësimin në BE më shumë sesa 90% e qytetarëve tanë. Jam i sigurt që ata shumë pak që janë në këtë përqindje të vogël që mbetet, thjesht nuk do të ketë qenë ditë e mirë kur është bërë sondazhi se vështirë të mendojë ndonjë shqiptar që mendon se anëtarësimi në BE nuk është ideja më e mirë dhe horizonti drejt të cilit duhet të synojmë për fëmijët tanë.", shtoi ai.
Në fund, bëri edhe një batutë teksa tha se buzëqeshjet në Bruksel mund të zhduken sa hap e mbyll sytë, ndaj është e nevojshme që të punohet me përulësi dhe përgjegjshmëri.
"Dua të shtoj se qoftë, ajo mënyra e fortë dhe e butë me të cilën jemi përballur na ka mësuar: kurrë mos merr asnjë gjë të mirëqenë në Bruksel. Kur të buzëqeshin shijoje por mos e mer të mirëqenë. Mund t’ju zhduket nga fytyra sa hap e mbyll sytë. Kështu vazhdo, puno fort dhe përgjigju me përulësi dhe rezultate. Këto dy gjëra janë ato gjëra që këta vlerësojnë më shumë. E kam thënë me mentorin tonë, KE dhe të urtët nga ana tjetër, shtetet anëtare jemi në duar të mira nëse nuk harrojmë se është puna e duarve tona që ka rëndësi jo për ta por për ne. Për popullin shqiptar dhe brezin e ardhshëm”, tha Rama.
Ministrja daneze e Punëve të Jashtme, Marie Bjerre, në konferencën e përbashkët për mediat me kryeministrin Edi Rama dhe komisioneren Marta Kos, tha se nëse Shqipëria vazhdon me këtë ritëm, do të jetë shumë shpejt anëtare e BE-së. Ajo tha se Shqipëria i përket familjes evropiane.
“Zgjerimi është përparësi e presidencës daneze. Sot ne po japim një tjetër rezultat. Nëse Shqipëria vazhsdon të njëjtin drejtim, të njëjtin ritëm, anëtarësimi do arrihet në një të ardhme të afërt. Shqipëria i përket familjes evropiane. Falenderoj kryeministrin Rama për bashkëpunimin gjatë këtij 6 mujori, është mbresëlënëse se sa shpejt po jepni rezultate. Vazhdoni kështu, dhe do të jeni pjesë e BE më shpejt sesa vonë. “, tha ajo.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamjet nga Konferenca e 7-të ndërqeveritare që po mbahet në Bruksel për hapjen e grupkapitullit të fundit të negociatave. Krahas videos, kreu i qeverisë thekson se “Hapim grupkapitullin e fundit të negociatave me Bashkimin Europian, në një kohë rekord vetëm 12 muaj”.
Mbrëmjen e djeshme u inaugurua edhe hapja e godinës së Misionit të Shqipërisë në BE. Komisionerja Marta Kos tha se detyra e saj është që ta sjellë Shqipërinë në shtëpinë e BE-së.
Në Bruksel është hapur godina e Misionit të Shqipërisë në BE. Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamjet nga mbrëmja ceremoniale e hapjes së godinës, ku e pranishme ishte edhe Komisionerja për Zgjerim Marta Kos. Ajo vlerësoi përparimin e Shqipërisë, ndërsa theksoi se e ndjen veten si një ambasadore të Shqipërisë në Bruksel, duke shtuar se detyra e saj është që ta bëjë vendin tonë pjesë të shtëpisë së BE-së.
Kryeministri Edi Rama vlerësoi nga ana tjetër mbështetjen e BE-së teksa tha se "dikur binte shi e bënte ftohtë jashtë" ndërsa tani është ndryshe.
Marta Kos: E ndjej veten... ndjesë, si ambasadoren e katërt të Shqipërisë këtu në Bruksel. Po ju po jepni rezultate. Arsyeja e dytë është se ju nuk po flisni vetëm, ju po realizoni. Ne shohim veprat. Nuk jua shpreh dot sa e lumtur jam kur kam mundësi të shpjegoj me fakte që ju keni bërë një përparim vërtet gjigant dhe është e gjitha falë punës suaj. Më pëlqen gjithnjë ta theksoj, nuk ka asnjë proces anëtarësimi pa një udhëheqje të përkushtuar, që nuk i kthehet së shkuarës duke kërkuar të gjejë justifikime se pse diçka është e pamundur, por ju keni një udhëheqje ose keni një udhëheqës, i cili sheh nga e ardhmja që të shquajë apo të kërkojë arsyet e përgjigjet se pse diçka është e mundur. Ky është - dhe do thoja mos më citoni - ky është një nga dallimet më të mëdha midis Shqipërisë dhe disa shteteve të tjera nga Ballkani Perëndimor. Sigurisht, i dashur Kryeministër, i dashur Edi, e kam fjalën për ju dhe do ta mbyll duke thënë: “Kjo është shtëpia juaj e re”. Detyra ime është t’ju sjell ju, Shqipërinë, në shtëpi, në Europë.
Edi Rama: Dikur, kur vinim, binte shi e bënte ftohtë jashtë dhe binte shi e bënte ftohtë brenda. Tashmë është ndryshe. Çfarëdo të ketë jashtë, brenda bën ngrohtë dhe është plot energji pozitive, fytyra pozitive dhe buzëqeshje të këndshme. Nuk jemi mësuar me këtë, Marta, ndaj është e jashtëzakonshme më në fund ta përjetosh këtë gjë, që është e vazhdueshme gjatë gjithë vitit dhe po bëhet e përhershme. Dua t’ju falënderoj të gjithëve sinqerisht që jeni këtu dhe të falënderoj sinqerisht e me gjithë zemër për punën secilin prej jush.
Komente











Urime Shqiperis per arritjet ne rrugetimin e saj drejt Evropes.Shume faleminderit te gjithe partnereve evropian qe ndihmuan grupin e punes te Shqiperis per te kaluar te gjitha pengesat.
PërgjigjuEnderr ishte europa ne kohe te enverit sot nuk eshte me . Sot europa eshte duke u degraduar . Europa nuk eshte me identitet eshte vetem nje konglomerat korporatash
PërgjigjuNdoshta eshte ashtu po korporatat nuk do e shpetojne dot BE. Duhet shpirti i themeluesve te saj per te patur nje ridimensionim i vlerave te saj.
Torta e 7 ne 12 vjet, shpresojmë te jetë e fundit se do na e zërë sheqeri.
Përgjigju